“E zuri në befasi me vendimin e minutës së fundit”, eksperti gjerman zbulon pse Kurti vendosi tri kërkesat për takimin me Vuçiqin

Politika

“E zuri në befasi me vendimin e minutës së fundit”, eksperti gjerman zbulon pse Kurti vendosi tri kërkesat për takimin me Vuçiqin

Nga: A.Zh Më: 27 qershor 2024 Në ora: 10:05
Konrad Clewing, historian dhe ekspert i Ballkanit

Eksperti i Ballkanit në Institutin Leibniz për Studimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing, ka folur pas dështimit të takimit të djeshëm në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleskandar Vuçiq.

Ai i ka quajtur “konsistente” tri kërkesat e kryeministrit Kurti, për takimin me Vuçiqin.

Kurti për takimin ballë për ballë me Vuçiqin, ka vendosur tri kushte, të cilat ky i fundit nuk i pranoi. Kushtet ishin: 1. Formalizimi i marrëveshjeve bazike duhet të nënshkruhet nga shefat përkatës të qeverive. 2. Tërheqja e letrës së rezervimit e deportuar nga ish-kryeministrja e Serbisë e datës 13 dhjetor. 3. Dorëzimi i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist te organet gjyqësore të Kosovës.

Megjithatë, sipas historianit gjerman, Kosova nuk mund të ketë pritje të arsyeshme për kërkesën e tretë të kreut të Qeverisë së Kosovës, që lidhet me kriminelin Milan Radoiçiq.

“Si shpesh gjatë muajve dhe viteve të fundit, kërkesat politike të qeverisë së Kosovës ndaj Serbisë janë mjaft konsistente. Është me të vërtetë e arsyeshme që Kosova të kërkojë që Serbia ta pranojë dhe të nënshkruajë marrëveshjen bazë. Është gjithashtu e arsyeshme të kërkohet tërheqja e asaj letre që ishte në kundërshtim flagrant me marrëveshjen bazë. Dhe edhe pse nuk mund të ketë pritje të arsyeshme që Radoiçiqin dhe bashkëpunëtoret e tij t'i dorëzohen gjyqësorit të Kosovës, është të paktën e arsyeshme të mos besohet se gjykatat serbe ndonjëherë do ta padisin siç duhet Milan Radoiçiqin, dhe aq më pak do të padisin bashkëpunëtorët e tij”, ka deklaruar Clewing për gazetën “Bota sot”.

Ai ka vlerësuar se “ka mjaft arsye të mira për secilën prej kërkesave aktuale”.

“Të gjitha ato tashmë janë ngritur vazhdimisht, dhe si të tilla nuk janë befasuese”, ka theksuar eksperti i Ballkanit.

Ai megjithatë, hedh dyshimet për shkakun se pse kryeministri Kurti vendosi kushtet aty për aty në Bruksel.

“Duket se vendosja e këtyre kërkesave si parakushte për të fituar gatishmërinë e Albin Kurtit për t'u takuar trepalësh me Aleksandar Vuçiqin, doli fare e paqartë. Është fare e pamundur që Albin Kurti të ketë pritur që ato të plotësohen aty për aty në Bruksel. Me parashtrimin e parakushteve, ai me siguri ka dashur t'i silurojë takimet trepalëshe, edhe pse ato ishin paralajmëruar më herët nga Borrell dhe Lajçak në fakt”, ka nënvizuar Konrad Clewing për “Bota sot”.

Ai ka vlerësuar se Kurti e zuri në befasi Vuçiqin me vendimin e minutës së fundit, mirëpo sipas tij, kjo i bën dëm pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Sigurisht, mund të mos jetë gjëja më e keqe të ushtrosh presion mbi një politikan vështirë të besueshëm si Aleksandar Vuçiq, duke e befasuar atë gjatë negociatave. Por, mendoj se do të kishte qenë e rrezikshme dhe e dëmshme për pozitën ndërkombëtare të Kosovës nëse e njëjta shkallë befasuese do t'i shkaktohej BE-së dhe Josep Borrell-it. Kosova tashmë ka humbur shumë simpatitë në mesin e partnerëve të saj perëndimorë me lëvizje të paparashikuara të minutës së fundit nga Albin Kurti dhe qeveria e tij”, ka thënë më tej eksperti gjerman.

Ai ka folur lidhur me paralajmërimet për një takim të ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë, javën e ardhshme.

“Nga ana tjetër, të paktën reagimet e para publike nga Josep Borrell - dhe vazhdimi i dialogut javën e ardhshme në nivel Bislimi dhe Petkoviq, siç kërkoi Albin Kurti nëse nuk plotësohen tri kushtet e tij - mund të tregojnë për një efektivitetit të taktikave të djeshme”, ka shtuar Clewing për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat