​Pishina e Gërmisë hapet për vizitorë vikendin e ardhshëm, këto janë çmimet

Prishtina

​Pishina e Gërmisë hapet për vizitorë vikendin e ardhshëm, këto janë çmimet

Më: 22 qershor 2024 Në ora: 16:10
Foto ilustrim

Ndonëse temperaturat e larta kanë përfshirë vendin tonë tash e disa ditë, pishina “Gërmia” në Prishtinë ende nuk është hapur për vizitorët. Kjo, për shkak se operatori ekonomik është tërhequr dhe se procedurat ligjore për të përzgjedhur dikë tjetër, kanë bërë që të shtyhet data e hapjes.

Ushtruesja e detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Sport Marketing”, Artina Canolli në një intervistë për KosovaPress thotë se hapja e pishinës planifikohet të bëhet gjatë vikendit të ardhshëm, më 28 qershor.

Ajo potencon se tërheqja e operatorit ekonomik në moment të fundit, për të cilin thotë se ka pasur presion politik e publik, ka shkaktuar shtyrjen e hapjes së pishinës.

Canolli: Operatori ekonomik thotë se ka pasur presione politike

"Ne e kemi pasur si plan hapjen pak më herët për arsye se edhe temperaturat kanë qenë mjaft të mira. Mirëpo, për shkak të tërheqjes së operatorit ekonomik herën e kaluar është dashur ta shtyjmë, sepse ka pasur edhe procedura dhe afate ligjore. Andaj, po shpresojmë që do të bëhemi gati javën e ardhshme diku kah fundi i javës, në vikend po shpresojmë që do ta bëjmë edhe hapjen...Operatori ekonomik e ka dërguar një e-mail ka thënë se ka pasur shumë presione si në politikë ashtu edhe publike dhe për këtë arsye është tërhequr. Më ka thënë që 'nuk do të aplikoj përsëri' dhe ashtu ka ndodhur. Është dikush tjetër që tanimë veç i ka plotësuar kushtet dhe e ka fituar bashkë-menaxhimin për të cilin kemi bërë thirrjen", thotë Canolli.

Përveç këtyre, Canolli tregon se nuk do të ketë rritje të çmimeve krahasuar me vitin e kaluar.

Në sezonin e kaluar, gjatë pesë ditëve të javës, çmimet për biletën hyrëse varionin nga dy euro për fëmijë dhe katër euro për të rritur. Ndërsa, në vikend, çmimi i hyrjes për të rritur ishte pesë euro, kurse për fëmijë çmimi mbetej i njëjtë. Ndërkohë që, çmimi i biletës mujore ishte 50 euro.

Canolli: Çmimet nuk ndryshojnë

"Çmimet nuk do të ndryshojnë nga viti i kaluar, do të jenë të njëjta si në sezonin 2023 po ashtu do të jenë edhe për sezonin 2024...Ne mundohemi të jemi shumë vigjilent sidomos te pjesa e ujit. Aty mund të ketë rreziqe të ndryshme, ne i angazhojmë 8-10 shpëtimtarë, të cilët janë për atë pjesë shumë të vëmendshëm. Kjo është rrezikshmëri më e madhe, gjithashtu e kemi edhe autoambulancën që është në shërbim të qytetarëve kur freskohen. Këto janë dy pjesët më të ndejshme ku mundohemi që të kemi më së shumti kujdes", tregon Canolli.

Canolli potencon se këtë vit do t’i japin më shumë rëndësi shërbimit, cilësisë dhe higjienës.

Canolli: Këtë vit po i japim më shumë rëndësi shërbimit, cilësisë dhe higjienës

"Vitin e kaluar kemi bërë disa ndryshime, të cilat kanë qenë shumë të bukura dhe të pranueshme nga qytetarët. Këtë vit po i japim më shumë rëndësi shërbimit, cilësisë dhe higjienës. Këto janë disa, nuk mund të themi shumë risi, mirëpo e dimë që në pishinën e Gërmisë kushtet nuk kanë qenë shumë të mira dhe po mundohemi t’u ofrojmë më shumë komoditet qytetarëve", potencon Canolli.

Pishina e Gërmisë e njohur edhe si Liqeni i Gërmisë është një pishinë e tipit të hapur me ujë të freskët (të ëmbël) në pjesën periferike të kryeqytetit të Kosovës, në një distancë prej afër 5 km nga qendra e Prishtinës. Ajo është ndërtuar në vitin 1987 dhe ndodhet në kuadër të Parkut të Gërmisë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat