Taksistja: Çunat vihen në sedër, më lënë deri 50 € bakshish

Shqipëria

Taksistja: Çunat vihen në sedër, më lënë deri 50 € bakshish

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 20:08
Sindi Dhrami

Sindi Dhrami, taksistja e ftuar këtë javë në emisionin “Real People” në Euronews Albania, shprehet se përfiton nga fakti që është një taksiste vajzë, çka sipas saj, i surprizon klientët.

Ajo thotë se i lënë dhe bakshishe, sidomos djemtë. Madje Sindi rrëfen se ka klientë qe parkojnë makinat e veta, e më pas kërkojnë që të udhëtojnë me taksinë e saj.

Sipas saj, ka nga ata që i kanë lënë edhe 50 euro bakshish.

“Jam e apasionuar pas makinave, skafeve, motorave. I kam dhënë makinave që 14-vjeçare. Kam filluar te bizneset, kemi pasur furra buke. Deri në momentin që ika, pastaj kam filluar kam punuar me makina me qira. Ja dilja me fëmijët sepse kisha edhe ndihmën e mamasë. Tani punoj taksiste. Kam mbi 3 muaj që punoj si taksiste. Jam turni i natës gjithmonë. E marr në orën 18:00 pasdite. 8-10 orë. Jeta e natës në Tiranë është e gjallë. Nuk është fare frikë, sepse nuk është se na bien të alkoolizuar, janë kryesisht familjarë.

Thonë të gjithë ‘ua sa kënaqësi të udhëtojmë me një femër’. Thuajse të gjithë çunat që hipin në taksi ngacmojnë. Thonë përshembull ‘vetëm ti je taksistja më e bukur në Tiranë’. Thonë ‘ku mund të të gjej të të marrë herë tjetër, më jep numrin’. Numrin nuk ia kam dhënë askujt, por Instagramin po. Vete në shtëpi në orën 03:00 dhe zgjohem nga ora 06:00, për të çuar fëmijët në kopësht. Kjo është puna që më pëlqen më shumë. Gjithmonë jam me klientë, shkojmë edhe në qytete të ndryshme. Kam ndërruar edhe goma, para një jave ndihmova një zonjë për të ndërruar një gomë.

Ato që nuk duan të bëhen nëna, do humbasin momentet më të bukura të jetës së tyre. Ka shumë kuptim jeta ime me fëmijët. I duhuri nuk ekziston. E kam menduar krijimin e një lidhjeje të re, sepse janë të dy fëmijët e mi në mes.

Nuk më pëlqen që fëmijëve të mi t’u bërtasë një burrë tjetër. Ka pasur njohje që nuk janë finalizuar. Kur të dalë ai mashkull që të më pranojë mua bashkë me fëmijët e mi, atëherë do të krijoj një lidhje tjetër. Po lënë bakshish, vendosen çunat në sedër. Më i madhi ka qenë 50 euro. Çunat që vinin nga Londra ndalonin makinat e tyre, vetëm për të bërë xhiro me mua në Tiranë”, tha Sindi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat