"Shkaktohen nga dora e njeriut", drejtori i zjarrfikëses, thirrje qytetarëve: Mos rrezikoni duke i fikur vetë zjarret

Shqipëria

"Shkaktohen nga dora e njeriut", drejtori i zjarrfikëses, thirrje qytetarëve: Mos rrezikoni duke i fikur vetë zjarret

Më: 19 qershor 2024 Në ora: 09:59
Goxhaj u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë kësaj periudhe të kenë një kujdes të shtuar.

Numri i zjarreve për muajin qershor është rritur krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë. Këtë e konfirmoi Drejtori i Zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj në një intervistë për gazetaren Lusi Përgjegji.

“Nëse 2-3 vitet e fundit zjarret kanë filluar në korrik e mbrapa, këtë vit kanë filluar që në qershor. Për të përballuar këtë situatë, ne nga 1 korriku deri në 30 shtator nxjerrim 25% të efektivit në gatishmëri”, tha ai.

Goxhaj u ka bërë thirrje qytetarëve që gjatë kësaj periudhe të kenë një kujdes të shtuar.

“Ne nuk jemi një vend që zjarret vijnë nga temperaturat e larta, por vijnë nga dora e njeriut, qoftë nga pakujdesia, qoftë qëllimisht. Qytetarët gjatë këtyre muajve nuk duhet të përdorin zjarret për eliminimin e mbetjeve bujqësore”, theksoi Goxhaj.

Teksa ka folur për ndërhyrjet në zonat urbane, drejtuesi i Zjarrfikëses Tiranë po ashtu ka një kërkesë për shoferët e automjeteve.

“Ne duam hapësira më të mëdha dhe i bëjmë thirrje qytetarëve në blloqet e banimit t’i parkojnë automjetet në vendin e duhur sepse shpesh bëhen pengesë. Megjithatë kjo nuk do të thotë që shërbimi zjarrfikës nuk do të reagojë”, deklaroi ai.

Goxhaj ka theksuar se shërbimi zjarrfikëses në qarkun Tiranë ka të gjitha kapacitetet për t’u përballur me situatën e zjarreve si dhe një bashkëpunim me instancat e tjera vendore për t’u ardhur qytetarëve në ndihmë në kohën e duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat