Rritja e pagës për Policinë e Burgjeve, aspirantët do të marrin 80% të pagës së gradës “inspektor”

Shqipëria

Rritja e pagës për Policinë e Burgjeve, aspirantët do të marrin 80% të pagës së gradës “inspektor”

Më: 26 qershor 2024 Në ora: 21:21
Ilustrim

Keshilli i Ministrave ka miratuar sot rritjen e pagës për punonjësit e Policisë së Burgjeve, si dhe masën e kompensimit për largësinë nga banesa.

Po ashtu pjesë e pagës është dhe paga e aspirantëve për të qenë e trupës së Policisë së Burgjeve, të cilët për 1 vit do të marrin 80% të pagës së gradës “inspektor”.

Në vendimin e publikuar në faqen e Këshillit të Ministrave rritja e pagave për punonjësit e policisë së burgjeve do shkon 13-27 %.

Përfitues do të jenë 3 430 punonjës. Rritja e pagave dhe kompensimet e parashikuara do të jenë në fuqi prej datës 1 korrik.

Në vendimin e qeverisë të publikuar saktësohet se aspirantët, që ushtrojnë detyrën në Policinë e Burgjeve gjatë periudhës 1-vjeçare, pas përfundimit të trajnimit trajtohen në pagë, në masën 80% të pagës së gradës “inspektor”, që llogaritet si shumë e dy elementeve të pagës, pagës për gradë dhe shtesës për natyrë të veçantë pune, sipas pozicionit ku ushtrojnë detyrën.

Lidhur me largesën nga banesa, në vendimin e publikuar nga qeveria vendosi sot që masa e kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit, përcaktohet në varësi të distancës në kilometra të vendit të punës me vendbanimin e punonjësit.

Masa e kompensimit në lekë për muaj për largësinë nga 36 km deri 60 km, do të jetë 3 000 lekë/muaj.

Nga 61 km deri 100 km 5 000 lekë/muaj.

Nga 101 km deri 150 km 8 000 lekë/muaj. Nga 151 km deri 200 km 10 000 lekë/muaj dhe mbi 200 km 15 000 lekë/muaj.

Po ashtu në vendimin e qeverisë përcaktohet se, kur punonjësi i policisë së burgjeve transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, për shkak të detyrës ose për nevoja pune, kompensohet për qiranë e banesës, në rastet kur fjetja, transporti dhe ushqimi nuk sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Këtë kompensim punonjësi e përfiton nëse transferohet ose komandohet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale në largësi mbi 36 km nga vendbanimi i tij i përhershëm.

Masa e kompensimit për qira banese për punonjësin e Policisë së Burgjeve, sipas përcaktimit të pikës 1, të këtij kreu, përcaktohet në varësi të personave në ngarkim që ka punonjësi.

Sipërfaqja e banesës për të cilën i kompensohet qiraja e banimit kur punonjës banon i vetëm 43.93 m².

Kur punonjësi banon me një person në ngarkim 56.47 m²; Punonjësi dhe dy persona në ngarkim 79.74 m²; Punonjësi dhe tre persona e më shumë në ngarkim 80.50 m².  

Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Policisë së Burgjeve, vërtetohet nëpërmjet certifikatës së gjendjes së tij familjare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat