Dy vjet burg për Belerin, VOA: Vendimi i Apelit hap rrugën për proces të ri zgjedhjesh në Himarë

Shqipëria

Dy vjet burg për Belerin, VOA: Vendimi i Apelit hap rrugën për proces të ri zgjedhjesh në Himarë

Më: 25 qershor 2024 Në ora: 21:55
Fredi Beleri

Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme e Apelit konfirmoi dënimin me dy vite burgim për Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur të Himarës, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje. Një dënim i cili, pritet të çojë automatikisht në një proces të ri zgjedhjesh për Bashkinë e Himarës, ndërkohë që zoti Beleri është zgjedhur si anëtar i parlamentit europian, si pjesë e listës së partisë së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis.

Ai u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, nën dyshimet se kishte ofruar para në këmbim të votave në favor të kandidaturës së tij. Sipas Prokurorisë, banorit të Himarës, Arsen Rama, i cili ishte ofruar të bashkëpunonte me autoritetet, i ishin dhënë shuma monetare prej 5 mijë lekësh për 8 persona, emrat e të cilëve ishin në një listë që ai ia kishte dorëzuar Belerit.

Kryetari i zgjedhur i Himarës, ka hedhur poshtë akuzat, duke bërë përgjegjëse prokurorinë se ka manipuluar provat, si dhe duke folur për një burgosje politike të tij. Ai ju drejtua pa sukses, të gjitha shkallëve të gjyqësorit, përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar lirimin, apo dhe leje për të bërë betimin si kryebashkiak. Himara, vazhdoi të qeverisej, deri para pak muajsh nga ish kryetari, socialisti Jorgo Goro, i cili po ashtu u arrestua, për abuzime me pronat.

Denoncimi për të ishte bërë pikërisht nga Beleri.Kandidat i opozitës, në zgjedhjet vendore, si përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e njeriut, e cila mbron të drejtat e minoritarëve grek në Shqipëri, rasti Beleri u kthye në një mollë sherri mes Tiranës dhe Athinës, duke përkeqësuar ndjeshëm marëdhëniet mes dy vendeve. Fillimisht Greqi kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin. Autoritetet shqiptare nga ana e tyre, këmbëngulën se bëhej fjalë për një çështje që i përket drejtësisë, dhe se ata nuk mund të ndërhynin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat