Spanjolli zbulon planet e tij për të ardhmen

Tenis

Spanjolli zbulon planet e tij për të ardhmen

Më: 14 qershor 2024 Në ora: 13:52
Rafael Nadal

Tenisti spanjoll Rafael Nadal, fitues i 22 grand slam në karrierë, ka deklaruar se nuk do të luajë në turneun e Wimbledon, që zhvillohet në Londër këtë verë. Ai do të anashkalojë grand slam-in e fushave me bar për t’u fokusuar në përgatitjen për Olimpiadën e Paris 2024.

Tenisi në Lojërat Olimpike të këtij viti do të zhvillohet në fushat me dhè të Roland Garros, sipërfaqja e tij e preferuar, ku Nadal ka fituar 14 herë. Këtë sezon, tenisti 38-vjeçar spanjoll u eliminua që në raundin e parë në Roland Garros, ndaj ka kërkuar më shumë kohë për t’u përgatitur për Olimpiadën.

Për t’u përgatitur për Olimpiadën, Nadal planifikon të luajë në Nordea Open, në Bastad (Suedi, 15-21 korrik), një turne që i paraprin Lojërave Olimpike. Duke shpallur vendimin e tij në rrjetet sociale, Nadal konfirmoi se kjo do të jetë gjithashtu pjesëmarrja e tij e fundit në një event olimpik.

“Gjatë konferencës sime për shtyp pas ndeshjes në Roland Garros, më pyetën për kalendarin tim veror dhe që atëherë kam qenë duke punuar në fushat me dhè. Unë do të luaj këtë verë në Paris, Olimpiadën time të fundit. Me këtë qëllim, besojmë se më e mira për trupin tim është të mos ndryshoj sipërfaqe”, tha Nadal.

“Është për këtë arsye që do të më mungojë të luaj në Wimbledon. Jam i pikëlluar që nuk mund të jetoj këtë vit atmosferën e mrekullueshme të atij eventi të mrekullueshëm”, tha Nadal, që në Olimpiadë do të luajë edhe në lojën dyshe bashkë me patriotin e tij Carlos Alcaraz.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat