Gati 500 vjet më parë, hartografi flamand Geradus Merkator krijoi një nga hartat më të rëndësishme të botës. Sigurisht, ajo nuk ishte përpjekja e parë për një atlas botëror, dhe as nuk ishte dhe aq e saktë. Aty mungonte Australia, dhe 2 Amerikat ishin paraqitur me përafërsi.
Që atëherë, hartografët kanë prodhuar versione gjithnjë e më të sakta, duke i korrigjuar gabimet e Merkator. Por harta e këtij të fundit, së bashku me të tjerat e prodhuara nga bashkëkohësit e tij të shekullit XVI-të, zbuluan një pamje vërtet globale të masave tokësore të Tokës.
Por ajo që nuk dinte Mercator, është se kontinentet nuk kanë qenë të vendosura gjithmonë në këtë mënyrë. Ai jetoi rreth 400 vjet përpara se të konfirmohej Teoria e Tektonikës së Pllakave. Kur sheh pozicionet e 7 kontinenteve në një hartë, është e lehtë të supozohet se ato janë fikse.
Për shekuj me radhë, qeniet njerëzore kanë luftuar dhe kanë bërë paqe mbi pjesën e tyre të këtyre territoreve, me supozimin se toka e tyre, por edhe ajo e fqinjëve të tyre, ka qenë gjithmonë, dhe do të jetë gjithmonë atje. Megjithatë nga këndvështrimi i Tokës, kontinentet janë si gjethet që lëvizin nëpër një pellg.
Dhe të gjitha shqetësimet njerëzore, janë si një pikë shiu mbi sipërfaqen e gjethes. Të shtatë kontinentet ishin dikur të mbledhura në një masë të vetme, një superkontinent i quajtur Pangaea. Dhe para kësaj, ka prova për të tjera që shtrihen në një periudhë kohore prej mbi 3 miliardë vjet:Panotia, Rodinia, Kolumbia/Nuna, Kenorland dhe Ur.
Gjeologët e dinë se superkontinentet shpërndahen dhe mblidhen sërish bashkë sipas disa cikleve. Aktualisht jemi në gjysmë të rrugës. Atëherë si mund të jetë superkontinenti në të ardhmen? Ekzistojnë të paktën 4 skenarë të ndryshme, që tregojnë se një ditë qeniet e gjalla të Tokës, do të banojnë në një planet shumë të ndryshëm, që do të duket më shumë si një botë aliene.
Gjeologu Zhoao Duarte i Universitetit të Lisbonës në Portugali, thotë se rruga për të eksploruar superkontinentete ardhshme të Tokës, nisi me një ngjarje të pazakontë në të kaluarën. Një tërmet që e goditi Portugalinë mëngjesin e një të shtune në nëntorin e vitit 1755.
Ai ishte ndër tërmetet më të fuqishme të 250 viteve të fundit, që vrau mbi 60.000 njerëz dhe që shkaktoi një cunami që goditi deri përtej Oqeanit Atlantik. Ajo që e bëri veçanërisht të çuditshëm atë tërmet ishte vendndodhja e tij. “Në Atlantik nuk duhet të ketë tërmete të mëdha. Ai tërmet ishte vërtet i çuditshëm”-thotë Duarte.
Tërmetet e kësaj shkalle, ndodhin zakonisht në zonat kryesore të zhytjes, aty ku pllakat oqeanike zhyten nën kontinente, shkrihen dhe konsumohen në mantelin e nxehtë. Ky proces shkakton lëkundje të forta dhe shkatërrime të mëdha.
Por tërmeti i vitit 1755, ndodhi përgjatë një kufiri “pasiv”, ku pllaka oqeanike që qëndron nënthemelet e Atlantikut, kalon pa probleme në kontinentet e Evropës dhe Afrikës. Në vitin 2016, Duarte dhe kolegët e tij propozuan një teori për atë që mund të ndodhë.
“Qepjet” midis këtyre pllakave mund të zbërthehen, dhe mund të jetë e afërt një këputje e madhe. Nëse do të ndodhë vërtet, atëherë mund të krijohet një e çarë nga Mesdheu përgjatë Afrikës Perëndimore dhe ndoshta deri në Irlandë dhe Britaninë e Madhe, duke shkaktuar vullkane, ndërtime malesh dhe tërmete të forta në këto rajone.
Duarte thotë se kjo mund të çojë në mbylljen e Atlantikut. Dhe nëse do të vazhdonte të mbyllej edhe Paqësori – gjë që tashmë po ndodh përgjatë “Unazës së Zjarrit” që e rrethon atë, do të formohej një superkontinent i ri. Ai e quajti atë Aurika, për shkak se në qendër të saj do të ndodheshin ish-masat tokësore të Australisë dhe Amerikës.
Më vonë Duarte hipotetizoi edhe skenarë të tjerë të ardhshëm. Bashkë me oqeanografin Matias Grin në Universitetin Bangor në Uells, e kuptuan se kishin nevojë për dikë që të krijonte disa modele dixhitale. Dhe ajo ishte kolegia e tij, Hana Dejvies, një tjetër gjeologe në Universitetin e Lisbonës.
Puna e tyre çoi në 4 skenarë. Përveç modelimit të një tabloje më të detajuar të Aurika-s, ata eksploruan edhe 3 skenarë të tjerë, secila i projektuar të ndodhë afro 200-250 milionë vjet nga tani. Skenari i parë ka të bëjë me atë që mund të ndodhë nëse vazhdon statuskuoja: Atlantiku qëndron i hapur dhe Paqësori mbyllet.
Në këtë skenar, superkontinenti që formohet do të quhet Novopangaea. Por mund të ketë edhe ngjarje gjeologjike në të ardhmen që të çojnë në rregullime të ndryshme. Një shembull është një proces i quajtur “ortoversion”, ku Oqeani Arktik mbyllet dhe Atlantiku dhe Paqësori mbeten të hapura.
Në mesin e oqeanit Atlantik, ka një kreshtë gjigante që përgjysmon dy pllakat kontinentale. Ajo kalon nga Islanda deri në jug të Atlantikut. Këtu po formohet litosfera e re, cila në fund mund të formojë një superkontinent të quajtur Pangea Ultima.
Modelet e superkontinenteve të ardhshme të Tokës, mund të shërbejnë edhe si një tregues për të kuptuar klimën e ekzoplaneteve. Për këtë të fundit 3 ekspertët bashkëpunuan me Majkëll Uej, fizikant në Institutin Godard të NASA-s për Studimet Hapësinore.
Modelimi i klimës së superkontinentit të ardhshëm nga Uej – që zgjati për disa muaj duke përdorur një superkompjuter – zbuloi disa ndryshime të habitshme midis 4 skenarëve. Për shembull Amasia, do të çonte në një planet shumë më të ftohtë sesa në skenarët e tjerë.
Me masën tokësore të përqendruar rreth Polit të Veriut dhe oqeaneve, që kanë më pak gjasa të bartin rryma të ngrohta në gjerësi gjeografike më të ftohta, do të krijoheshin shtresa akulli. Ndërkohë Aurika do të kishte një klimë më të butë dhe më të thatë, me brigje të ngjashme me ato të Brazilit të sotëm.
Marrë me shkurtime nga BBC – Bota.al