Prapaskena në Bruksel: “Kurti dalloi se takimi me Vuçiq ishte një kurth”

Politika

Prapaskena në Bruksel: “Kurti dalloi se takimi me Vuçiq ishte një kurth”

Nga: P.Rudi Më: 27 qershor 2024 Në ora: 22:41
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Pas shumë muajsh prej 14 shtatorit të vitit 2023 kur ndodhi sulmi terrorist në Kosovë, shkuan në Bruksel dy udhëheqësit e dialogut Kosovë-Serbi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq në tentim për tu takuar. Ata u takuan me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe ndërmjetësuesin, Mirosllav Lajçak, por nuk folën me njëri-tjetrin.

Sipas Borell, Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell.

E sipas profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, Borell dhe Lajçak çdo herë pothuajse fajin po e hedhin tek Kosova për dështim të dialogut.

“Borrell tha se “Kurti vendosi kushte”! Nuk e di nëse e artikuloi ai këtë për ta fajësuar apo thjesht për të dëshmuar për diçka që ndodhi në Bruksel. Unë besoj se Borrell dhe Lajçak e kanë pak për zemër ta hedhin fajin te Kosova për çdo dështim që ata kanë. Ta justifikojnë Serbinë. Disa thonë se kjo ndodh se Vuçiq hiqet para tyre si viktimë, sillet si femër. Ndërsa Kurtin, i cili këmbëngul në të drejtën e vet, e quajnë si radikal, si person me të cilin nuk merren vesh”, shprehet Bytyçi, sipas të cilit, personi me të cilin BE dhe SHBA nuk duan të merren vesh është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Image
Enver Bytyçi

“Edhe në këtë rast kjo është arsyeja e dështimit të dialogut të së mërkurës në Bruksel, dështimi i takimit Kurti-Vuçiq, më saktë. As Borrell, as Lajçak nuk këmbëngulin e nuk I kërkojnë presidentit ser të nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit të vitit të kaluar. Pse nuk e kërkojnë zbatimin e kësaj procedure, që shërben më pas edhe si garanci për zbatimin e marrëveshjes? Ky është e duhet të jetë shqetësimi I çdo lideri në Kosovë. Por Vuçiq luan. Luan, si thoshte Thaçi, k.qas me Brukselin e besa edhe me disa diplomatë amerikanë. Nuk pranon të nënshkruajë. Jo vetëm kaq. Por e ka detyruar ish-kryeministren e tij t’i bëjë letër Këshillit Evropian e t’u thotë se Marrëveshja e Brukselit nuk pranohet nga ana e Beogradit në pikën ku de facto njihet shteti dhe integriteti territorial i Kosovës dhe në pikën ku Serbia detyrohet të lejojë pranimin e Kosovës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ne e pamë se çfarë ndodhi me Kosovën për pranimin e saj në Këshillin e Evropës. Serbia mobilizoi gjithë forcat e veta dhe protestoi për këtë pranim. Ndërkohë Borrell i thërret në Bruksel e u thotë „Hajde ta bëjmë një kalendar se si e kur do ta zbatojmë marrëveshjen“! Është tallje me Kosovën. Dhe tashmë me Kosovën nuk po tallet vetëm Vuçiq. Por edhe Borrell e Lajçak, të cilët bëjnë sikur besojnë se Serbia do ta zbatojë një marrëveshje të panënshkruar”, shton Bytyçi.

Ai thotë se marrëveshja dështoi, sepse Kurti dalloi se takimi me Vuçiq ishte një kurth.

“Kurth në emër të bisedimeve. Çfarë do birësohej? Sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes. Por në këtë sekuencim është paraparë që më së pari të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë e pastaj të shkohet më tej. Dhe sapo të krijohet ky Asociacion, madje sipas kërkesave të Vuçiq, Beogradi të heqë dorë nga zbatimi i pikave që e obligojnë atë. Sepse askush nuk ka firmosur. Askush nuk mban përgjegjësi për mozbatimin e tyre. Ky truk bizarësh u kuptua qartë nga zoti Kurti dhe ai me të drejtë kërkoi garanci”.

“Takimi dhe dialogu në Bruksel kësisoj nuk dështuan për shkak të kushteve të zotit Kurti, por për shkak të refuzimit të zotit Vuçiq për zbatimit të marrëveshjes. Një marrëveshje e panënshkruar dhe madje e paratifikuar në të dy parlamentet është e pazbatueshme. Mirëpo ratifikimi i kësaj marrëveshjeje në parlamentin e Serbisë domosdo kërkon ndryshimin e Kushtetutës për heqjen prej saj të nenit ku thuhet se Kosova na qenka pjesë integrale e sovranitetit të Serbisë. Kjo është arsyeja pse Vuçiq nuk nënshkruan. Kjo është edhe pengesa dhe shkaku i dështimit të takimeve.  Ka jo pak analistë shqiptarë, të cilët fajësojnë Kurtin për këtë dështim. Është punë e tyre. Të tillë analistë ka e do të ketë madje me shumicë në trojet shqiptare. Por për mendimin tim fajtor kryesorë të dështimit janë dy interlokutorët e BE-së, të cilët jo vetëm mbajnë anën e Serbisë, por edhe fajësojnë Kosovën e zotin Kurti për dështimet e tyre. Të paaftë të bindin presidentin e Serbisë për të nënshkruar, ata fajësojnë Kurtin”, shton Bytyçi.

“Të paaftë ose të pa vullnet për t’i shkuar deri në fund hetimit të aktit terrorist të Banjskës, ata veprojnë sikur nuk ka ndodhur asgjë më 24 shtator 2023. Ata duan me çdo kusht ta rehabilitojnë Serbinë jo vetëm për krimet që ajo ka bërë me genocid në Kosovë, por edhe për aktin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë. Prandaj Kurti kërkoi dorëzimin e Radoiçiq dhe bandës së tij kriminale e terroriste te autoritetet e drejtësisë në Kosovë. Por Vuçiq nuk i bën këto. As Borrell e Lajçak nuk ia kërkojnë. Atëherë çfarë ka në dorë për të bërë Kurti? Thjesht të refuzojë takime me një president kriminel që bashkëpunon me terroristë të tipit Radoiçiq”, përfundon profesor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat