“Problem komunikimi”- Cenaj zbulon detaje nga pelegrinazhi në Mekë: Duhet trajnim!

Shqipëria

“Problem komunikimi”- Cenaj zbulon detaje nga pelegrinazhi në Mekë: Duhet trajnim!

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 21:53
Foto ilustrim

Besimtarja myslimane Lumjana Cenaj, e cila sapo ka përfunduar pelegrinazhin në Mekë, ka ndarë përmes një lidhje për emisionin “Review” në Euronews Albania eksperiencën e saj.

Cenaj tha se temperaturat në Mekë të Arabisë Saudite ishin shumë të larta gjatë kohës së Haxhit, që sipas saj, arrinin deri në 50 gradë.

Ajo tha se në hotelet ku qëndronin i jepnin me vete ujë dhe medikamente për t’i bërë ballë të nxehtit ekstrem.

Sipas Cenajt, problematika e vetme në Haxh ishte në komunikim dhe mënyrën e organizimit, duke qenë se atje marrin pjesë njerëz të kombësive të ndryshme.

Kujtojmë se disa qindra persona kanë humbur jetën për shkak të të nxehtit ekstrem gjatë pelegrinazhit të këtij viti në Mekë.

“Duhet t’i japim vlerën e duhur përmes organizimit këtij rituali që është obligim një herë në vit. Ne patëm nderin e veçantë të jemi të ftuar të Mbretit nga Ambasada Saudite në Shqipëri. Na telefonuan, na pritën shumë mirë në Ambasadë.

Temperaturat ishin shumë të larta, deri në 47-50 gradë. Problematika e Haxhit ishte në komunikim. Është shumë e rrezikshme të rrish gjithë kohën jashtë në temperaturat e larta në Haxh. Ka të bëjë shumë informacioni.

Para se njerëzit të nisen për ta kryer ritualin e Haxhit, duhet të trajnohen, të kenë informacionin e duhur. Unë kam patur fatin që kam qenë me bashkëshortin tim, i cili e ka kryer njëherë Haxhin dhe tani e kreu edhe për të atin e tij, që është i moshuar. Kemi përdorur Google Maps, etj, për të gjetur rrugët.

Me taksitë përshembull abuzohej shumë atje, duke parë që nuk kishin me çfarë të lëviznin njerëzit. Përditë në hotel në mëngjes, që shërbehen nga ora 07-11, aty çdonjëri prej grupeve u jepej ujë me vete, çanta me medikamente që kanë qenë bazike. Në çdo kat kishte klinikë të përkohshme”, tha Cenaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat