Veliaj inspekton konviktet e reja te "Qyteti Studenti"

Tirana

Veliaj inspekton konviktet e reja te "Qyteti Studenti"

Më: 8 qershor 2024 Në ora: 12:24
Veliaj nënvizoi faktin se sot “Qyteti Studenti” ofron një realitet të ri për të rinjtë që vijnë në Tiranë

Një bashkëpunim mes bankës gjermane për zhvillim KfW dhe Bashkisë së Tiranës ka mundësuar rikonstruktimin e 5 godinave studentore te Qyteti “Studenti”, me standarde të denja për çdo kampus tjetër në Evropë. Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh krenar për këtë bashkëpunim, duke theksuar se standardi i ofruar në këto godina do të jetë etaloni i ndërtimtarisë në Shqipëri.

“Ne e trajtojmë me shumë seriozitet raportin që kemi me KfW sepse duam që, këto 5 godina, të jenë vetëm 5 dallëndyshet e para. E kemi ngritur standardin për efiçencën energjetike, për trajtimin studentëve me aftësi ndryshe, për mënyrën se si edhe pas tërmetit, kur na u desh të prishnim disa godina, ne ndërtojmë me një nivel shumë të lartë. Çfarë po bëhet këtu është etalon i çfarë do të jetë ndërtimtaria në Shqipëri. Sot, godinat po bëhen aq dinjitoze, saqë jo vetëm studentët shqiptarë, por edhe studentët e huaj të Kolegjit të Evropës, do të transferohen këtu. Kjo të thotë se do ketë një standard si çdo kampus tjetër në Evropë”, theksoi ai.

Veliaj nënvizoi faktin se sot “Qyteti Studenti” ofron një realitet të ri për të rinjtë që vijnë në Tiranë. Sipas tij, studentët do të gjejnë kushte tërësisht të rehabilituara në shtator.

“Po punojmë me teknologjinë e fundit dhe besoj se në shtator do të kemi një super surprizë për studentët. Do të vijnë në kushte që, nuk hezitoj ta them, do jenë më të mira se shumica e shtëpive që kanë lënë dhe shumica e hoteleve të Tiranës. Qyteti Studenti ka një simbolikë që është përtej vetëm godinave studentore. Simbolika është shumë e madhe, duke filluar nga lëvizja e studentëve që ndryshuan realitetin këtu, te fakti se është porta e parë e talentit që vjen në Tiranë. Një i ri që vjen nga një prej qyteteve të vogla të Shqipërisë drejt Tiranës, stacionin e parë e ka këtu, ku do të trajtohet me dinjitet, me higjienë, me të gjithë komoditetin e mundshëm”, u shpreh kreu i Bashkisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat