Berisha: Pashiqi i Tiranës po falsifikon censusin. Plarent Ndreca, hajdut si drejtorët e 5D-së

Shqipëria

Berisha: Pashiqi i Tiranës po falsifikon censusin. Plarent Ndreca, hajdut si drejtorët e 5D-së

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 21:47
Sali Berisha

Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka akuzuar deputetin e PS-së, Plarent Ndrecën se është hajdut njësoj si drejtorët e dosjes 5D të Bashkisë Tiranë.

Berisha theksoi se Ndrecën ‘e mbron Rama, pasi ai ka firmosur 28 mijë metër katrorë tokë publike për vëlla Olsin’.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi Ramën si ‘Pashiqi i Tiranës që po falsifikon të dhënat e censusit’.

Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, nderimin tim më të madh dhe mirënjohjen më të pakufishme për ju qëndrestare dhe qëndrestarët e pamposhtur, misionarët e vërtetë të dinjitetit, të lirisë, të shpresës dhe të ardhmes së shqiptarëve.

Të dashur miq, sot ju përsëri protestuat para bashkisë në kushtet më të vështira.

Por asgjë nuk u ndali ju pa protestën e mosbindjes civile për një kauzë të drejtë për çdo qytetar shqiptar.

Por e vërteta është për një kauzë të drejtë për çdo qytetar evropian dhe çdo qytetar të lirë në botë.

Miqtë e mi, ju duhet ta dini se çdo ditë që ju qëndroni me sakrifica kundër këtij regjimi, u lartëson ju në rolin e misionarit të vërtetë.

Në rolin e vizionarit, në rolin e luftëtarit të pamposhtur që mbron një kauzë më të drejtë dhe më themelore të njeriut.

Mbron kauzën e lirisë!

Që mbron interesat e tij dhe të bashkëqytetarëve, bashkëkombasve nga një regjim i cili me fytyrën e tij të zezë, me politikat që ka ndjekur, është dëshmuar regjimi më i pamëshirë ndaj kombit shqiptar.

Regjimi që në 8 vite shpopulloi, zhbëri Shqipërinë si asnjë pushtim tjetër apo asnjë epidemi tjetër në historinë e saj.

Për herë të parë miqtë e mi, në shekuj e pse jo në mijëvjeçcarë, trojet shqiptare në Shqipëri kanë më pak banorë se në Kosovë.

Dhe armiku i egër, Çubrilloviçi shqipfolës, Pashiqi i Tiranës, ka vendosur të zgjidhë me falsifikimin e të dhënave të censusit, me numra kallp, të mbulojë këtë të vërtetë të tmerrshme për çdo shqiptar.

Të tmerrshme për çdo qytetar dhe qytetare të këtij vendi dhe çdo njeri që ka në deje gjak shqiptari kudo që ndodhet.

Ky zvogëlim, ky pakësim katastrofik i kombit në 8 vite është vepër e zezë madhore e një njeriu, e një antishqiptari, më i keq se çdo sundimtar që ka pasur Shqipëria në kohëra.

Kjo monstër e ekzistencës tonë kombëtare, vetëm për këtë gjenocid të kryer ndaj kombit, meriton të gjitha llojet e ndëshkimeve mbi tokë.

Për këtë gjenocid ndaj shqiptarëve, çdo shqiptar që e ndjen veten të tillë në Shqipëri, çdo shqiptar që e ndjen veten të tillë në diasporë dhe kudo të ndodhet, duhet të vendosë t’i japë këtij armiku ndëshkimin më të merituar për këtë, për këtë mynxyrë që i bëri kombit shqiptar.

Ja pra pse lufta juaj lartësohet mbi të gjitha përpjekjet e tjera të njeriut.

Lufta juaj është pra luftë për ekzistencën ose jo të kombit shqiptar.

Koha ka ardhur që çdo shqiptar të pyesë veten: a mund të qëndroj unë soditës kur kombi po shkrihet çdo javë, çdo muaj si kripa në ujë?

A mund të qëndroj unë indiferent kur Shqipëria në të katër anët e saj po pakësohet, po shkretëtohet si kurrë më parë nga njerëzit e saj?

Jo, kurrë, asnjë shqiptar që e njeh veten për ët tillë nuk mund të qëndrojë soditës, nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj kësaj mynxyre kombëtare.

Edi Rama, ky famëzi punon ditë e natë për një Shqipëri pa opozitë.

Sot nuk ka vend tjetër në Europë ku tre liderët e partive kryesore opozitare janë në arrest ose nën ndjekje nga hanxharët e këtij regjimi.

Nga Dumanë dhe Zamanë, kriminelë pengmarrës, që nuk kanë ligj as Kushtetutë.

Që qëndron në detyrë vetëm me peqe lepe, duke shkelmuar Kushtetutën e vendit të tij.

I bëj thirrje çdo punonjësi të atij institucioni të pështyjë në surrat Altin Dumanin, që nuk ka nder, nuk ka Kushtetutë, por është një lëpirës që lëpin kockat që i hedh Edi Rama dhe zbaton urdhrat e tij.

U bëj thirrje prokurorëve, u bëj thirrje hetuesve, mos zbatoni urdhrat të një krimineli kushtetues. Të një njeriu që nuk ka marrë votat, po vetëm me peqe lepe qëndron aty dhe mendon se është prokurori i të huajve dhe jo i shqiptarëve.

Është një mercenar i Edi Ramës, i mafies ndërkombëtare.

Aty e ka dosjen e McGonigalit, rasti më flagrant në historinë e Europës dhe botë, ku kryeministri ka korruptuar me 225 mijë dollarë shefin e kundërzbulimit, në SHBA futet në burg, kurse McGonigalë të tjerë mbrojnë Edi Ramën në Tiranë.

Altin Dumani është një armik i egër i ligjit, Kushtetutës.

Një armik i egër i shqiptarëve, që si mercenar zbaton vullnetin e Edi Ramës.

Zbaton vullnetin e mafies së urryer ndërkombëtare.

Miqtë e mi, në qoftë se heshtim ne, Shqipëria vdes.

Shqipëria merr fund.

Shqipëria zbrazet, boshatiset.

Por ne kurrë nuk do heshtim.

Jemi të gatshëm për çdo sakrificë.

Do u rikthejmë shqiptarëve votën e lirë.

Do përmbysim Dumanër, Edi Ramë dhe klikën e tyre të urryer.

Kurrë një popull dhe një komb në një kauzë të drejtë nuk mund të përmbyset nga një mafie e urryer shqiptare dhe ndërkombëtare.

Miqtë e mi, gjithçka ky regjim bën për të mbuluar krimet e shëmtuara që kryen, Edi Rama ka firmosur një vendim për të shkelmuar për të satën e satën herë Kushtetutën.

Merr çdo kompetencë të qeverisë vendore, ne një kohë kur urbanistika, lejet e ndërtimit janë të gjitha atribute të qeverisë vendore në përputhje me Kushtetutën, në përputhje me Kartën e Kongresit të Autonomisë Lokale dhe Rajonale të Europës.

Por makutëria e tij, pangopësia e tij nuk ka kufi.

Ai do 30-përqindëshin për çdo ndërtim, kudo që kryhet në të katër anët e vendit.

Nga kullat, monumente të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit dhe tek shtëpitë që ndërtohen me mundin dhe djersën e qytetarëve.

Ndaj dhe ftesa është për çdo qytetar, të ngrihemi në këmbë kundër këtij regjimi antishqiptar.

Kundër këtij regjimi që po vjedh, varfëron dhe mjeron çdo ditë qytetarët e këtij vendi.

Mbi ju, mbi qytetarët shqiptarë, 24 orë në 24 orë, një vello e një propagande të zezë të shpifur, të neveritshme, e njëjtë me atë të diktaturës, mbulon hapësirën tuaj informative mediatike.

Protagonistë kryesorë të medieve janë lakejtë kryesorë të Skapit, Plarent Ndreca, Idajet Beqiri, gjobëvënësi- konfidenti i familjes Rama, Doçi.

Këta miq janë dhe zërat kryesorë në studiot televizive.

Janë paditësit kryesorë në zyrat e Dumanit.

Janë turpi i dheut.

Janë faqja e zezë.

Janë delinkuentë të dënuar tre dhe katër herë për vepra penale.

Janë gjobëvënës të kapur në flagrancë, të mbrojtur nga Zamani.

Këta janë pra zërat e Edi Ramës në studiot televizive.

Vetëm njëri prej tyre, hajduti me damke, Plarent Ndreca, e keni parë hajdutin si paraqitet i brilantosur nëpër studio?

Ai ka histori prej hajduti njëlloj si drejtorët e 5D. Ky është hajduti i fondeve të rikonstruksionit të Ministrisë së Arsimit, nga e cila doli vila e Lindës së Parlamentit.

Hajduti i të ashtuquajturit park olimpik.

Hajduti i uniformave të ushtrisë.

A e dëgjuat ju dje se Peleshi kishte vajtur në Itali për të parë me sytë e tij, se nuk kishte parë ndonjëherë në jetë panele diellore.

O hajdut, po për ato udhëtime mercenari i Edi Ramës lëshoi mandat arrestin për Arben Ahmetajn.

Kurse Peleshi mbahet peng për të njëjtat udhëtime.

Po mos është vetëm Peleshi. Jo, jo.

Merrni dosjen, është Ndreca hajduti i pafytyrë. Dhe do ua them pse është i tillë. Që shkoi në Kroaci për të blerë uniformat, që i mori ato me çmime gjer 10 herë më të shtrenjta se sa në tregun e botës.

Që u kthye dhe që Dumani e amnistoi, ky kriminel në krye të Skapit që heton me peqe lepe si fundërrinë.

Po ai nuk e di se do japë llogari për të gjitha krimet e tij.

Në aktin e tij të fundit prej banditi, para dy ditësh ky hajdut ordiner, ordiner në çdo aspekt, që për ordiner është shkarkuar nga detyra. Ky hajdut ordiner padit një njeri të ndershëm, një shërbëtor të ndershëm të shtetit, punonjës të KLSH sepse ky i kishte bërë të gjitha ekspertizat e akteve të vjedhjeve të tij në Ministri të Arsimit, të vjedhjeve të tij në Ministrinë e Brendshme.

Po kush e mbron Ndrecën? Plarentin? A e dini ju kush e mbron? E mbron Edi Rama sepse firmosi me dorën e tij 28 mijë metër katrorë tokë publike për vëlla Olsin, pronë e shtetit shqiptar.

Sipërmarrjes private të Olsit të Xibrakës.

A e kuptoni miq sa e shenjtë është beteja juaj?

Ju sakrifikoni, por a ke rrugë tjetër përveç betejës, më thoni mua?

Ky është vetëm njëri aspekt.

Po Fatzi Xhafa në krye të komisionit. Ja ku janë kullat e korrupsionit të Fatzi Xhafës, me një Arlis, Arlis.

Kush i mori pronat publike të Policisë Bashkiake të Tiranës?

Me firmën e kujt u morën për të ndërtuar Arlis Xhafa dhe dhëndri i tij?

Miqtë e mi, çdo shqiptar që ka një vëlla të burgosur kudo për trafik droge, që ka një vëlla të burgosur si trafikant ndërkombëtar në Itali dhe Venezuelë, është në përputhje me ligjin e mafies, subjekt i hetimit të ligjit të antimafies.

Por kjo nuk ndodh për Fatzi Xhafën.

Fatzi Xhafa vihet në sfidë flagrante të ligjit dhe të shqiptarëve, në krye të komisionit antikorrupsion.

Mos u tallni me shqiptarët!

Si mund të marrë opozita në një komision të tillë?

Si mundet opozita të tradhtojë popullin opozitar?

Pse i bëni ju lustra Edi Ramës, do i bëjë opozita?

Kurrën e kurrës, ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.

Për dinjitet, për Shqipëri.

Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat