"Onkologjiku"/ Lihen në fuqi masat për mjekët dhe infermierët

Shqipëria

"Onkologjiku"/ Lihen në fuqi masat për mjekët dhe infermierët

Më: 27 qershor 2024 Në ora: 20:25
Pamje nga vendi i ngjarjes

Gjykata e Tiranës ka lënë në fuqi masat e sigurisë për mjekët e përfshirë në skandalin te spitali Onkologjik pranë Qendrës Universitare Spitalore Nënë Tereza. Ata akuzohen për "shpërdorim detyre". Pas njohjes me masën e sigurisë, mjeku Edmond Gashi ka dalë nga dera e pasme e gjykatës për të mos u përballur me gazetarët.

Gashi akuzohet se drejtonte pacientët me kancer nga spitali i QSUT tek klinika e tij private “Megis” tek zona e Astirit. Një tjetër mjeke e Onkologjikut, konkretisht, Alketa Pere (Ymeri) foli për gazetarët para se të dëshmonte sot në prokurorinë e Tiranës. Pere u shfaq e revoltuar me gazetarët në nisje të deklaratës, pasi ishte shqetësuar më shumë për fotot "e shtrembëruara" të publikuara në media, sesa për skandalin që bëri bujë.  Ajo tha se nuk ka çuar asnjëherë asnjë pacient tek spitalet private, ndërsa shtoi se gjitha këto spitale duhet të hetohen. Ajo ka folur sërish për gazetarët, ku tha se në dosjen e hetimeve të prokurorisë për çështjen, sipas saj ka gabime se nuk është ajo që del në përgjime.

Teksa përmendi “3 Alketat” e spitalit Onkologjik, diferencën e bëri tek vetja duke theksuar se mbante titullin “profesoreshë doktoreshë”.  Prokuroria e Tiranës zbardhi skemën abuzive, në të cilin ishin përfshirë mjekë dhe specialist të Onkologjikut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza", ku në vend që të jepnin shërbim për pacientë me sëmundje tumorale, bënin të kundërtën, duke i orientuar ata drejt spitaleve private më qëllim përfitimin ekonomik. Në njoftim thuhej se nga ana e Prokurorisë u arrit të dokumentohen raste të blerjes së ilaçeve me vlera të konsiderueshme për kimioterapi nga farmaci të cilat këto medikamente i tregtonin pa pullën fiskale dhe me kod të prishur duke krijuar dyshimin në lidhje me autenticitetin e këtyre barnave.

Gjithashtu po nga hetimet e kryera ka rezultuar se në Spitalin Onkologjik prej vitit 2021 është instaluar një Aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e pacientëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale, pajisje kjo që mësohet se nuk është shfrytëzuar. Por skema abuzimit nuk ndalej vetëm me orientimin tek spitali privat në pronësi të një prej të akuzuarve, mjekët në fjalë drejtonin pacientët e tyre edhe për ilaçe në farmaci private.

Për këto të fundit nuk përjashtohet mundësia që të jenë furnizuar po nga mjekët e onkologjiku për nxjerrjen e ilaçeve nga spitali për tregtim në farmacitë e tyre private.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat