“Krimineli Vuçiq, në koketim me Eskobarin, Lajçakun dhe Josep Borellin, po lufton...”, Qarri ‘zbulon’ arsyen pse s’po hapet ura e Ibrit

Politika

“Krimineli Vuçiq, në koketim me Eskobarin, Lajçakun dhe Josep Borellin, po lufton...”, Qarri ‘zbulon’ arsyen pse s’po hapet ura e Ibrit

Nga: N. Sh. Më: 28 qershor 2024 Në ora: 16:26
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Duke pasur parasysh faktin se Serbia në njërën anë, vijon pareshtur të armatoset nga Rusia, Kina, Franca, Irani e vendet tjera dhe krahas armatosjes së vazhdueshme me armët më moderne të të gjitha llojeve e kalibrave, investon aq shumë para dhe veprime diplomatike për të penguar shtetndërtimin dhe dëmtuar sa më rëndë, pavarësinë e Kosovës, duke luftuar për ç’njohje dhe bllokimin e njohjeve të reja, si dhe duke penguar integrimin e minoritetit serb në shoqëri dhe institucionet e Republikës së Kosovës, krejt këto dhe shumë veprime tjera kundër vendit tonë, flasin për rrezikun e madh e permanent të sigurisë së brendshme si dhe për nevojën e garantimit të integritetit territorial edhe nga ndonjë agresion i mundshëm ushtarak, me të cilat kërcënohet publikisht dhe pandërprerë shteti i Kosovës nga Serbia hegjemoniste!

Kështu është shprehur analisti politik Gani Qarri i cili shton se, Kosova jo vetëm që duhet medoemos të armatoset edhe më shumë, veçanërisht pas kërcënimeve pothuajse të vazhdueshme të bëra publikisht nga Serbia, duke vendosur në gatishmëri dhe mbajtur në pozicione sulmi kundër vendit tonë, edhe ushtrinë e saj, përgjatë gjithë kufirit me Kosovën, por edhe të bëjë çmos që ushtrinë tonë të re, ta përgatis sa më mirë dhe pajis sa më shpejtë, me të gjitha llojet e armëve më moderne.

Sipas tij, këtë duhet ta bëjë përderisa dihet mirëfilli, se ushtrisë me numër të kufizuar të trupave të Republikës së Kosovës, përveçse nuk ka armatim të mjaftueshëm, as të armëve konvencionale, asaj i mungojnë tërësisht, sidomos flota e aviacionit, tanket, artileria e rëndë dhe mjetet tjera moderne ushtarake, pa të cilat sot nuk mund të paramendohet, jo sulmi, por as mbrojtja e territorit, nga një armik i përbetuar, si Serbia.

“Në anën tjetër, edhe pas ndalimit të organizatave terroriste serbe dhe dëbimit të kriminelëve serb nga Kosova, vendosjen definitive të sovranitetit në veri dhe përmbushjes me ritmin më të shpejt të mundshëm të kërkesave të BE-së, nga Qeveria e Kosovës, Serbia përveç përpjekjeve sistematike për ta penguar shtetndërtimin nga brenda me luftën e saj hibride, duke penguar rendin e ligjin dhe funksionimin e brendshëm të shtetit të Kosovës, përmes të ashtuquajturës "listë serbe", së fundi krimineli Vuçiq, në koketim të vazhdueshëm me Eskobarin, Lajçakun dhe Josep Borellin, po lufton për ta ruajtur me çdo kusht status-kuon-ë, në veri duke mos lejuar as hapjen e Urës kryesore të Ibrit edhe pas 25 vitesh nga çlirimi i Kosovës, me qëllimin e vetëm, për ta paraqitur këtë pjesë të territorit të shtetit tonë, si territor të kontestuar?!”, thotë ai.

Ai shton se, edhe përpjekjet e pandërprera të Serbisë për ta parandaluar konsolidimin e shtetësisë së Kosovës edhe në rrafshin ndërkombëtar me pengesat të vazhdueshme, kundër anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare, siç ndodhi së fundi me rastin e kandidaturës së vendit tonë për anëtarësim në KiE edhe pas marrëveshjes së dakorduar në Bruksel, të gjitha këto dëshmojnë, se edhe nëse faktori ndërkombëtar pengon luftën praktike ndërmjet të dy vendeve, Kosova do mbetet në gjendje të gjatë lufte, me këtë shtet agresor, njëjtë siç ka ngelur, për gati një shekull Shqipëria me Greqinë!

Se Serbia pa presion ndërkombëtar, nuk e ka në planë pranimin e realitetit dhe njohjen e Republikës së pavarur të Kosovës, e dëshmoi më së miri edhe sulmi terrorist i 24 shtatorit të vitit 2023, në Banjë të Zveçanit, ku u plagosën dy polic dhe u vra togeri i Policisë, tani hero i Kosovës Afrim Bunjaku, madje edhe sot, kur Vuçiq bënë sikur flet "zyrtarisht" për paqen, ai as që e ka mendjen te paqja me Kosovën, por përgatit Serbinë në vijimësi dhe mbanë të gjitha formacionet e mundshme ushtarake të Serbisë, në gatishmëri dhe në pozicione agresioni kundër Kosovës, me qëllimin, që në rastin e parë, që mund ti afrohet, ta gllabërojë me forcë, veriun e Kosovës, diskurs ky, që rrezikon hapur shtetin tonë dhe orientohet direkt, kundër tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës!”, potencon ai.

Qarri thotë se, edhe pas ndalimit të organizatave terroriste në veri dhe shuarjes së strukturave paralele serbe, pas të cilave që nga paslufta, për herë të parë, është zvogëluar në minimum ndikimi politik dhe pothuajse është përjashtuar tërësisht, prania fizike e Serbisë, në vendin tonë.

“Megjithatë përkundër agresionit rus mbi Ukrainën, si dhe dështimit të sulmit terrorist në Banjë të Zveçanit, përveç armatosjes së vazhdueshme, nga të gjitha anët dhe me të gjitha llojet e mundshme të armatimeve, Serbia vazhdon ta kërcënoj publikisht me agresion ushtarak Kosovën, akte të cilave për fat të keq, sikur po u vije hapur në ndihmë edhe Prokuroria Speciale, e cila megjithëse është e thirrur ti luftojë ligjërisht veprimet e Serbisë, as pas 10 muajsh të kaluar, nuk guxon të ngritë, qoftë edhe një akuzë të vetme, kundër terroristëve serb, të cilët kryen agresion të armatosur në Banjë të Zveçanit, akt që ka filluar të kritikohet edhe nga ndërkombëtarët dhe shembull që na shtynë të dyshojmë se kjo Prokurori nuk është e shantazhuar vetëm brenda vendit, por edhe nga element të shërbimit sekret serb”, vlerëson analisti.

Prandaj, Qarri thekson se, përderisa ka dyshime të tilla të rrezikshme, Serbia duhet të luftohet edhe nga brenda, dhe për t’i dhënë fund gjendjes kaotike të krijuar tash e sa kohë, brenda Prokurorisë Speciale, gjendje e cila shkon tërësisht në favor të Serbisë, e që mund ta kërcënojë seriozisht dhe shumë rëndë sigurinë e shtetit tonë të brishtë, duhet të mblidhet urgjentisht Kuvendi i Kosovës dhe në një seancë të jashtëzakonshme, ta shkarkojë komplet të gjithë garniturën e quajtur "Prokurori Speciale", duke nxjerrë edhe rezolutë parlamentare, për vendosjen e tyre para drejtësisë, dhe angazhuar edhe specialistë të FBI-së amerikane, për hetimin e secilit nga ta.

“Kjo sepse brenda saj mund të ketë ndikim edhe shërbimi sekret serb, madje dikush aty ndoshta është aq i kapur sa edhe komandohet direkt nga shërbimi sekret i Serbisë, pasi që, jo-krejt rastësisht, vetëm para pak ditësh, u zbuluan dy spiun shqiptar, të cilët bënin jetë luksi, duke punuar për vite të tëra sistematikisht, krejt lirshëm dhe pa asnjë pengesë, për UDB-n, e Serbisë!”

“Duke ditur se të gjitha këto, kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me kërcënimet më serioze të rrezikshmërisë më të lartë për shtetin tonë, si dhe skenare tjera të papritura të cilat janë të mundshme të ndodhin në çdo kohë nga ana e Serbisë, detyrojnë Kosovën që para një rreziku të tillë kaq serioz dhe kërcënimeve të vazhdueshme kundër vendit tonë, të bëjë përpjekjet maksimale në dy drejtime, fillimisht të ndërmarr spastrimin urgjent të institucioneve nga spiunët dhe bashkëpunëtorët e Serbisë, brenda Kosovës dhe krahas kësaj, ta bëjë edhe armatosjen sa më të mirë të Forcave të Sigurisë, me të gjitha llojet e armatimeve bashkëkohore të standardeve më të avancuara të NATO-s, duke punuar me prioritet dhe të gjitha kapacitetet për integrimin sa më të shpejtë të vendit tonë në NATO, si garancia më e mirë, për tu mbrojtur me sukses të plotë nga përsëritja e çfarëdo inskenimi terrorist dhe forme të mundshme të agresionit ushtarak serb, si dhe për të penguar realizimin e ambicieve të pashuara hegjemoniste të Serbisë, për të mbrojtur pavarësinë e fituar me gjak të vendit, jetuar në liri dhe ruajtur plotësisht e të paprekur, çdo cep të shtetit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që vendi ynë, përfundimisht të mund, tu kthehet prioriteteve të veta zhvillimore”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat