“Nëse BE dhe SHBA nuk bëjnë këtë veprim ndaj Serbisë, le ta shpallin dialogun të dështuar”

Politika

“Nëse BE dhe SHBA nuk bëjnë këtë veprim ndaj Serbisë, le ta shpallin dialogun të dështuar”

Nga: H.O. Më: 27 qershor 2024 Në ora: 19:30
Pamje nga takimi

Kryeministri Albin Kurti gjatë takimit të djeshëm në Bruksel, ka paraqitur tri kërkesa ndaj Serbisë dhe përfaqësuesit të saj, Aleksandër Vuҫiq. Kurti ka kërkuar nënshkrimin e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së kryeministres serbe, Anne Brnabiq si dhe, dorëzimin e kryekriminelit Milan Radojҫiq.

Këto kërkesa të Kurtit, për publicistin dhe njohësin e ҫështjeve politike, Gani Qarri janë të arsyeshme dhe i mbetet Serbisë të ketë vullnet t’i pranoj ato.

“Nëse nga faktori ndërkombëtar, vërtetë dëshirohet arritja e një marrëveshje të mirëfilltë, jo nga Serbia sepse ajo ka dëshmuar qëmoti se nuk është e interesuar, për marrëveshje me Kosovën, që të tri kërkesat e Kryeministrit të Kosovës, janë të arsyeshme, të drejta dhe lehtësisht të arritshme, vetëm duhet vullnet real, që ato të realizohen, përndryshe pa nënshkrimin (formalizimin) e marrëveshjes, tërheqjen e letrës së ish kryeministres serbe Ana Bërnabiq, në të cilën thuhej se Serbia nuk e pranon marrëveshjen e Brukselit, nuk do t’i zbatojë nenet e saj, do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, siç veproi me rastin e paraqitjes së kandidaturës së Kosovës, për pranim në KiE, dhe nuk respekton integritetin territorial të Kosovës, atëherë nuk ka as si të vije deri, te përmirësimi i marrëdhënieve dhe as të arrihet marrëveshje ndërmjet të dy vendeve”, vlerëson analisti Qarri.

Image
Analisti Gani Qarri

Ai thotë më tutje, se është Serbia e cila derisa realizon takime në Bruksel, në anën tjetër kidnapon dhe vret policët e Kosovës, përmes terroristëve të saj.

“Është Serbia ajo, që edhe pas më tepër se një dekade bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE, jo vetëm nuk e heq Kosovën nga preambula e Kushtetutës, por derisa zhvillon bisedime në Bruksel gjoja për marrëveshje me Kosovën në anën tjetër, fillimisht kidnapoi 3 policët tanë kufitar e pastaj, dërgoi edhe dhjetëra terroristët serb nga Serbia, me të gjitha llojet e armatimeve, të vrasin policët e Kosovës në detyrë, siç ndodhi me vrasjen e policit hero, Afrim Bunjaku, ndaj vërtetë është shumë problematike të kuptohet se për çfarë marrëveshje me një shtet të tillë, mund të bisedojë Kosova, kur Serbia përveçse nuk i respekton asnjë nga marrëveshjet e arritura,  në dhjetor të vitit të kaluar, vet e para e Qeverisë serbe, ish kryeministrja Brnabiq, iu drejtua edhe me letër zyrtare, vendeve të BE-së, se Serbia nuk do ta zbatojë marrëveshjen e Brukselit as aneksin e Ohrit, do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk e pranon, integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, sa i takon terroristit Radojçiq, sipas të gjitha ligjeve ndërkombëtare, Serbia është e "detyruar", që pas aktit terrorist të kryer nga Radojçiq, brenda territorit të Kosovës në Banjë të Zveçanit, t`ua dorëzojë institucioneve ligjore të Kosovës, këtë kryekriminel bashkë me pjesëtarët e bandës së tij, të cilët kryen agresion në Kosovë, duke vrarë në aktin terrorist me 24 shtator të vitit 2023 policin në detyrë, tani hero i Kosovës toger Afrim Bunjaku.

“Përndryshe nëse BE dhe SHBA, nuk ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme, kundër Serbisë dhe nuk e detyrojnë palën serbe, që ajo, ta dorëzoj terroristin Radojçiq e pjesëtarët tjerë të këtij akti makabër, si dhe të përmbush Serbia, kërkesat e arsyeshme dhe të drejta të Kosovës, atëherë nuk duhet të ftohet më Kosova as Serbia, në bisedime dhe ta shpallin dialogun të dështuar”, thekson Qarri për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat