Vrasjet dhe kërcënimet me bomba, “Bota sot” fitoi betejën për liri të shprehjes: Kërcënuesit nuk ishin vetëm të huaj, por…!

Politika

Vrasjet dhe kërcënimet me bomba, “Bota sot” fitoi betejën për liri të shprehjes: Kërcënuesit nuk ishin vetëm të huaj, por…!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 qershor 2024 Në ora: 13:28
Foto ilustrim

Kanë kaluar 29 vite, që kur shqiptarët, jo vetëm në Kosovë, por edhe ata që jetonin dhe vepronin në diasporë, morën për herë të parë në duart e tyre gazetën “Bota sot”, e cila më pas do shërbente si udhërrëfyes i informacioneve kombëtare për të gjithë ata.

Nuk është lehtë, që për pothuajse tri dekada, të qëndrosh në krye të mediumeve, jo vetëm vendore, por edhe më gjerë. Duhet mund, sakrificë dhe punë e palodhshme, që të raportosh të vërtetën dhe t’i qëndrosh besnik lexuesve, pa marrë parasysh sfidat dhe rrethanat.

Rrugëtimi i gazetës “Bota sot” nuk ishte i lehtë, në fakt të thuash dhe të raportosh të vërtetën është një “thikë me dy teha”.

Liria e shprehjes që e kemi sot, fatkeqësisht nuk ishte në të kaluarën, pasi vite më parë, ta thoshe të vërtetën, ishte si t’i hapje luftë vdekjes.

Nuk ishin të pakta kërcënimet, deri tek ato më makabret, siç janë kërcënimet me bomba, vrasjet, shantazhet që iu bënin gazetarëve.

Dhemb fakti se kaq shumë u desht të luftohej për të vërtetën, dhe se duhej me çdo kusht të vriteshin gazetarët, vetëm pse dikujt i pengonte e vërteta.

“Bota sot” ende i kujton dhe vuan për gazetarët e saj, që padrejtësisht u larguan nga kjo botë. Ndonëse, lanë dhimbje dhe plagë të pashlyeshme në historinë e saj, ata janë krenaria dhe heronjtë tanë të pavdekshëm që luftuan gënjeshtrën me të vërtetën dhe asnjëherë nuk ranë pre e shantazheve dhe kërcënimeve.

Janë arsyeja pse sot jemi të lirë,ta shkruajmë, ta themi e ta bërtasim me zë të lartë të vërtetën.

Ymeri: Gazeta “Bota Sot” ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si vatër e pazëvendësueshme edukimi për brezat e rinj të gazetarëve

Në këtë përvjetor të gazetës, për rrugëtimin dhe sukeset e saj, foli profesori Eshref Ymeri.

Ai në një bashkëbisedim, tha se “Bota sot” ka qenë dhe është tribunë e gazetarisë atdhetare.

Profesori tha se kjo gazetë vlerësohet si pararojë e popullit shqiptar në luftën e tij për liri dhe pavarësi nga Serbia fashiste.

“Gazeta "Bota Sot" ka qenë dhe mbetet një tribunë e shkëlqyer e gazetarisë atdhetare, e cila është vlerësuar dhe vlerësohet me shumë të drejtë si pararojë e artit të gazetarisë në mbrojtje të popullit shqiptar të Dardanisë në luftën e tij mbi njëshekullore për liri dhe pavarësi nga Serbia fashiste”.

Po ashtu, Ymeri përmendi edhe sulmet dhe kërcënimet që iu bën gazetës sonë, ku tha se ato u realizuan edhe nga agjentët e fshehtë të Serbisë

“Si vatër e shquar e shqiptarisë, domosdo që gazeta "Bota Sot" do të bëhej objekt sulmesh të pandëprera gjatë këtyre 29 vjetëve të ekzistencës së saj, jo vetëm nga ana e bishës fashiste serbe, por edhe nga ana e agjentëve të fshehtë të Serbisë, tradhtarëve të Dardanisë.

Kam bindjen e patundur se gazeta "Bota Sot" ka shërbyer dhe vazhdon të shërbejë si vatër e pazëvendësueshme edukimi për brezat e rinj të gazetarëve me dinjitet të lartë kombëtar në krejt trojet tona etnke”, përfundoi Eshref Ymeri.

Image
Eshref Ymeri

Rudi: Kontributi i gazetës “Bota sot” është i madh dhe i pamohueshëm për Kosovën dhe shtetndërtimin e saj

E në këtë përvjetor për “Bota sot” foli ish-deputeti i LDK-së, Fetah Rudi.

Fillimisht, komentoi rrugëtimin, sukseset dhe rolin e jashtëzakonshëm që ka pasur në informimin për të vërtetën.

Krahas kësaj, përmendi edhe kërcënimet dhe vrasjet e gazetarëve tanë, që thonin dhe raportonin të vërtetën.

“Gazeta kombëtare “Bota sot” në rrugëtimin e saj ka luajtur një rol të rëndësishëm, si gjatë luftës, ashtu edhe në Kosovën e pas luftës, duke pasur parasysh vështirësitë, por asnjëherë nuk ndaloi së qenuri një dritare e vërtetë, për informim të vërtetë.

Kontributi i gazetës “Bota sot” është i madh dhe i pamohueshëm për Kosovën dhe shtet ndërtimin e saj. “Bota sot” dhe gazetarët e saj, jo rrallëherë pak kanë qenë të rrezikuar nga Komandantët verem pse po shkrujnë e po e thonë të vërtetën, po nuk janë ndalë asnjëherë edhe pse shpesh janë kërcënuar deri te vrasja e tyre, po prape kanë vazhduar punën”.

Image
Fetah Rudi

Gjithashtu, Rudi uroi gazetën “Bota sot”, derisa shprehi dëshirën që të rikthehet edhe në letër, si në kohët e mëparshme.

“Përveç kërcënimeve e vrasjeve të gazetarëve, “Bota sot” dhe botuesit të saj i kanë vendosur bomba vetëm e vetëm ta ndalojnë punën e saj. Por këtë gjë nuk e arritën asnjëherë fatmirësisht.

Me këtë rast, në 29 vjetorin e “Bota sot”, ju uroj stafit dhe të gjithë gazetarëve, suksese në punën tuaj. Por, “Bota sot” duhet t'i kthehet vërtetë ashtu siç ka qenë gazetë e vërtetë e shtypur, me lajme të mira, të vërteta, që kohën e pas luftës do të thotë në liri, prisnin njerëzit në rend për ta blerë gazetën “Bota sot”, se vërtet ka qenë një dritare e mirë për Kosovën. Urojmë të jetë kështu edhe për shumë vite. Urime’, u shpreh Fetah Rudi.

Preqi: Përpjekjet për t’ia ndalur rrugëtimin dhe për t’ia shuar veprimtarinë kësaj gazete ishin përpjekje bandash kriminale

Ndërsa, për këtë përvjetor të gazetës, foli edhe bashkëpunëtori ynë, Dedë Preqi.

Ai e cilësoi “Bota sot” si një nga gazetat më të zëshme, si brenda dhe jashtë Kosovës, të cilën nuk e ndaluan as kërcënimet dhe as vrasjet e gazetarëve të saj, për ta raportuar të vërtetën.

“Me 26 qershor gazeta kombëtare “Bota Sot” i mbush 29 vite të krijimtarisë së saj, me botimin e parë në Zyrih të Zvicrës, në vitin 1995, si gazetë informative përmes shprehjes së lirë, e cila gjatë rrugëtimit të saj hasi në barriera të ndryshme me kërcënime e ekzekutime të gazetarëve të saj, por hovin dhe guximin nuk mund e ndali askush për të thënë vetëm të vërtetën.

Megjithatë, mbetemi me përshtypjen se gazeta kombëtare “Bota Sot”, gjatë rrugëtimit të saj në periudha të ndryshme bëhet një ndër gazetat më të zëshme informative, brenda dhe jashtë atdheut - në diasporë, duke i plotësuar kurreshtjet, kërkesat dhe nevojat e publikut të saj drejt një informimi sa më real dhe korrekt”.

Image
Dedë Preqi

Gjithashtu, opinionisti vlerësoi lart themeluesin e gazetës, z. Xhevdet Mazrekaj, ku tha se ky i fundit vendosi kritere dhe norma të larta mediatike.

Po ashtu, foli edhe për kërcënuesit e gazetës, ku tha se nuk ishin vetëm të huaj, apo antishqiptar, ata ishin jo vetëm armiqtë e kësaj gazete, por edhe armiq të popullit të vet.

“Kjo gazetë që në themelimin e saj në krye me kolosin dhe atdhetarin e madh Xhevdet Mazrekaj, do të përcaktojë kriteret dhe normat e një gazete të rëndësishme mediatike, ku njeriu shprehet lirisht, në mënyrë reale dhe kombëtare, dhe krijoi kushte përmes mundit të punës dhe sakrificës, në një hapësirë në të cilën opinioni mundet të informohet qartë dhe korrekt për ngjarjet e jetës, për kulturën, artin, sportin, politikën dhe informacione tjera për ditë dhe çdo kohë.

Kërcënimet dhe vrasjet e gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të kësaj gazete, u munduan me gjitha mjetet e tyre edhe me zhdukjen fizike, që t’ia ndalin hovin dhe t’ia mbyllin dritaren e saj, por kot e kishin, sepse kjo gazetë lindi e atillë, të realizohet me gjithë plotësinë e saj, duke e thënë dhe duke e mbojtur të vërtetën e ngjarjeve dhe identitetin kombëtar.

Kërcënuesit nuk ishin vetëm të huaj, apo antishqiptar, ata ishin jo vetëm armiqtë e kësaj gazete, por edhe armiq të popullit të vet, të cilëve kjo gazetë ua nxjerri të «palarat», në shesh, siq ishte korrupsioni dhe krimi i organizuar si edhe shumë shprehi tjera negative të pas luftës në Kosovë, në veçanti trajtimi i vrasjeve të krahut «rugovian», ku rastet e atentateve dhe vrasjeve të shumë besnikëve të presidentit historik Ibrahim Rugova, akoma janë të pa zbuluara”, shpjegoi në detaje Preqi.

Tutje, potenoci se kërcënimi me bomba, duke rrezikuar jetët e njerëzve, ishte ishte formë jo njerëzore. por primitive.

“Përpjekjet për t’ia ndalur rrugëtimin dhe për t’ia shuar veprimtarinë kësaj gazete ishin përpjekje bandash kriminale, kur lloji i tyre hedh edhe granata në zyrat e tyre, duke rrezikuar jetët njerëzore, dhe mohimi i ekzistencës në këtë formë të dhunshme ishte formë jo njerëzore, por primitive, sa që e pyesim veten, si është e mundur në një shoqëri të njëjtë njerëzore e ndërvëllazërore të ndodhin djallëzi të tilla dhe t’i mohohet vetëvetes fjala dhe shprehja e lirë, si dhe vetë ekzistenca.

Ata të cilët e rrokën pushtetin në dorë pas luftës në Kosovë, vjen përshtypja e secilit prej nesh, se ishte një pushtet klanësh dhe grupeve që paraqesin një lloj pushteti të veçantë, apo për të cilët duhej punuar, u përkulur dhe nënshtruar, në mesin e të cilëve kishte njerëz të pashkolluar dhe të paedukuar, të cilët e kthyen edhe qeverisjen dhe administrimin e pushtetit në këtë formë të tillë”.

Në fund, Preqi shtoi se “Bota sot” është një shembull në tregun medial, se si duhet qëndruar besnik ndaj lexuesve të saj.

“Prandaj, gazeta kombëtare “Bota sot”, është shembulli më mbresëlënës medial në vend dhe në rajon, i cili sakrifikoi edhe qenien e vet njerëzore e kombëtare, duke qëndruar besnike, reale dhe guximshëm ndaj lexuesit, përmes fjalës e shprehjes së lirë para opinionit të vet dhe para botës, duke e thënë të vërtetën e ngjarjeve me kohë dhe me argumente.

Gazeta kombëtare “Bota Sot” është një ndër mediumet më të kërkuara edhe sot, e cila e ndjek realitetin e natyrës së saj, të një gazete të rëndësishme edhe pse në rrethana kritike, e ka ruajtur vlerën dhe e e ka zotuar rolin e saj përmes fjalës dhe shprehjes së lirë në paraqitjen e ngjarjeve në formën më reale të mundshme, dhe duke i përafruar shqiptarët dhe miqtë e saj, të cilët janë të shumtë brenda dhe jashtë trojeve tona”, përmbylli Dedë Preqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat