BE zbardh mashtrimin me fondet e IPARD në Shqipëri, OLAF: Të bllokohen 112 mln €, i kemi dërguar materialet për hetime të mëtejshme

Shqipëria

BE zbardh mashtrimin me fondet e IPARD në Shqipëri, OLAF: Të bllokohen 112 mln €, i kemi dërguar materialet për hetime të mëtejshme

Më: 21 qershor 2024 Në ora: 19:31
Ilustrim

33 milionë euro kanë qenë fondet e Bashkimit Evropian të parashikuara si ndihmë të bujqësisë shqiptare që janë keqpërdorur.

Shifra është zbuluar nga Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, që gjithashtu ka rekomanduar bllokimin e paketës së radhës 112 milionë euro për sa kohë nuk ka janë marrë masa për të garantuar mbrojtjen e interesave financiare të BE-së.

Në raportin vjetor OLAF ka zbuluar edhe tre shkeljet kryesore që bëheshin me fondet IPARD, gjë që çoi në korrik që Bashkimi Evropian të pezullojë këtë mbështetje.

“Aplikantëve u kërkohet të paguajnë një pjesë të konsiderueshme të grantit të tyre një kompanie konsulence lokale; Kontratat që jepen pa konkurrencë, ose përmes një konkursi të manipuluar (me oferta false që dorëzohen); Çmime të fryra dhe shkelje të rregullave kontraktuale”- thuhet në raportin e OLAF.

Sipas njoftimit për shtyp të OLAF, pas një serie hapash hetimore, përfshirë kërkime forensike digjitale të dokumenteve të lidhura me përfituesit e IPARD II, ARDA dhe operatorë të tjerë ekonomikë, OLAF zbuloi shumë parregullsi serioze gjatë fazës së dhënies së granteve dhe zbatimit të shumë projekteve.

Zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve thotë  se një kopje e gjetjeve është dërguar te autoritetet shqiptare për shkak të “aktiviteteve të mundshme kriminale” të zbuluara gjatë hetimit.

Përveç bllokimit të fondit 112 milionë euro për IPARD III, OLAF i ka rekomanduar Komisionit Evropian që të shpallë thirrjet një dhe dy të programit IPARD II si të pavlefshme. Totali i fondeve të këtyre thirrjeve arrijnë në 33 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat