Shqipëria mbylli përfaqësimin e saj në evenimentin e radhës ndërkombëtar të xhudos, teksa mori pjesë në Kampionatin Ballkanik për moshat U-18 që u mbajt në Podgoricë më datat 1-2 qershor.
Një kompeticion me pjesëmarrje të gjerë dhe rivalitet të lartë, duke qenë se vjen para Europianit që do të mbahet në fundin e qershorit në Bullgari.
Kombëtarja kuqezi garoi me 8 sportistë Ballkanik, të drejtuar nga trajnerët Shkurt Çullhaj dhe Altin Përgjergji.
Shqipëria arriti që të fitonte një medalje bronzi, e cila mban firmën e Desara Ndocit në kategorinë e peshave -57 kg. Ndoci, xhudiste e Besëlidhjes, e cila stërvitet nga trajneri Përgjergji, tregoi një formë të shumë të mirë, duke regjistruar 5 fitore dhe 1 humbje, për tu renditur në vend të tretë mes 31 konkurrenteve.
Paraqitje të mira bënë edhe sportistët e tjerë, të cilët treguan gjithashtu vlera teknike dhe janë premtues për të ardhmen. Federata Shqiptare e Xhudos njofton se të gjithë kaluan turin e dytë dhe të tretë. Trajnerët Çullhaj dhe Përgjergji kanë ngritur skuadra mjaft interesante moshash te Tirana dhe Besëlidhja, duke qenë edhe furnizues të rëndësishëm për Kombëtaret.