​Krasniqi: 2030 do ta gjejë Prishtinën me model zviceran të infrastrukturës sportive

Prishtina

​Krasniqi: 2030 do ta gjejë Prishtinën me model zviceran të infrastrukturës sportive

Më: 2 qershor 2024 Në ora: 14:25
Bardh Krasniqi

Drejtori komunal për Sport në Prishtinë Bardh Krasniqi shprehet i bindur se do të jenë të gatshëm në aspektin infrastrukturor për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030.

Krasniqi në një intervistë për KosovaPress thotë se tashmë po punohet me përkushtim të madh edhe në mirëmbajtjen dhe renovimin e terreneve sportive ekzistuese në kryeqytet.

Krasniqi: Po krijojmë terrene sportive në të gjitha lagjet e Prishtinës

Tani më jemi në fazën finale të përgatitjes për prokurim për mirëmbajtjen dhe renovimin e të gjitha terreneve dhe intervenimeve në të cilat ka nevojë, po flas për terrenet më shumë rekreative por që janë shumë të rëndësishme për komunitet. Siç e dimë, janë ndërtuar terrene të reja multifunksionale, kryesisht të shumë sporteve, futbolli, basketbolli, volejbolli, ato terrene janë duke u punuar dhe tani e kemi edhe një përurim tjetër në lagjen Mati ku është bërë një terren i ri i sporteve multifunksionale edhe ajo do të jetë një e mirë për komunitetin aty sepse lagjet po rriten çdo ditë dhe nevoja për rekreacion e sport po shtohet”, tha Krasniqi.

Ai shton se viti 2030 do ta gjejë Prishtinën të transformuar pasi niveli qendror ka ndarë një buxhet të lartë për krijimin e infrastrukturës së nevojshme sportive për Lojërat Mesdhetare.

Krasniqi: Viti 2030 do ta gjejë Prishtinën me super infrastrukturë sportive

“Unë mendoj që viti 2030 do ta gjejë Prishtinën mos të them të transformuar, mirëpo detyrimisht do të transformohemi. Është ndarë një buxhet i madh, po flasim në nivel nacional, sepse këtu kemi të bëjmë me të gjitha nivelet e udhëheqjes së shtetit. Detyrimisht do të zhvillohet infrastrukturë në të gjithë kryeqytetin edhe në disa komuna të tjera kështu që gjithsesi që 2030-ta do të jetë me një super infrastrukturë, super përgatitje, sepse kriteret janë mjaft të larta për organizim të Lojërave Mesdhetare”, tha Krasniqi.

Sipas Krasniqit, në Bërnicë të Poshtme do të ndërtohet një fshat olimpik ku përfshihet edhe qendra multifunksionale sportive.

Krasniqi: Në Bërnicë do të ndërtohet qendra multifunksionale e sportit

“Do të jetë një fshat olimpik. Fshati olimpik përfshinë të gjitha facilitetet të cilat janë të domosdoshme për t’i plotësuar kriteret për t’i organizuar, gjë të cilën ne e kemi të detyrueshme ta zhvillojmë. Projekti i master-planit është përfunduar prej kryeqytetit, është pjesa e Bërnicës së Poshtme, është një hapësirë mjaft e madhe ku do të përfshihen të gjitha facilitetet, e kemi sallën të cilën tashmë e kemi të buxhetuar dhe po shpresoj që do të fillojmë me procedurat e prokurimit. Është një sallë, e cila i plotëson të gjitha standardet evropiane, po ashtu e kemi stadiumin, fshatin olimpik rezidencial, pjesën komerciale, qendrën e sporteve ujore, qendrën e xhudos. Pra, është një super projekt që vërtet i mungon Prishtinës”, bëri të ditur Krasniqi.

Dy javë më parë, Krasniqi me ekipin e tij ishin në Zvicër, ku është marrë si mostër mënyra e punës dhe specifikat e terreneve sportive që do të aplikohen në infrastrukturën e re sportive në kryeqytet.

Krasniqi: Modeli zviceran do të aplikohet në infrastrukturën e re sportive

Zvicra e ka një infrastrukturë mos të them perfektë, por edhe shumë të zhvilluar për atë arsye edhe kemi shkuar me një vizitë studimore atje. Faktikisht, kemi vizituar shumë terrene të mbyllura, të hapura, të madhësive të ndryshme për sporte të ndryshme, por specifikisht kemi shkuar për të parë nga afër edhe specifikat teknike, të cilat vërtet duhet t’i plotësojnë kriteret dhe standardet që sportistët olimpikë apo edhe Komiteti Olimpik i kërkon për organizimin e lojërave. Kjo vizitë na e ka hapur diapazonin dhe qasjen profesionale...Tani e kemi një pasqyre të qartë se çfarë duhet të kemi parasysh për pjesën e organizimit”, tha Krasniqi.

Megjithëse nevojiten investime të mëdha e punë voluminoze, Krasniqi shprehet i bindur se gjithçka do të jetë gati për pritjen e Lojërave Mesdhetare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat