Ja muaji kur do të bëhet rritja e pensioneve, eksperti i ekonomisë Kujtim Hoxha jep detajet e fundit

Shqipëria

Ja muaji kur do të bëhet rritja e pensioneve, eksperti i ekonomisë Kujtim Hoxha jep detajet e fundit

Më: 18 qershor 2024 Në ora: 10:58
Kujtim Hoxha

Eksperti i njohur i ekonomisë, Kujtim Hoxha ka dhënë disa informacione të rëndësishme për pensionistët. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Hoxha ka shpjeguar praktikën që ndiqet dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë qytetarët që dalin rishtazi në pension. Po ashtu eksperti ka folur edhe për aplikimet për pension që bëhen online, për ata të cilët mund ta kenë të vështirë që të aksesojnë shërbime që ISSH ofron online. Nga ana tjetër ai ka dhënë një lajm të keq për pensionistët. Sipas tij, rritja e pensioneve që nuk u bë në prill do të bëhet në tetor, por ajo do të jetë më e ulët se vitet e tjera.

-Zoti Hoxha, janë më shumë së 15 mijë qytetarë që çdo vit dalin në pension, cila është praktika që ndiqet dhe dokumentet që duhet të dorëzojnë këto qytetarë që dalin rishtazi në pension?

Në kushtet e nenit 92 të ligjit 7703, qytetarët kur plotësojnë moshën për të dalë në pension kanë të drejtë për të aplikuar që të përfitojnë pensionin e pleqërisë. Mosha për burra është 65 vjet, ndërsa për gratë këtë vit është 61 vjet e tetë muaj. Kur plotësojnë kriterin e moshës secili aplikant duhet të ketë minimalisht 15 vite pune dhe maksimalisht që të fitojë pension të plotë pleqërie duhet të ketë 38 vjet e katër muaj, si femrat edhe meshkujt. Dokumentet që nevojiten për të aplikuar për pension janë dokumentet tregues të vjetërsisë së punës, ku si dokument bazë është libreza e punës por edhe dokumentet e tjera siç janë vërtetimet për punën e kryer në ndërmarrje të tjera që mendojnë, si dhe dokumentet tjera për ata që kanë kushte të tjera për të përfituar pension pleqërie. Siç janë, femrat të kenë mbaruar shkollën e lartë dhe këtë e provojnë me dokument që ka përfunduar arsimin e lartë dhe këta përfitojnë deri në vitin 2032, për çdo vjet të kryerjes së arsimit të lartë, përfitojnë nga një vit, por jo më shumë se 6 vite. Për të gjithë ato që nuk disponojnë këto dokumenta, mjafton të deklarojnë se ku kanë punuar dhe Sigurimet Shoqërore e kanë detyrim ligjor të gjejnë vjetërsinë e punës që ka realizuar individi. Është detyrim ligjor i ISSH-së të mbledh të gjithë dokumentet që vërtetojnë dhe të gjejnë vjetërsinë e punës që ka realizuar individi. Për meshkujt është detyrim të vërtetohet edhe koha e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, konsiderohet si vjetërsi në punë dhe aplikon në postë dhe merr dokumentin. Ndërsa për një pjesë të qytetarëve që kanë përfituar trajtim të veçantë minatori, në momentin kur lindin kushtet për të përfituar nga ligji i minatorëve, 150/2014 i ligjit 7703, neni 92, pjesën provuese të vjetërsisë së punës, që quhet trajtim i veçantë, që e ka dorëzuar në vitin 2000 dhe aty janë të gjithë dokumentet që vërtetojnë se ka punuar. Ndërsa për të gjithë qytetarët që kanë përfituar nga ligji 10.142, është ligji për ushtarakët, ku nënkupton se përfshihen jo vetëm ato që janë ushtarak por edhe nënoficer, oficer por edhe policë e gradat e tjera. Këto kanë dosjen e pensionit të parakohshëm të ushtarakut që kanë dorëzuar në sektorin suplementar dhe kjo periudhë njëkohësisht shërben edhe si periudhë përfitimi nga ISSH-ja.

-Prej dy vitesh aplikimet për pension bëhen online, për ata të cilët mund ta kenë të vështirë që të aksesojnë shërbime që ISSH ofron online, a u ofrohet asistencë, pra, kanë mundësi që të paraqiten pranë zyrave të sigurimeve shoqërore dhe ta marrin shërbimin aty?

Kjo është vërtetë shqetësuese sepse moshën që kanë qytetarët që dalin në pension, e kanë shumë të vështirë për të hyrë në e-Albania për të vijuar me procedurat e tjera, pasi duhet të ketë kartën e ID, ka raste që kanë harruar passëord-in dhe nuk aksesojnë dot në e-Albania e si të tillë kërkojnë ndihmë dhe te ndonjë person i tyre i afërm. Këto persona e kanë të pamundur e si e tillë hasin vështirësi e në shumë raste aplikojnë dhe nëpër kancelari por kundrejt një pagese që i rëndon një pensionisti. Fizikisht kur paraqiten në zyrën e ISSH-së, iu ofrohet asistenca e nevojshme nga specialistët e institucionit. Mirëpo problem mbetet për persona të cilët banojnë në zona të thella rurale, nuk kanë mundësi të marrin shërbimin e nevojshëm.

-Në momentin kur qytetarët nuk janë dakord me masën e përfitimit që u është caktuar nga ISSH, kanë mundësi të kërkojnë rillogaritje?

Qytetari mbi bazën e masës së pensionit që merr, kur e shikon se nuk është i qartë për masën e pensionit që i kanë caktuar apo një pjesë e viteve të punës nuk i është vlerësuar, ai ka të drejtë të kërkojë rishqyrtim i pensionit duke sjellë argumenta bindëse nëpërmjet aplikimit që bën online në e-Albania ku shoqërohet edhe me dokumenta dhe shënohen se cilat janë arsyet se përse kërkon rishqyrtimin. ISSH brenda 30 ditëve e ka detyrim me ligj që të përgjigjet për rastet që iu shkojnë në adresë elektronike dhe për t’ju dhënë zgjidhje qytetarëve. Çdo kush që sheh se komisioni i ka caktuar një shumë pensioni që nga ana tjetër qytetari e vlerëson si të padrejtë, qytetari ka të drejtë të kërkojë llogaritje apo të dërgojë kërkesën për rishqyrtim të vlerësimit. Dhe në momentin kur nga komisioni i rishqyrtimit nuk i jepet ajo që kërkon, qytetari ka të drejtë të ankimojë në Komisionin Rajonal të Ankimimit. Problemet janë nga më të ndryshmet por varet shumë dhe nga forca argumentuese e bindëse në dokumenta.

-Sipas gjasave, tetori është lënë sërish për indeksimin e pensioneve. Mendoni se do të jetë më e lartë rritja se vitin e kaluar?

Buxheti i shtetit për vitin 2024, ka parashikuar indeksim të pensioneve mesatarisht deri në vlerë 480 lekë. Në tetor ky është afati i fundit që mund të bëhet kjo. Por sigurisht mendoj se kjo po bëhet edhe për propagandë pasi jemi afrojnë gjashtë muajt nga koha e zgjedhjeve për 2025-ën. Në vend që të jepen që në prill, i japin në tetor. Këtë vit indeksimi i pensioneve do të bëhet në nivel dhe më të ulët krahasimisht se në vitet e kaluara, pasi vetë qeveria vetë deklaron se buxheti shtetëror ka rënë. Por edhe nga të dhënat e INSTAT-it, kështu propagandohet se buxheti i shtetit është më i ulët. Kur ekonomia e vendit është e ulët, indeksimi i pensionit del akoma dhe më shumë i ulët. Nuk ka buxhet të mjaftueshëm për të bërë ligje të mëdha. Por me rishikimin e buxhetit, që bëhet në tre muaj e fundit të vitit, në shtator a fundi i tetorit, fondet buxhetore të cilat nuk janë harxhuar, qeveria mund t’i delegojë dhe t’i kalojë për pagesën e pensioneve. Kjo varet dhe sa dëshirë ka qeveria dhe instancat përkatëse. Indeksimi nuk do të jetë më i lartë krahasuar me vitin e mëparshëm e madje do të jetë një indeksim i një norme vlere dhe më e ulët ndryshe nga vitet e mëparshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat