Partia Socialiste miratoi ligjin për “Prefektin” pavarësisht kundërshtive të opozitës

Shqipëria

Partia Socialiste miratoi ligjin për “Prefektin” pavarësisht kundërshtive të opozitës

Më: 19 prill 2024 Në ora: 09:30
Foto ilustrim

Pavarësisht kundërshtive të opozitës, mazhoranca miratoi dje me 71 vota pro dhe 27 kundër, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, ‘Për prefektin e qarkut’.

Më herët, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, prezantoi në Kuvend projektligjin për forcimin e rolit të prefektit. Në fjalën e tij, Balla theksoi se fuqizimi i rolit të prefektit do të përmirësonte shërbimet, ndërsa shtoi se këshillat vendore të sigurisë publike janë rekomandim i kahershëm.

“Ne e respektojmë pavarësinë e pushtetit vendor. Të përmirësojmë shërbimet, duke nisur nga ata që i ofrojnë. Pati një deputet të opozitës, që ishte i shqetësuar se dikur ka qenë kryetar bashkie. Ai tha: ‘Kemi ardhur këtu që të kontrollojmë aktet që bën kryetari i bashkisë’. Aktet që kontrollon prefekti janë të miratuara nga këshilli. Ka një kartë të pavarësisë nga vetëqeverisja e pushtetit vendor. Të mos harrojmë se ky është një proces check-and balance. Ka pasur 110 shpërndarës droge të arrestuar. Nuk e fsheh kënaqësinë për punën e prokurorive të juridiksionit”, – tha Balla.

Ai i bëri thirrje opozitës që të votojnë projektligjin e propozuar nga vetë ai për fuqizimin e rolit të prefektit. Më herët, Flamur Noka e cilësoi projektligjin si qëllim për të kapur çdo pushtet. Sipas tij, me anë të këtij projektligji qeveria do të kapë edhe atë territor që deri dje nuk kontrollonte, por edhe për t’u bërë shantazh kryetarëve të bashkive”.

KUNDËRSHTITË

Opozita kundërshtoi projektligjin e propozuar nga qeveria për Institucionin e Prefektit, i cili parashikon t’i japë atij kompetenca shtesë, duke kontrolluar pushtetin vendor. Deputetja Dhurata Çupi kritikoi qeverinë duke deklaruar se e ka kthyer Prefektin në institucion pensionistësh, ndërsa vuri në dukje se funksionimi i këtij institucioni ka pikëpyetje dhe roli i tij është bërë i papërfillshëm.

“Sipas ligjit, një nga përgjegjësitë e Prefektit është raportimi se çfarë bëjnë institucionet e qeverisë qendrore, të vendosura në çdo bashki. Psh., çfarë bën zyra lokale e Tatimeve? Fjala vjen në Tiranë. A ka shqetësime nga qytetarët për korrupsion? Për trajtim të padrejtë? Për gjobëvënie? Ka ngritur ndonjëherë prefekti të tilla shqetësime? Apo akoma më keq, a e ka ushtruar ndonjëherë këtë kompetencë? Po në Hipotekë? A ka korrupsion aty? Jam kurioze psh., çfarë ka raportuar Prefekti i Vlorës për gjendjen skandaloze në Hipotekën e Vlorës, ku kanë dhënë dorëheqjen deri tani 12 drejtorë për vetëm një arsye: grabitje pronash në Vlorë, Himarë, Sarandë e deri në Butrint.

Pra, në plazhet dhe zonat më ekskluzive të vendit. Po aqkurioze jam të di si e ka përmbushur rolin e vet ligjor Prefekti i Shkodrës. Ka raportuar ai në qeveri se çfarë bën policia, fjala vjen në Shkodër? A ka lidhje me krimin dhe me bandat? E ka raportuar mbjelljen e kanabisit? A kanë shqetësim qytetarët që qeveria ka larguar çdo institucion kryesor nga Shkodra drejt bashkive të tjera të qarkut? Jam e sigurt se përgjigjet e këtyre pyetjeve duhet të jenë negative. Sepse Prefekti është kthyer në një institucion pensionistësh, që nuk bëjnë asgjë në shërbim të komunitetit. Marrin një emërim nga qeveria, bëhen pjesë e klanit që i emëroi dhe këtu nis e përfundon detyrimi i tyre shtetëror, politik, qeverisës”, – u shpreh deputetja e PD.

Gjithashtu, Çupi theksoi se përmes ndryshimeve ligjore tek institucioni i Prefektit, qeveria synon të krijojë vende të reja pune për patronazhistët. Deputetja demokrate shkon edhe më tej kur propozon shkrirjen e Prefektit me argumentin se institucioni ka dështuar.

“Ligji vërtet nuk i jep prefektit kompetencat e nevojshme në mënyrë të plotë për të ushtruar mandatin si përfaqësues i qeverisë. Por kam një sugjerim! Mos e arnoni ligjin me kotësira të pazbatueshme, qesharake dhe antikushtetuese. Ndoshta ka ardhur koha ta heqim prefektin si institucion. Është një dështim po aq i madh sa edhe kjo qeveri!”, – tha deputetja e PD-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat