“Gazeta “Bota sot” dhe beteja e saj kundër tradhtive, vrasjeve politike…!”, veprimtari nga Amerika flet edhe për kërcënimet me bomba

Politika

“Gazeta “Bota sot” dhe beteja e saj kundër tradhtive, vrasjeve politike…!”, veprimtari nga Amerika flet edhe për kërcënimet me bomba

Nga: Arife Morina Më: 26 qershor 2024 Në ora: 15:27
Foto ilustrim

Dita e sotme (26 qershori), shënon datën kur gazeta “Bota sot” filloi punën e saj, pa u ndalur tash e 29 vite me radhë.

Ishte viti 1995 kur për herë të parë, shqiptarët, jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në shtetet tjera, patën mundësi që informacionet dhe të vërtetat t’i lexonin edhe në një gazetë të re, ku më pas i qëndruan besnik asaj edhe për shumë vite me radhë.

Veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi foli në përvjetorin gazetës sonë, ku përmendi atentatet, kërcënimet e vrasjet, me të cilat u ballafaqua media jonë që nga themelimi i saj.

Ai vlerëson se “Bota sot” ishte autentike dhe e bëri ndryshime të mëdha në rrjetin e informimit, ku raportimet për të vërtetat dhe dukrive të liga, i pagoi me jetë të gazetarëve.

“As kur plagët kullonin, as kur kërcënimet rriteshin, as kur në mënyrë qyqare montoheshin e gjuheshin bomba, ziheshin prita, bëheshin atentate për të vrarë fjalën e lirë, për të vrarë më të guximshmit e gazetës, Bota sot, por, ajo asnjëherë s’u përkul e as u dorëzua. Kombëtarja, Bota sot, ishte dhe mbeti vetëvetja, autentikja, që e bëri ndryshimin e madh në informim, ishte një ndër dritaret më të ndritshme të informimit, që plasoi të vërtetën edhe kur dikush tentonte ta fsheh atë, e ngriti zërin e saj kombues kundër të ligave, tradhtive, vrasjeve politike, dhe këtë e pagoi me disa jetë gazetarësh, e atyre më të guximshmive të saj që fatkeqësisht vrasësit ende bredhin të lirë”, deklaroi veprimtari.

Image
Ramazan Bekteshi

Gjithashtu, Bekteshi foli mbi misionin kombëtar që kishte dhe vazhdon ta ketë “Bota sot”, ku nuk harroi t’i përmend as sfidat e egra që i mbijetoi.

“Para 29 vitesh u vu gurthemeli i parë i kësaj kështjelle mediatike që tani më është shndërruar në një akademi mediatike, ku defiluan personalitete të pendës e ndërgjegjes kombëtare, për një mision të vërtetë informativ e kombëtar. Bota, u mbijetoi sfidave më të egra të brendshme e të jashtme, ajo u bë vetëmohuese në ditët më të vështira që kaloi Kosova, në kohë të errëta e të përgjakta, dhe ishte lajmëtarja e lirisë për vendin dhe diasporën dhe u qëndroi besnik lexuesve të saj, edhe kur përjetonte dhimbje tmerri në trupin e saj”

Në fund, veprimtari nga Amerika shprehi mirënjohje për punën e gazetës sonë, derisa admiroi sakrificat e saj për informim të guximshëm dhe të paanshëm.

“Dua të shpreh admirim e mirënjohje për Botën Sot, në këtë datë të shënuar të saj, në përvjetorin e 29-të, për të gjitha skrificat sublime të saj, për informim të guximshëm, të paanshëm, duke u bërë një zë i arsyeshëm dhe i kumbueshëm në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë, për misionin e saj të shenjtë e të përmbushur”, përfundoi Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat