Mungesa e kushteve të sigurimit në punë nga ndërtuesit në Shkodër, këshilltarja bashkiake Shkreli ngre alarmin

Shkodra

Mungesa e kushteve të sigurimit në punë nga ndërtuesit në Shkodër, këshilltarja bashkiake Shkreli ngre alarmin

Më: 30 maj 2024 Në ora: 12:52
Shkodër

Që prej muajit janar, janë regjistruar të paktën 20 aksidente të rënda në vendin e punës, kryesisht në sektorin e ndërtimit, ku vetëm brenda majit, 4 prej tyre kanë përfunduar në fatalitet për jetën.

Kushtet e sigurimit, por dhe 'kyçja e gojës' që u kërkohet punëtorëve të thjeshtë nga firmat ku punojnë, kanë sjellë pasojat tragjike, si edhe humbje jete.

Këshilltarja demokrate e Bashkisë Shkodër, Eliona Kodra Shkreli ka ngritur shqetësimin mbi kushtet e punëtorëve të ndërtimit, ku ka publikuar edhe pamje nga pallate në ndërtim në qytetin verior, ku duken qartë se si punonjësit për të kaluar një kat më lart në skelë, kapërcejnë të pambrojtur totalisht duke rrezikuar edhe jetën.

Ajo shton më tej se Inspektoriati i Punës nuk ka marrë asnjë masë sa i përket mbrojtjes së jetës punonjësve të kontraktuar nga firmat e licencuara dhe të miratuara nga shteti.

Reagimi i plotë nga Këshilltarja demokrate:

"Propaganda e Rilindjes për të arritur synimet e saj nuk kursen asgjë, madje as rrezikshmërinë e jetës së njerëzve...

Se sa e rëndësishme është jeta e një punëtori për këte qeverisje tregojnë pamjet dhe fotot se në çfarë kushtesh punohet në fasadat e pallateve-fasadë në lagjen Parrucë të Shkodrës.

Në video shihet qartë se si punonjësi për të kaluar një kat më sipër në skele, kapërcen i pa mbrojtur totalisht duke rrezikuar edhe jetën. Ndërsa pjesa tjetër e punëtorëve janë gjithashtu në kushte pune pa asnjë masë sigurie (rrjetat dhe helmetat mbrojtëse).

E gjitha kjo ndodh përballë Bashkisë Shkodër e cila mburret se tashmë po e "iluminon" Shkodrën me investime të cilat janë thjesht fasadë propaganduese.

Ndërkohë, Inspektoriati i Punës edhe pse ndodhet vetëm pak metra më tutje, duket i pa trazuar në lidhje me kushtet e rrezikshmërisë për jetën e punonjësve të kontraktuar nga firmat e liçensuara dhe të miratuara nga shteti.

Rregullat teknike në ndërtim dihen sikurse edhe masat që duhet të merren për mbrojtjen e jetës së punëtorëve. Por Rilindja, e cila per herë të parë pas 30 vitesh mendon se ka sjellë në Shkodër edhe diellin, hënën, edhe semaforin, nuk brengoset fare per jetët e njerëzve që i kontrakton për të kryer punimet propagandë.

Edhe pas ngjarjes së Dukagjinit disa muaj më parë ku eskavatoristi humbi jetën për shkak të mungesës së masave për sigurinë në punë, Bashkia Shkodër, Fondi Shqiptar I Zhvillimit dhe Inspektoriati I Punës duket e harruan 'dhimbjen' që paraqitën në ato ditë duke përsëritur gabimet dhe fajet që mund të rezultojnë fatale për jetën e njerëzve.

Ky është sistemi I ngritur nga kjo qeveri dhe kjo bashki...Një propagandë e shëmtuar që nuk merr parasysh as rrezikshmërinë e jetëve njerëzore, mjafton të përmbushë sa më mirë fasadën që paraqet në rrjetet sociale!", përfundon reagimin e saj Eliona Kodra Shkreli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat