Me ndërrimin e qeverisë në Maqedoni, kanë nisur edhe padrejtësitë për shqiptarët atje, sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmetit.
Ai ka marrë një veprim sa i përket kësaj, duke u dërguar letër liderëve të rajonit dhe zyrtarëve evropianë e amerikanë, kështu duke shprehur shqetësimin e thellë për zhvillimet e fundit politike dhe kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, të cilat rrezikojnë arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe parimet e barazisë e stabilitetin në vend.
Në letrën e tij përmenden tri vendimet e fundit - plani për shfuqizimin e Ligjit të Gjuhëve, ndalesa për identifikim të përkatësisë etnike në institucionet shtetërore dhe formimi i shumicës qeveritare- paraqesin kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin e vendit dhe rajonit në tërësi.
“Këto tri goditje të mëdha ndaj themeleve të Marrëveshjes së Ohrit përbëjnë kërcënim serioz për paqen, stabilitetin, harmoninë ndëretnike dhe demokracinë multietnike në Maqedoninë e Veriut. Këto nuk janë thjesht çështje të brendshme politike, por kanë pasoja të rënda për rajonin dhe për stabilitetin e tij. Këto ndërhyrje kërcënojnë të zhdukin elementet kyçe të paqes dhe të barazisë, duke na kthyer në kushtet e para vitit 2001, që ishin shkaktarët e krizës dhe luftës së atij viti. Ju bëj thirrje për veprim të përbashkët dhe të vendosur për të mbrojtur arritjet e Marrëveshjes së Ohrit dhe të drejtat e garantuara të shqiptarëve”, shkruan Ahmeti.
Shabani: Mendoj se është e kot
Duke komentuar letrën e Ahmetit, njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani, thotë se BDI ishte 20 vjet në qeverisje, pothuajse sistem monark.
“BDI-ja gjatë qeverisjes së saj me të dy partitë maqedonase në vend (LSDM dhe VMRO) qëndroi në pushtet për më shumë se 20 vite, veprim i cili aspak nuk konsiderohet demokratik, por sikur të ishte në sistem monark.
Tani pas një periudhe të gjatë kohore që ishte në pushtet dhe sovrani vendosi që të sillet një ndryshim dhe t'i dërgojnë ata në opozitë, disi sikur akoma nuk po adaptohen me gjendjen aktuale që kanë, andaj edhe kanë filluar të shkruajnë letra "shqetësuese" për popullin dhe kanosjen e stabilitetit të vendit.
Gjatë qeverisjes së tyre kanë ndodhur rrahje të shqiptarëve, burgosje dhe nënçmime të shumta, por atyre nuk u është bërë vonë dhe kanë qëndruar në qeveri me partnerët e tyre maqedonas”, thotë ai.
Sipas tij, e gjitha kjo nga BDI, është e kot.
“Tani, kur janë jashtë qeverisë dhe kur qeveria aktuale po angazhohet në realizimin e projekteve që ata si BDI i kishin premtuar dhe nuk i kishin realizuar, po ua mbulojnë turpin, janë gdhirë nga gjumi dhe shpërndajnë letra pikëlluese për popullin. Mendoj se është e kotë dhe nuk duhet harxhuar koha me gjëra të tilla, por t'i jepet mundësia dhe hapësira qeverisë aktuale që të realizojnë premtimet dhe projektet kapitale për qytetarët”, thekson ai.
Mehazi: Pse nuk bëhen të sinqertë të BDI-së e të thonë, të na falni, duke u pasuruar harruam qytetarët shqiptarë
Edhe profesori Sulejman Mehazi, hedh poshtë këtë veprim të Ali Ahmetit, duke thënë se sa ishin në pushtet ishin të urtë dhe të heshtur ndaj padrejtësisë së shqiptarëve.
“Sa ishte në pushtet BDI-ja e Ali Ahmetit aq ishin të urtë e të heshtur ndaj padrejtësive të shqiptarëve në RMV saqë mendonin se çdo kërkesë politike të shqiptarëve i kishin realizuar, aq të verbuar ishin atje lart në pushtet saqë duke u pasuruar vetë mendonin se kishin realizuar edhe kërkesat gjuhësore, politike e juridike të qytetarëve shqiptarë në këtë republikë. Tani në opozitë BDI-ja e sheh veten sesa ka "punuar" për qytetarët shqiptarë në RMV, me letrat dërguar ndërkombëtarëve BDI-ja vetvetiu ka humbur besimin dhe etikën politike 22 vjeçare në pushtet të cilët duke vrapuar pas pasurisë harruan të mbrojnë shqiptarët duke anuluar Marrëveshjen Ohrit, kështu që shqiptarët si në aspektin gjuhësor e kombëtar, po ashtu edhe në aspekte juridike, ekonomike, sociale e arsimore mbetën prapa maqedonasve.
Nëse Ali Ahmeti e BDI-në 22 vjet radhazi në pushtet mendojnë se shqiptarëve të RMV-se ju kanë dhënë stabilitet dhe harmoni ndëretnike me maqedonasit gabojnë rëndë, ja disa argumente poshtëruese: nëse për Ali Ahmetin e BDI-në në pushtet ka qenë stabilitet e harmoni ndëretnike, rasti i Sopotit, i Monstrës, vrasja e komandantit të shquar Harun Aliut me shokë, vrasja e komandant Strugës-Nuri Mazarit, gabim e kanë.
Nëse stabilitet e harmoni ndëretnike paskësha qenë për BDI-në: rasti i Alfave, konflikti i armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë, vrasja e komandat Shqiponjës, nëse "stabilitet e harmoni ndëretnike" për BDI-në është sulmi terrorist i 27 prillit kur Ministër i Brendshëm ishte i BDI-së, që askush prej sulmuesve nuk u burgos përkundrazi sulmuesit e kësaj ngjarje u amnistuan”, thotë ai.
Tutje, ai thotë se pyesim BDI-në, pse gjersa ishte në qeveri për hir të stabilitetit dhe harmonisë etnike nuk rregulluan statutin e ish luftëtarëve të UÇK-së.
“Pyesim BDI-në, pse gjersa ishte në qeveri për hir të stabilitetit dhe harmonisë etnike nuk rregulluan statutin e ish luftëtarëve të UÇK-së?, por ia mbushën xhepin Johan Tarçullovskit kundërshtarit më të madh të UÇK-së së shqiptarëve. Pyesim Ali Ahmetin që gjatë qeverisjes 22 vjeçare a ka qenë stabile dhe e harmonishme etnikisht RMV-ja me Enciklopedinë maqedonase ku ofendohen rëndë shqiptarët?, mos të bisedojmë për harmoninë e teksteve shkollore me përmbajtje anti-shqiptare. Nëse për BDI-në në pushtet ka qenë "stabilitet e harmoni" Car Dushani, kisha në Kala të Shkupit dhe kurdisja e regjistrimit të shqiptarëve me rezidente, e jo rezidente, lotaria dhe bixhozit për të varfëruar shqiptarët, gabim e kanë.
Mos për shkak "sigurisë e harmonisë" politike dhe ekonomike të BDI-së gjatë 22 vitesh qeverisje ikën mbi 300 mijë shqiptarë në perëndim e Amerikë.
Pse nuk bëhen të sinqertë të BDI-së e të thonë, të na falni, duke u pasuruar harruam qytetarët shqiptarë. Pse nuk thonë, aman ikni ju të Vlenit nga qeveria që të hyjmë ne se vdiqëm pa qeverisje?!”, përfundon ai për “Bota sot”.