“100 euro për marrjen e një frigoriferi”, NPK “Tetova” ofron shërbimin e mbledhjes së mbeturinave inerte nëpër shtëpi

Tetova

“100 euro për marrjen e një frigoriferi”, NPK “Tetova” ofron shërbimin e mbledhjes së mbeturinave inerte nëpër shtëpi

Më: 10 qershor 2024 Në ora: 10:16
Foto ilustrim

Ndërmarrja publike komunale “Tetova” më herët ka filluar të kryejë shërbimin e mbledhjes dhe transportimin e mbeturinave inerte nga amvisëritë, si mobilje, teknikë të bardhë dhe ngjashëm.

Deri më tani këto mbeturina kanë përfunduar në prona publike duke ndotur natyrën, veçanërisht lumenjtë në rajonin e Pollogut, ku qytetarët zakonisht i hudhnin këto mbeturina.

Nga Komuna thonë se problemi është tejkaluar, kushdo që dëshiron të deponojë mbeturinat e brendshme duhet të kontaktojë NPK “Tetova”.

E përderisa inspektorët e Tetovës filluan me kontrolle të forta dhe gjoba për hedhjen e mbeturinave të brendshme në vende të papërshtatshme, Komuna u bëri thirrje qytetarëve që të përdorin shërbimin e ndërmarrjes komunale për grumbullimin e këtij lloji të mbeturinave.

“Ne jemi duke identifikuar të gjithë shkelësit e ligjit dhe nuk do të ketë tolerancë, do të veprojmë sipas ligjit. Deri tani janë përgjigjur se nuk kemi ku t’i çojmë, tani nuk ka nevojë t’i çojmë gjëkundi. Nga NPK do të shkojnë në shtëpi për t’i marrë, por nëse i kapim duke i hedhur ku nuk e kanë vendin, do të ketë gjoba”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Disa nga qytetarët thonë se nuk janë të njohur me këtë lloj shërbimi komunal, disa e mirëpresin dhe thonë se kishin nevojë, por nuk e kanë shfrytëzuar sepse kushton shumë.

“Kjo metodë duhet të ishte futur shumë kohë më parë, por situata aktuale për mendimin tim nuk është normale. Ditën tjetër kam thirrur në NPK Tetova dhe i kam thënë të më marrin një frigorifer dhe ta çojnë në një deponi të përshtatshme, më thonë se shërbimi do të kushtojë 100 euro. Tani imagjinoni se duhet të bëj renovim dhe dua të blej mobilje dhe pajisje të reja, kështu që do të shpenzoj më shumë për të hequr mobiliet e vjetra sesa për të blerë të reja”, thotë për “Sloboden Peçat” një banor i Tetovës.

Kryebashkiaku Kasami bëri të ditur se çmimi do të rregullohet në të ardhmen.

“Është hera e parë që ofrohet një shërbim i tillë, e kemi nisur nga diku, nëse ka situata të tilla do të bëhet listë çmimesh dhe ne do të reagojmë. Do të shohim se cila është metodologjia në komunat tjera, por me siguri do të gjejmë një mënyrë për t’i përmbushur ato”, tha Bilall Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës.

Tetova me dekada nuk e ka zgjidhur problemin e mbeturinave inerte, të cilat përfundojnë në lugina, lumenj dhe livadhe në vend të një deponi të përshtatshme dhe shpesh edhe në vetë kontejnerët, të cilët shkatërrohen nga mbeturinat e ndërtimit, mobiliet dhe pajisjet, e shpesh dëmtohen edhe kamionët nga këto mbeturina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat