“Zbulohet” pse kërkoi dorëzimin e tij/ Ky është rreziku që i kanoset Kurtit dhe Policisë nga Radoiçiqi

Politika

“Zbulohet” pse kërkoi dorëzimin e tij/ Ky është rreziku që i kanoset Kurtit dhe Policisë nga Radoiçiqi

Nga: N.E Më: 29 qershor 2024 Në ora: 10:12
Albin Kurti- Milan Radojçiq

Të enjten e 26 qershorit një takim i mundshëm Kurti- Vuçiq kishte dështuar.

Kjo pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur disa kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte deklaruar të enjten se Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalës, kurse Serbia ishte e gatshme.

“Kosova nuk dëshironte ta mbante takimin trepalësh, Serbia ishte e gatshme ta bënte. Duhen dy vetë për ta luajtur tangon. Për fat të keq asnjë progres nuk mund të arrihej sot.

Kryeministri Kurti ka dorëzuar tre kushte për angazhimin e tyre në procesin e normalizimit.

Citoj, e para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, ka deklaruar Borrell gjatë një konference për media.

Në anën tjetër, të premten më gjerësisht ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti e përsëriti se Marrëveshja Bazike ndodhet në sulm nga Serbia dhe tha se tri kushtet e vëna nga ai ishin të domosdoshme për t’u takuar me të për një dialog në mirëbesim.

“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim. Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për marrëveshjen bazike në Bruksel që u shpall si ligjërisht e obligueshme”, u shpreh Kurti, duke thënë se pas marrëveshjes që garanton që palët s’e sulmojnë njëra-tjetrën ndodhi sulmi terrorist në Banjskë.

“Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Mirëbesimi në dialog dhe zbatim të marrëveshjes është humbur edhe me letrën e Bërnabiqit Ajo letër duhet të tërhiqet”.

“Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj dhe të ketë tërheqje të letrës së Bërnabiq dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq. Në tri takime bilaterale ne paraqitëm këto kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike që është në sulm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm për asnjërën, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”.

Kurti këmbënguli që marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe jo vetëm disa nene të saj.

Publicisti serb Zlatoje Martinov thotë se Milan Radojçiq në vend se të jetë në burg, është me paraushtarak pranë kufirit me Kosovën.

Sipas tij, qëllimi është i qartë: të krijohen trazira dhe një aksion më i gjerë nga policia e Kosovës dhe Kurti ta akuzohet për “sulme ndaj popullit serb duarzbathur”.

“Provokimet e qëllimshme dhe sistematike të Vuçiqit në veri të Kosovës janë të ndërlidhura me këto dhe këto ndryshime në politikën botërore. Edhe më herët kam paraqitur informacionin se Rada Trajkoviq ka komunikuar – dhe sigurisht ishte e informuar mirë – se Milan Radojçiq në vend që të jetë në burg është me paraushtarak pranë kufirit me Kosovën dhe po bën provokime të ndryshme prej andej. Qëllimi është i qartë: duhet të provokohen trazira, pastaj një aksion në shkallë më të gjerë nga policia e Kosovës dhe Kurti të akuzohet për "sulme ndaj popullit serb duarzbathur" (frazë e shpikur nga Millosheviqi në vitin 1990 kundër - në demokraci. zgjedhjet e qeverisë së sapokrijuar të Franjo Tuxhmanit për të krijuar një klimë lufte në Kroaci)”, shprehet Martinov.

Image
Zlatoje Martinov

Duke folur rreth mundësisë për konflikt të armatosur, Martinov, thotë se nuk mund të ketë.

Por, sipas tij, nëse fiton Trump është i mundshëm konflikti, megjithatë Bosnja dhe Hercegovina është më e rrezikuara.

“Siç e theksova, në këtë moment nuk mund të ketë konflikte të armatosura në Kosovë, por nëse Trump (nëse fiton në vjeshtë) tërheq forcat amerikane nga Kosova, një konflikt i armatosur do të ishte edhe i mundshëm edhe i mundshëm.

Sot, megjithatë, Bosnja dhe Hercegovina është më e kërcënuara për shkak të mbështetjes së hapur ruse për Dodik dhe Vuçiqin, pavendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të vepruar më me forcë dhe për të rritur ndjeshëm forcat e Euforit.

Si përmbledhje: situata në të gjithë Ballkanin Perëndimor mbetet e ndezshme, ne kemi ato konflikte të ngrira që mund të "zhngrihen" në rrethana të caktuara politike që përmenda më lart”, shton Martinov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat