​Festivali i baballarëve me shumë aktivitet, bileta falas për Shqipëri e Mal të Zi

Prishtina

​Festivali i baballarëve me shumë aktivitet, bileta falas për Shqipëri e Mal të Zi

Më: 23 qershor 2024 Në ora: 16:13
Foto ilustrim

Për të pestin vit radhazi po mbahet Festivali i baballarëve në kuadër të Ditës ndërkombëtare të baballarëve.

Ky festival i cili tashmë është bërë tradicional ka për qëllim inkuadrimin e baballarëve në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve. Po ashtu, synim tjetër është lobimi që atyre t’u takojë pushimi prindëror pasi të bëhen me fëmijë.

Në kuadër të këtij festivali sot në Parkun e Tokbashqes në Prishtinë u organizuan disa aktivitete, duke përfshirë ngjyrosjen e fytyrave, leximi i tregimeve, gara të ndryshme, krijimi i gjërave të ndryshme, gatimi i ushqimeve e të tjera.

Organizatori i festivalit, Rron Rama tha se interesimi i prindërve për të marrë pjesë në këto aktivitete po rritet nga viti në vit.

Rama: Po mundohemi ta mbajmë festivalin si tradicional

"Sot në të dielën e katërt të qershorit po shënohet Dita ndërkombëtare e baballarëve me festivalin e baballarëve edicioni i pesë. Ky është viti i pestë, është viti i katërt në fakt që po mbahet në Prishtinë, sepse një vit është mbajtur në Prizren. Kemi vazhduar me aktivitetet tona tradicionale tash e tri vite pa ndërprerë... Ta krahasosh festivalin e baballarëve, edicionin e pestë me edicionin e parë, është si dita me natë. Për shkak se edicioni i parë, është mbajtur menjëherë pas kohës së karantinës në vitin 2020, ku kanë qenë vetëm 10 familje të përzgjedhura, të cilat kanë marrë pjesë në festivalin e baballarëve...Po mundohemi si organizatë ta mbajmë festivalin si tradicional", tha Rama.

Ai tregoi disa nga aktivitetet në të cilat prindërit marrin pjesë në kuadër të këtij festivali. “Nana vs Baba” është njëri nga aktivitetet ku të dy prindërit do të garojnë se cili prej tyre ka më shumë njohuri rreth fëmijës së tyre.

Ndërkaq, si aktiviteti kryesor që do të pasojë edhe me shpërblim duke fituar tri bileta falas në Shqipëri apo në Mal të Zi, është ‘Gara e Baballarëve”, ku do të sfidohen me palosjen e rrobave, ndërrimin e pelenave të bebeve.

Rama: Babai që zë vendin e parë merr tri bileta falas për Shqipëri apo Mal të Zi

“Katër aktivitetet kryesore që do të mbahen prej orës 15:00 është ngjyrosja e fytyrave, ku prindërit do të kenë mundësinë t'i ngjyrosin fytyrat e fëmijëve të tyre... Leximi i tregimeve ku në atë aktivitet do të ftohen kryesisht baballarët për të diskutuar dhe tu lexuar fëmijëve me libra dhe të diskutojnë rëndësinë se sa është e rëndësishme për fëmijët që prindërit e tyre të lexojnë libra për zhvillimin e imagjinatës së tyre. Tjetër aktivitet është 'Nana vs Baba', ku nëna dhe babai do të garojnë se sa dinë informacione për fëmijën e tyre dhe kush po përgjigjet më shpejt. Përpos, kësaj është edhe 'Arte dhe Zanate' ku prindërit bashkë me fëmijët do të kenë mundësinë të krijojnë diçka që ta kenë kujtim prej festivalit. 'Kuzhina' dhe 'Gara e Baballarëve' dy aktivitete që janë pasdite. 'Gara e Baballarëve', baballarët regjistrohen për të garuar për t’i kaluar disa detyra, disa prej tyre janë për të palosur rroba, t'i vendosin disa rroba për t’u tharë, ta ndërrojnë (pelenën) e një bebe që është kukull dhe t'i kalojnë disa sfida me karrocë. Babai që e zë vendin e parë ai do të shpërblehet me tri bileta për në pushime verore në Shqipëri dhe Mal të Zi", tregoi Rama.

Përveç tjerash, organizatori i festivalit Rron Rama potencoi se në këtë organizim është edhe një ekspozitë me 12 fotografi me mesazhe prej baballarëve.

Rama: Qëllimi ynë është t’i inkuadrojmë baballarët në rritjen e fëmijës

"Vit pas viti i shohim rezultatet tona te hareja e baballarëve, të cilët marrin pjesë edhe te ndryshimi i mendësisë në popullatë. Ne me këtë festival mundohemi që të promovojmë sa më shumë baballarët të inkuadrohen në rritjen dhe në zhvillimin e fëmijës, sidomos pushimi prindëror, i cili iu takon baballarëve kur të bëhen prindër dhe të mund të marrin pushim që me qenë në ditët e paratë fëmijës së tyre të jenë afër familjes... Njëkohësisht mund të shihni edhe ekspozitën baballarëve ku janë të vendosura 12 fotografi. Anash janë edhe mesazhet prej baballarëve dhe rëndësia e inkuadrimit të baballarëve në zhvillimin e fëmijës", tha Rama.

Ky festival për herë të parë në Kosovë u mbajt në Prizren, ndërsa për katër vjet të tjera në Prishtinë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat