Profil/ Kush është Ervin Salianji: Nga ngjitja në politikë deri te dënimi me burg

Shqipëria

Profil/ Kush është Ervin Salianji: Nga ngjitja në politikë deri te dënimi me burg

Më: 26 shtator 2024 Në ora: 16:31
Ervin Salianji

Ervin Salianji, prej dy mandatesh, është deputet i Partisë Demokratike për qarkun e Korçës. I diplomuar për drejtësi, ai është pjesë e Partisë Demokratike prej më shumë se një dekade, duke mbajtur detyra të ndryshme brenda strukturave drejtuese të partisë. Në ballinën e politikës, ai është një politikan i zëshëm i opozitës, që së fundmi drejtoi komisionin hetimor për TIMS.

Profili politik i Ervin Salianjit

Deputet i Partisë Demokratike prej vitit 2017 dhe “udhëheqës” i komisionit hetimor për TIMS.

Pas shtatë vitesh si deputet i Partisë Demokratike, karriera politike e Ervin Salianjit mori një kthesë të papritur, që ndoshta as ai vetë nuk e kishte imagjinuar as në ëndrrat më të këqija. Dënimi me një vit burg dhe gjithë pasojat që sjell vendimi përfundimtar i Gjykatës së Apelit, i heqin atij karrigen e deputetit dhe shumë angazhime të rëndësishme në Partinë Demokratike, partinë më të madhe të opozitës.

Ai ishte i përzgjedhuri i kryedemokratit Sali Berisha për të udhëhequr një betejë të fortë elektorale për parlamentaret e vitit 2025 në qarkun e Elbasanit. Edhe pse ishte qarku i Korçës që e nxorri deputet, madje si më i votuari mes demokratëve me 9,420 vota, Sali Berisha i besoi Elbasanin, një qark i vështirë për nga pesha elektorale që mbart.

Për herë të parë, Ervin Salianji fitoi karrigen e deputetit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Por, përpara se të bëhej një nga deputetët më të zëshëm të opozitës, ai u përfshi në Partinë Demokratike në vitin 2013. I diplomuar për drejtësi, ai nisi si anëtar i Këshillit Kombëtar, dhe në vitin 2015 ishte një nga kandidatët për kryetar të FRPD. Më pas, për dy vite (2015-2017), ai udhëhoqi sekretariatin për aksionin qytetar në Partinë Demokratike dhe ishte drejtues i departamentit për të drejtat e njeriut.

Si një prej të rikthyerve në Partinë Demokratike me kryetar Sali Berishën, përveç angazhimeve si deputet në komisionet e përhershme të kuvendit, së fundmi ai drejtoi komisionin hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS.

Çështja “Babale”

Në ballinën e politikës dhe opozitës, Ervin Salianji u identifikua me të ashtuquajturën çështja “Babale”. Kjo filloi në pranverën e vitit 2018, kur Ervin Salianji publikoi një audio-përgjim, ku, sipas tij, Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj, ishte i përfshirë në trafik droge. Pas verifikimit të fakteve, në dhjetor të vitit 2019, Ervin Salianji u dënua me një vit burg nga Gjykata e Tiranës për dosjen “Babale”, me akuzën e kallëzimit të rremë. Ky vendim, pas pesë vitesh betejë ligjore, mbeti në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat