SHH “Medvegja” në Zvicër bashkon medvegjasit me mesazh te rinia, mos ta harrojmë ate tokë shqipe

Zvicra

SHH “Medvegja” në Zvicër bashkon medvegjasit me mesazh te rinia, mos ta harrojmë ate tokë shqipe

Nga: Dashnim Hebibi Më: 25 qershor 2024 Në ora: 10:08
Pamje nga vendi i ngjarjes

Pak po pëmendet ose hiq ajo tokë shqiptare, Medvegja e Idriz Ajetit, e Xhim Xhemës, ajo tokë që ka rritur akademikë, lobistë, veprimtarë, punëtorë të zellshëm e bujarë. Ka mbetur si e lënë pas dore. Jetime. Edhe malet e fushat kanë mallë për banorët e saj. Kur duhet për ndoj poenë politikë përmendet dhe harrohet. Ku është faji që ka mbetur ashtu siç është? E ditur, por edhe e ndihmuar nga të tjerët. E çka tash? E ardhmja! Hapen shumë konkluzione! Jo pse nuk kam se çka të shkruaj, ose nuk kam shkruar në të kaluarën, por të ndalem me disa fjalë për një organizim të mrekullueshëm që e organizon jo më pak se për 27 vjet me radhë, Shoqata Humanitare „Medvegja“ në Fully të Valisit. Nëse shohim manifestime nëpër natyrë që mbahen në Zvicër, ta dini, se SHH „Medvegja“, ka filluar jo më pak se para 27 vjetëve.

Shoqatë me veprimtari të bujshme kombëtare, humanitare, kulturore e sportive. Shoqatë që e ka ruajtur unitetin nëmes shqiptarëve, pa u përzier në politikë në tokat shqiptare. Shoqatë që e kanë vizituar personalitete e personalitete nga atdheu ynë. Shoqatë që ka reputacion të madh tek të gjithë shqiptarët veprimtarë edhe ate gjithandej. Zëri i saj atdhetarë, ka shkuar deri në Bruksel dhe SHBA. Është pasaporta më e mirë e mudshme e shoqatës e përgaditur nga PhD. Llukman Halili, tashmë i ndjerë dhe PhD. Dashnim Hebibi me titull: “30 vjet në shërbim të kombit”. Nuk e di a ka pasur titull më të mirë se sa ky. Monografi me plot gjallëri. Monografi me jetë kushtuar atdheut. Monografi e mbushur me veprimtarë e filluar me të pazëvendësueshmin, Akademikun medvegjas Idriz Ajeti dhe e përfunduar me fjalët e presidentit historikë të Kosovës, PhD. Ibrahim Rugova. Monografi që përshkruan punën e madhe që ka bërë kjo shoqatë. Monografi që është promovuar nëpër shtete të ndryshme të evropës e deri në SHBA edhe ate në universitete amerikane dhe e rrethuar me vatranët e Vatrës. Nder i madh për veprimtarët besnikë të Shoqatës Humanitare “Medvegja”. Natyrisht, se ka edhe zhurmë brenda saj, apo edhe ka pasur e do të ketë, por, mundi i veprimtarëve të vërtetë i ka anshkaluar dhe të bashkuar kanë ecur. Janë me miliona ndihma që kanë shkuar për tokat shqiptare dhe shumë pak për Medvegjën, sepse siç thojnë veprimtarët medvegjas të kësaj shoqate, ishte koha që duhej të kontribuohej për Kosovë. Kujtoj ish kryetarët e shoqatës, duke filluar nga Zejnullah Namani, Ismet Selmani e Zenel Neziri.

Kujtoj veprimtarin e madh, ndër themeluesit e shoqatës, tashmë të ndjerin, Liman Selmani, që me kryesinë e shoqatës, pas shumë viteve e ngritën flamurin kombëtar në Medvegjë. Shpirti i bacit Liman bëftë dritë në përjetësi. E djemtë e tij, Ismet, Fadili e Shabani, si lobista të zëshëm nuk po ndalen për të mirën e kombit. Medvegjasit rreth shoqatës janë si një familje. Kujtoj Musa Neziri, edhe ai tashmë i ndjerë i cili së bashku me djalin e vajzën e tij, ishte në çdo tik tak të veprimtarisë kulturore të shoqatës. Duke u përgaditur me muaj për një manifestim. Manifestimet e asaj kohe ishin të papërsëritshme, duke u prezentuar edhe para miqve zviceranë në ngjarje të ndryshme nëpër Zvicër edhe ate duke përfaqësuar kombin tonë. Ishin të rinjtë e të rejat tona nga Medvegja, që shkëlqenin nëpër manifestime e duke rrezatuar, se herë do kur, Medvegja do të popullohet si dikur, sepse është toka e baballarëve e gjyshërve të tyre. Ku të mos shkruhet, ku mos të përmendet mundi i veprimtarëve që janë rreth shoqatës të cilët për 27 vjet me radhë po e mbajnë të gjallë edhe një manifestim që i marin lakmi edhe vetë zviceranët. Medvegja është përmendur e po përmendet dhe po i jepet shpirt nga Shoqata Humanitare “Medvegja”. Ka 24 vjet që e përcjell veprimtarinë e shoqatës, kam shkruar edhe me dhjetëra shkrime dhe jam i nderuar për ate që edhe disa herë kam marrë mirënjohje sepse e kam ngritë zërin e Medvegjës edhe përmes mediave, ku edhe jam qytetar nderi i Medvegjës nga Shoqata Humanitare “Medvegja” dhe anëtar nderi i shoqatës.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

27 vjet koncerti dhe turniri në Fully të Valisit

Të numërohen është shumë e leje të organizohen 27 mbrëmje argëtuese e turnir futbolli dhe të mos ketë asnjëherë probleme. Ndodh, që të rinjtë edhe të ngucen nëpër manifestime, por te shoqata në fjalë nuk ka pasur asnjëherë. Nëpër manifestimet e shoqatës kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme zvicerane, sa që edhe kanë vallëzuar me kryesinë e shoqatës dhe me të pranishëm të tjerë, sa që edhe kanë folur shqip në skenë duke thënë rroftë Medvegja, rroftë shqiptaria, rroftë kryetari i Shoqatës Zenel Neziri për të gjitha këto kam shkruar nëpër reportazhe të tjera nëpër mediat tona. Nuk ka kamera, nuk ka teksshkrues që mundet ti shkruaj të gjitha që sheh syri i njeriut në mbrëmjen e organizuar nga shoqata. Të duket se është një familje. Të moshuar e të rinjë, vrapojnë, secili me mundësi që të del manifestimi si i ka hije. Me ditë e orë në organizim. SHKA “Medvegja” me programin e tyre janë mjaltë mbi torte. Edhe grupi i të rinjëve, me emrin e themeluesit të shoqërisë “Musa Neziri”, japin shpresë, se të rinjtë e të rejat e shoqërisë nuk do të ndalen edhe pse të lindur e po rriten në diasporë, larg vendit të të parëve. Duke u nisur nga kryetari aktual i shoqatës Zymer Hajrullahu, pastaj ish kryetarët, Zejnullah Namani, Ismet Selmani dhe Zenel Neziri, që të gjithë kanë kontribuar që kjo shoqatë të jetë kjo që është sot.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Tre ish kryetarët e SHH “Medvegja” cakrronin gotat

Zejnullah Namani, Ismet Selmani dhe Zenel Neziri i shoqëruar edhe nga sekretari për disa vjet me radhë, z.Fail Selmani, bashkëbisedonin mes veti si vëllezër, që kjo pamje është e vështirë të shihet diku tjetër. Janë unikë mes veti dhe respektohen. Vlenë të përmendet, se secili anëtarë i kryesisë, apo edhe ish kryesitë vijnë me familje. E shihja z.Sabit Abazi i cili me gjithë familjen e tij, që ishte arkatar për disa vite e anëtarë i kryesisë, lëvize me shpejtësi që gjithçka të shkoj mirë. I madh e i vogël, janë të kujdesshëm, që gjithçka të shkoj si e kanë planifikuar. Në këtë koncert tradicional takova edhe prindër që janë bërë e që dikur ishin në skenë dhe sot, ata përkujdesen për fëmijët e tyre të ruajnë shoqërinë, pra duke vallëzuar, recituar e kënduar. Kryetari i SHKA „Medvegja“, Sulejman Musliu kishte një barrë të rëndë pas vete, që të kujdeset që programi ti del mirë dhe ashtu edhe i doli. Ai vetë i këndoi tre këngë dhe më pastaj edhe pjesa tjetër e programit me valle e recitime. Kishin ardhur edhe artistë nga Medvegja, me lodra (daulle) e surla, sa që dhanë shumë emocione te të gjithë të pranishmit, që i gjasonte atdheut. Përpos disa medvegjasëve që kishin ardhur nga Medvegja, ishte edhe Prof.Rexhep Abazi, poet, mësues veteran dhe veprimtarë i dalluar i asaj treve, që nuk e ka lëshu Medvegjën, ai jeton në Medvegjë. Me shumë emocione, mbante telefonin në duar dhe fotografonte. Ndër të tjera na tha: „Më kanë humbur edhe fjalët. Sikur të ishin të gjitha këta në Medvegjë. Atje do të frymoja ndryshe. Edhe sikur të vdisja menjëherë, do të isha më i lumturi, sepse e dëgjoj zërin e të ardhmes. Duhet të punohet më shumë për ate trevë shqiptare e të harruar“. Edhe pse kishte rënë një shi i madh në ate pjesë të Zvicrës, për fat të mirë, ato orë sa ishim në stadium nuk ra asnjë pikë shiu. Atmosferë e papërshkrueshme. Të rinjë e të reja duke vallëzuar herë me lodra e herë me musafirët që kishin ardhur, këngëtarë nga Shqipëria dhe Kosova me çmime të kripura. ( çmime shumë të larta).

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Hyrja në koncert ishte me pagesë

Shikuar edhe nga vitet tjera edhe kësaj here është dashur që të ketë një hyrje në koncert, për ti mbuluar këngëtarët që vijnë nga Kosova e Shqipëria. Pijet janë me një çmim të pranueshëm, gjithashtu edhe ushqimet tradicionale. Duhet përmendur pa hy në detaje, çmimet e këngëtarëve, janë shumë të larta, ose thënë shkurt, nëse vijnë mbi 2.000 persona e paguajnë bileta të hyrjes, por edhe të marrin secili nga pije, ndoshta do ti mbulonin. Megjithate, veprimtarët e devotshëm rreth shoqatës nuk do të ndalen, ka pasur artistë që kanë kuptuar mesazhin tonë dhe kanë ardhur me çmim të arsyeshëm, por ka nga ata që nuk duan as të dëgjojnë. Ia lëjmë në ndërgjegjën e secilit. Për Medvegjë do të duhej që të vijnë edhe më shumë, sepse dihet situata se si është. Na thanë kryesues të shoqatës.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Si shkoi koncerti në natyrë me mbi 2000 bashkatdhetarë

Jo vetëm Medvegjas, kishte edhe bashkëkombas nga të gjitha trevat tjera shqiptare si Ali Çitaku me vëlla e me miq edhe miq të shumtë zviceran, por edhe të komuniteteve të tjera. Vallëzojnë, këndojnë, pijnë dhe e kalojnë një mbrëmje të paharruar. Ka edhe falënderime për sponzorët ( disa firma shqiptare), që e ndihmojnë këtë ngjarje sa kulturore, sportive dhe humanitare. Programi filloi në orën 19.30 me SHKA „Medvegja“ dhe grupin e të rinjëve „Musa Neziri“. Këngë, vallë e recitime, kushtuar Medvegjës, dëshmorëve e atdheut në përgjithësi. Veshjet kombëtare jepni emocione të veçanta. Ndërsa prindërit mbanin telefonat në dorë dhe kamera duke regjistruar çdo lëvizje të fëmijëve të tyre. Është vërtet emocionale, sepse shumica e prindërve dikur ishin po ata në skenë duke vallëzuar e kënduar. Këto manifestime që organizohen nga shoqata edhe ate për 27 vjet me radhë ka ndikuar shumë për të mirë, sepse i kanë bashkuar rininë dhe pse edhe të mos njihen mes veti, ku shumë nga këto manifestime edhe janë njoftuar dhe martuar. Kjo është e veçantja, që të ruajmë gjakun dhe kulturën tonë kombëtare. Humanitarja, që është alfa dhe omega e këtij organizimi, ajo çka mbetet, përcillet për bëmirësi. Shoqata Humanitare „Medvegja“ meriton të përkrahet edhe më shumë nga të gjithë, sepse zërin e Medvegjës e ka ruajtur e po e ruan edhe disa ditës. Patëm mundësi të bashkëbisedojmë edhe me tre ish kryetarët e shoqatës, z.Zejnullah Namani, Ismet Selmani dhe Zenel Neziri dhe me shumë emocione folën për punën që është bërë. Por, ata njëzëri duan, që të vazhdohet edhe më shumë dhe të ofrohet rinia. Kryetari aktual i Shoqatës, Zymer Hajrullahu i përshëndeti të pranishmit me fjalët më të mira duke falënderuar secilin që ka kontribuar. Moderimin e bëri zonja Marigona Neziri Kadriu, vajza e ish kryetarit, tashmë kryetar nderi i SHH „Medvegja“, e cila ishte pjesë e SHKA „Medvegja“ dhe tash ka edhe dy vajzat e saja të vogla, Bleona dhe Inaja. Edhe miqtë zviceran që ishin prezent e morën fjalën dhe falënderuan kryesinë aktuale dhe të kaluarat. Kryetarja e komunës së Fully, zonja Caroline Ançay, përshëndeti të pranishmit që ishte e shoqëruar nga këshilltarë komunal, kryetari i qytetit të Sionit, kryeqytet i kantonit Valisit i shoqëruar me anëtar të parlamenti të Sionit dhe anëtarë të komisionit për integrim, etj.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Programi artistikë ishte i përmbushur

Vlenë të përmendet SHKA „Medvegja“, shoqëria e të rinjëve „Musa Neziri“, musafirët nga Medvegja me daulle e surla. Ndërsa për këngëtarët që kishin ardhur për këtë mbrëmje që e shikonin orën duke kënduar, nuk po ndalem. Vallen shqipe deri në orën 12.30 të natës e mbanin të rinjë të reja e të shoqëruar edhe me prindërit e tyre. Ashtu edhe siç e donë rregulli i marrëveshjes me organet komunale, 12.30 përfundon edhe programi. Kjo është respekt për kryesinë e shoqatës. E nesërmja na pret me turnirin e futbollit.

Turniri i futbollit i datës 23 qershor

Morën pjesë 34 ekipe në këtë turnir futbolli me kushtet super të mira sportive si zakonisht të mundësuara nga qyteti i Fully. Nga mëngjesi e deri në orën 16.00 pati futboll me një organizim të mirë nga SHH “Medvegja”, ku brenda saj është komisioni sportive me Blerim Beha, Adonis Jakupi dhe Edon Sadiku, ku për çdo lavdëratë e kanë organizuar dhe udhëhequr gjatë gjithë ditës. Ku edhe kryetari aktual i SHH “Medvegja”, Zymer Hajrullahu ju dha lavdërtata për organizimin e bërë dhe e gjithë kryesia. Në këto turnire marin pjesë edhe futbollistë të njohur që luajnë nëpër liga të kësaj pjese të Zvicrës dhe kishte edhe futbollistë të kombësive të tjera. Thuajse të gjitha lojërat u zhvilluan në frymën e duhur sportive, duke pranuar çdo vendim nga referët, por edhe duke respektuar më të mirët. Qëllimi kuptohej i të gjitha ekipeve, që të përkrahet ky turniri dhe që Medvegja nuk është vetëm. Vendin e parë kësaj here e fitoi ekipi Shqipet 186, vendi i dytë Florim Rushiti “Kingji”, vendi i tretë i takoi ekipti Bek`s Auto ècole, kupa Fair Play SHH “Medvegja”, lojtari më i mirë i turneut Luan Latifaj dhe portieri më i mirë, Flamur Haradini. Krejt në fund u ndanë edhe kupa e medalje dhe u festua. Kryesia e SHH “Medvegja” me të gjithë ata që kanë kontribuar, që ky koncerti dhe turniri të organizohet dhe të zhvillohet mirë, falënderoi dhe duke premtuar, se edhe vitin tjetër do të jemi edhe më të organizuar. Falënderime u dhanë edhe për sponzorët, për prindërit e fëmijëve, prindërit, miqtë zviceran, mediat dhe që të gjithë që kanë kontribuar. Zëri i Medvegjës do të dëgjohet brez pas brezi edhe pse larg fizikisht, por e rëndësishmja, që po mbahet në shpirt e zemër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat