Skandali te Onkologjiku/ Berisha: Shëndetësia falas, vrasje me pagesë e qytetarëve shqiptarë nga qeveria e Ramës

Shqipëria

Skandali te Onkologjiku/ Berisha: Shëndetësia falas, vrasje me pagesë e qytetarëve shqiptarë nga qeveria e Ramës

Më: 26 qershor 2024 Në ora: 21:15
Sali Berisha

Kryetari i PD-së, Sali Berisha është ndalur te skandali i Spitalit të Onkologjikut, duke akuzuar qeverinë se kjo është një ‘vrasje me pagesë e qytetarëve shqiptarë’.

‘Sot na del se shëndetësia falas është vrasje me pagesë e qytetarëve shqiptarë nga qeveria e Edi Ramës’, u shpreh Berisha.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh për qëndresën tuaj epike në mision të jashtëzakonshëm për shpëtimin e Shqipërisë.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, në këtë vend ku skandalet me pasoja herë-herë dhe vdekjeprurëse për qytetarët vendosen kat mbi kat, nuk di njeriu, hetohet se çfarë ndodh në këtë vend.

Sot, Edi Rama deklaroi se në administratën e tij ka pjesë të zeza.

Më lejoni t’i them këtu para jush se në administratë sot kryebalozi i zi i saj e ka emrin Edi Rama.Edi Rama është njeriu që ndërtoi me moralin e tij pervers, çnjerëzor, sistemin e korrupsionit në çdo segment të administratës.

Edi Rama erdhi si bastion i zi i vjedhjes së shqiptarëve.

U instalua kryeministër me akuzën e OSBE-së se gjatë kohës si kryetar bashkie, vodhi dhe depozitoi në kontot offshore 200 milionë euro.

Edi Rama është balozi i zi i administratës së sistemit korruptiv sepse akoma pa u bërë kryeministër, hyri në saraje krimi me oborr 5 mijë metër katrorë dhe themele 720 metra të gjata, në një kohë kur balozi i zi kishte të deklaruara në ILDKP gjithsej 3800 euro. Kishte të deklaruara 400 mijë lekë.

Edi Rama është balozi i zi që ndërtoi në këto vite sistemin barbar të vjedhjes së qytetarëve sepse erdhi në pushtet me pallat në pajë të zonjës së tij pesëkatësh, pa asnjë faturë tatimore, doganore, bankare, ndërtimore, etj.

Miqtë e mi, Edi Rama erdhi në pushtet me premtimin e shëndetësisë falas, kurse sot na del se shëndetësia falas është vrasje me pagesë e qytetarëve shqiptarë nga qeveria.

Të dashur qytetarë dhe qytetare, ju keni dëgjuar dhe jeni tronditur nga skandali i publikuar në media.

Po ju garantoj se në atë spital dhe jo vetëm në atë spital, por në çdo spital janë marrë jetë njerëzish për shkak të korrupsionit që mbolli Edi Rama me shëndetësinë falas.

Të dashur miq, në vitin 2014, akti i parë nën diktatin e Vilma Nushit, Tom Doshit, vampirëve të shëndetit të shqiptarëve, u abrogua ligji sipas të cilit në territorin e Shqipërisë për shtetasit shqiptarë, nuk mund të shitej asnjë preparat, asnjë ilaç që nuk ishte miratuar nga enti i ilaçeve të BE ose SHBA.

Njëri nen. Neni tjetër, në territorin e Shqipërisë nuk mund të shitej asnjë ilaç që nuk ishte përdorur të paktën tre vite, në të paktën dy vende anëtare të BE.

Me këtë ligj ne mbronim qytetarët.

Ne sigurisht paguanim më shtrenjtë ilaçet në listën e rimbursimeve, por e bënim atë me ndërgjegjen më të plotë se qytetari duhej të blinte ilaçe dhe jo kallp ilaçe.

Duhej të blinte ilaçe të vërteta dhe jo toksike apo pa efekt.

Mirëpo erdhi bashkëshortja e kushëririt, që quhet Vilma Nushi dhe ligji duhej ndryshuar në mënyrë që Vilma të mblidhte fundërrinat e ilaçeve dhe t’ua shiste shqiptarëve sot, siç ndodh.

Miqtë e mi, ju duhet ta dini se të gjitha kompanitë pa përjashtim, të mëdha evropiane dhe botërore, që kishin përgjegjësi ligjore dhe shkencore për preparatet, u larguan një nga një të gjitha nga Shqipëria.

Të gjitha u zëvendësuan nga Vilma dhe Toma që fitojnë mijëra tendera në vit dhe shesin bërllog ilaçe për qytetarët shqiptarë. Të cilët humbasin qindra e qindra jetë nga këto ilaçe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat