“Fundi i një dashurie pa kushte”/ Nga FRESSH në SPAK, pse u ndanë Meta e Kryemadhi

Shqipëria

“Fundi i një dashurie pa kushte”/ Nga FRESSH në SPAK, pse u ndanë Meta e Kryemadhi

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 14:22
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Monika Kryemadhi ishe një gjimnaziste e Petro Ninit, kur në zyrën e Musa Ulqinit, u takua për herë të parë me Ilir Metën, një student që sapo i ishte bashkuar PS-së.

Sic ajo ka rrëfyer, Iliri nuk i pëlqeu në vitin 1992, sepse “ishte maskilist”.

Por mungesa e xhentilencës së djalit nga Skrapari, nuk e pengoi atw që një vit më pas të lidhej me të, dhe në vitin 1998  të martoheshin.

Nuk ishte dasma tipike shqiptare. Një celebrim i thjeshtë në bashki, ku i vetmi politikan, ishte miku i asaj kohe e rivali i sotëm, Erjon Brace. I shoqëronte një ambasador mik i Metës dhe një anëtar i stafit të tij.

Që në atë periudhë, nuk kishin kohë për të humbur dhe ju përveshën karrierës politike.

Ilir Meta u bë kryeministër 30 vjec.

Teksa ai zhvillonte betejat me dhe kundër Fatos Nanos, pranë Ramës e si rival i tij, me dhe pa Berishën, në familjen e tyre erdhwn 3 fëmijë: Bora, Besari dhe Era.

Me themelimin e LSI-së, për një kohë të gjatë, Kryemadhi ishte mbështetësja e Metës në terren dhe shtyllë e fushatave të tij pas skenës.

Meta gëzonte postet, si në parti ashtu edhe në qeverisje, dhe gruaja e tij ishte gjithmonë aty, por jo në skenë.

Rregulli i pashkruar u thye në vitin 2017, kur Meta ishte bërë President dhe LSI_së i duhej një kryetar.

Ajo u bë gruaja e parë që drejtoi një parti në Shqipëri, por në atë kohë, pakkush mund ta mendonte se pikërisht kjo karrige, do t’i griste martesën.

LSI dogji 18 mandatet e saj parlamentarë në vitin 2019, dhe Kryemadhi ju bashkua vendimit të liderit të opozitës në atë kohë, Lulzim Basha.

Sot Ilir Meta e quan këtë një akt pabesie ndaj tij dhe elektoratit të LSI.

Megjithëkëtë, kjo cështje nuk u hap në publik për 5 vite. Pasi mbylli mandatin presidencial, Meta u rikthye në parti dhe Kryemadhi ja liroi karrigen pa asnjë rezistencë.

Por disa fletëthirrje të SPAK-ut i cili hetonte pasurinë e ciftit, ekspozoi brishtësinë e marrëdhënies mes tyre.

Kryemadhi dëshmonte në SPAK, e dilte e qetë.

Ndryshe nga ajo, Meta nisi një sulm të ashpër ndaj prokurorisë speciale dhe drejtuesit Altin Dumani.

Në prill, duke e bërë Kryemadhin përgjegjëse për dobësimin e partisë, Meta e largoi atë nga forumet e partisë, edhe pse deputetja dha mesazhe rezistence.

Vetë ish-presidenti i shtetit, i ripërcaktuar si president i Partisë së Lirisë, iku nga shtëpia.

Ai vizitonte shpesh 3 fëmijët e tij që jetonin me nënën, teksa vetë prej muajsh jeton në një hotel.

Meta i dha fund martesës, duke u bërë i pari politikan që ndahen nga bashkëshorti për mospërputhje politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat