A hezitoi gjykata për urdhër arresti ndaj Dakos dhe standardet e dyfishta?!

Shqipëria

A hezitoi gjykata për urdhër arresti ndaj Dakos dhe standardet e dyfishta?!

Më: 14 qershor 2023 Në ora: 22:33
Vangjush Dako

Vepra penale për të cilën akuzohet Vangjush Dako, shpërdorim detyre në dy episode ai rrezikon deri në 7 vite burg maksimumi.

Por, duke analizuar të gjitha rrethanat, juristët gjykojnë se dënimi real mund të jetë minimal. Në këtë këndvështrim, ka nga ata që e konsideorjnë të sforcuar masën drastike të sigurisë, arrestin me burg.

“Që një njeri të arrestohet me burg duhet me patjetër që ky njeri të jetë i rrezikshëm për shoqërinë. Psh; është një vrasës, është një terrorist, është një i sëmurë psikik që nuk dihet çfarë bën, një person që përhap sëmundje ngjitëse që duhet izoluar, që e dëmton mjedisin. Dëmton shoqërinë, është i rrezikshëm për shoqërinë”, u shpreh Ylli Manjani.

“Gjykata në këndvështrimin tim ka dal përtej parashikimeve të kodit procedurës sa i takon masave të sigurisë, kjo e bën të cenueshëm historinë e faktin si është montuar kjo çështje, pra a ka prapavijë politike dhe ne e kemi parë dhe herë të tjera që kur ka interes politika është bërë show me politikanë dhe kur është bërë procesi janë liruar“, shprehet Redi.

“Që të gjykojmë ligjshmërinë e vendimit të arrestit, qartësisht duket një masë e ekzagjeruar. Realisht është një masë e ekzagjeruar. Shqiptarët për fat të keq i marrin deklaratat publike sikur je në mbrojtje të dikujt apo në sulm të dikujt tjetër. Unë nuk kam asnjë interes të mbroj askënd. Dua thjesht të emetoj kulturën juridike”, tha ish ministri Manjani.

Në fakt në të gjitha ligjet e shkruara në Shqipëri, por edhe në hapësirën demokratike, arresti me burg është masa e fundit. Statistikisht, ky parim është përmbysur nga SPAK në kërkesat e saj që tregohet drastike por edhe nga gjykata qw i miraton pa hezitim.

“Por që ta bëjë gjykata këtë duhet që më përpara ti ketë vënë një masë tjetër, një masë më të lehtë. Nuk i është paraqitur oficerit të policisë gjyqësore apo prokurorit kur e ka thirrur. Me gjithë ndalimin e vendosur pezullim nga detyra nuk ka funksionuar sepse ai sërish paraqitet në detyrë. Kur nuk funksionojnë këto gjëra, gjykata thotë; me ty kemi kryer punë, nuk mund të të lëmë të lirë, dhe prandaj edhe arrestohesh”, u shpreh Ylli Manjani.

Prokurori që ka kërkuar masën e ashpër të sigurisë ndaj Dakos, ka në dorë të tjera çështje të rëndësishme me politikanë por nuk është parë e njëjta devotshmëri për të nxituar me arrestet apo hapat hetimorë. Ka të dhëna se SPAK ka marrë nga Shtetet e Bashkuara përgjigjen e letërporosisë për hetimin e lobimit 700 mijë euro ndaj krerëve të Partisë së Lirisë, dikur Lëvizja Socialiste për Integrim. Pavarësisht provave të reja, ende nuk raportohen hapa para për konkludimin e asaj dosjeje.

Sipas të gjitha informacioneve, për rastin Dako, gjykata ka shfaqur hezitim në momentet kur i është paraqitur kërkesa e prokurorisë për masat e sigurisë. Burimet bëjnë me dije se fillimisht, ishte kërkuar arresti me burg vetëm për akuzën që lidhej me lejen e ndërtimit. Por, pas hezitimit të gjykatës, prokuroria ka bashkuar dhe episodin e dytë, atë të projektit të promenadës. Informacionet rrodhën në media dhe prej 4 ditësh në qarqet mediatike dhe politike flitej për arrestimin e Vangjush Dakos. Madje, prokuroria njoftoi në datën 7 Qershor nisjen e një hetimi të dytë, që lidhej me publikimin e të dhënave sekrete hetimore.

“Padiskutim kanë dalë shumë njerëz që kanë thënë që e dinim që Dako do arrestohej që nuk është normale në asnjë vend botë të dalë informacion sekret, nëse u mor masë sigurie smund ta marrin vesh të tjerë për veç prokurorisë e gjykatës që kanë ekskluzivitetin”, u shpreh Redi Ramaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat