​Banorët e Kalabrisë do të protestojnë sërish kundër planit urbanistik

Prishtina

​Banorët e Kalabrisë do të protestojnë sërish kundër planit urbanistik

Më: 1 qershor 2024 Në ora: 17:38
Foto ilustrim

Rreth 50 banorë të Lagjes “Kalabria” pritet të mblidhen të hënën rreth orës 9:30 para Komunës së Prishtinës, për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me planin urbanistik.

Këta banorë po kërkojnë nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama që të miratohet plani sipas kërkesave të banorëve dhe jo siç është propozuar herën e fundit.

Një ndër kërkesat e banorëve të Kalabrisë është që disa nga pjesët e kolektorit afër një hoteli që ndodhet në këtë lagje, të jenë me koeficient 2.4, duke kundërshtuar propozimin e komunës që koeficienti të jetë 1.5.

Kështu bëri të ditur për KP, kryetari i bashkësisë lokale në Kalabri, Milot Krasniqi. Ai tha përmes telefonit se parashihet që ky organizim i banorëve të bëhet përpara fillimit të seancës së kuvendit komunal të kryeqytetit.

Krasniqi: Do të mblidhemi para komunës t’i shpalosim kërkesat për planin urbanistik

"Ne e kemi një tubim që do ta mbajmë para komunës. Kemi kërkuar që plani duhet të miratohet plani sipas kërkesave të banorëve dhe të kalojë plani...Parashihet (të mbahet) para seancës, prej orësh 10:00 është seanca, prej orës 9:30 po mendojmë të mblidhemi...Po besoj që do të jenë mbi 50 banorë...Kërkesa i kemi, ne si banorë po kërkojmë që plani të miratohet sipas kërkesë së banorëve, jo siç është propozuar plani...Është një pjesë që nuk i përmbushë kërkesat, për shembull pjesët e kolektorit afër Gardenit, është lënë me koeficient 1.5, aty kemi kërkuar që të jenë 2.4. Është pastaj edhe një pjesë tjetër që e kanë bërë me banim individual, edhe ajo pjesë po kërkon që të jetë 2.4", ka thënë Krasniqi.

Planin e ri të propozuar nga kjo komunë për Kalabrinë, e ka kundërshtuar edhe Partia Demokratike e Kosovës. Sipas tyre, është konstatuar se ky plan nga Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për lagjen “Kalabria” synim ka tjetërsimin e pronës publike dhe ndërtimet e larta, përmes të cilit po provohet të kontrabandohet prona publike në kurriz të banorëve të kësaj lagjeje.

Plani i mëhershëm për këtë lagje është anuluar me kërkesë të Ramës, me arsyetimin se plani në fuqi nuk i adreson nevojat dhe kërkesat e lagjes, dhe se plani i ri do të sjellë një plan ende më të mirë.

Pas kësaj, Komuna e Prishtinës ka dalë me një reagim ku thotë se veprime të tilla ka pasur edhe në të kaluarën kur PDK-ja “ka tentuar përmes sabotimit të shumë proceseve të ndalin punën.” Sipas komunës, Plani Rregullues për Lagjen Kalabria ka kaluar nëpër të gjitha procedurat e parapara ligjore për dokumentet e tilla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat