“Bota sot”, mburojë informative e popullatës shqiptare nga të gjitha anët e botës

Politika

“Bota sot”, mburojë informative e popullatës shqiptare nga të gjitha anët e botës

Havë Orana Xhukolli Nga Havë Orana Xhukolli Më 26 qershor 2024 Në ora: 08:06
Foto ilustrim

Gazeta më e madhe kombëtare po i afrohet dekadës së tretë. Pikërisht me 26 qershor, gazeta kombëtare ‘Bota sot’ po mbush 29 vjet që nga themelimi i saj. Në gjithë këtë rrugëtim, kjo kombëtare është përballur me sfida të ndryshme, gazetarë të saj profesionist janë vrarë, e shumë herë janë kërcënuar. Megjithatë, ajo ia ka dalë mbanë.

Gazeta ‘Bota sot’ ka vazhduar për gjithë këto vite të jetë në shërbim të popullit, të lexuesve që duan të lexojnë problematikat e shtjelluara qoftë në Kosovë, por edhe në diasporë.

Kjo gazetë asnjëherë nuk ka lënë anash mërgimtarët tanë, pjesën më të dhimbshme të pothuajse ҫdo familje shqiptare.

Rolin dhe kontributin e saj si dritarja kryesore e informimit për diasporen shqiptare e kanë vlerësuar dhe komentuar njohës të ҫështjeve politike në vend.

Prof.Dr. Bytyqi: Historia e “Bota sot” është historia e Kosovës dhe e shqiptarëve në këto gati tri dekada

Image
Prof.Dr. Enver Bytyqi

Rolin, veprimtarinë dhe kontributin e ‘Bota sot’ e ka komentuar edhe profesori universitar Prof.Dr. Enver Bytyqi. Ai ka kujtuar kohën kur edhe doli numri i parë i gazetës ‘Bota sot’.

Numri i parë i gazetës “Bota sot” doli për lexuesit e diasporës shqiptare më 26 qershor të vitit 1995! Ishte koha kur shqiptarët ishin në terr informativ, ndërkohë që ngjarjet ndiqnin njëra-tjetrën në këtë periudhë të lartësimit të atdheut! Gazeta tradicionale e përditshme “Rilindja” ishte mbyllur prej 6 vitesh nga sunduesit dhe okupatorët serbë dhe dilte në Tiranë. Megjithatë, diaspora shqiptare nuk kishte burime informacioni”, thotë profesor Bytyqi.

Ai thotë po ashtu se, gazeta “Bota sot” është e para gazetë e përditshme, të cilën shqiptarët në Europë, SHBA e deri në Australi do ta gjenin në kioskat e shitjeve të shtypit të përditshëm, në banhove e kudo ku shtrihej tregu i medies së shkruar.

“Më vonë bënë përpjekje dy-tri gazeta të tjera të shtriheshin në tregun perëndimor. Por gazeta “Bota sot” ishte numri një i medieve në gjuhën shqipe. Ajo i ngriti redaksitë e saj edhe në mëmëdhe, në Shqipëri, në Shkup e gjetkë. Gazetarët, analistët, opinionistët qenë dhe mbeten nga më të përzgjedhurit në publicistikën shqiptare. Teki Dervishi, Bardhyl Ajeti, Abdi Baleta, Skënder Buçpapaj, Mero Baze dhe shumë të tjerë lanë gjurmë të pashlyeshme në thesarin e informacionit të “Bota sot”, si në asnjë medie tjetër të shkruar shqiptare”, kujton ai.

Duke folur për historinë e gazetës, profesor Bytyqi thotë se, ‘Bota sot’ është ndër të paktat që mbijetuan për tri dekada. Dhe sipas tij, kjo erdhi falë stafit, bashkëpunëtorëve dhe botuesit të saj, Xhevdet Mazrekaj.

Historia e “Bota sot” është historia e Kosovës dhe e shqiptarëve në këto gati tri dekada. Janë pak ose aspak gazeta në gjuhën shqipe që mbijetuan në kaq shumë kohë, si gazeta “Bota sot”! Kjo falë stafit, redaksive, bashkëpunëtorëve, por edhe të pasionit, këmbënguljes dhe vendosmërisë për të mos u tërhequr nga ky mision të botuesit të saj Xhevdet Mazrekaj! Pa mbështetjen dhe iniciativat e tij, sot bota shqiptare nuk do të kishte një gazetë kaq të suksesshme dhe me nam në mjedisin shqiptar. Pa vëmendjen dhe kujdesin e vazhdueshëm të zotit Mazrekaj, nuk do të kishim sot një histori sukesesi kaq të madh në shtypin shqiptar”, vlerëson ai.

Tutje, thotë se, ‘Bota sot’ është e do të jetë krenare për rolin e saj informues në këto periudha historike të luftës dhe përpjekjeve të krijimit dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës.

Ajo do të jetë krenare gjithmonë në histori, sepse mbrojti dhe mbron vlerat morale konservative dhe tradicionale të kombit shqiptar, sidomos në Kosovë. Botuesi i saj dhe ata që shkruan e shkruajnë në Bota sot janë e do të mbeten krenarë me këtë gazetë, sepse ajo u bë mbështetje e figurave historike dhe lëvizjeve të mëdha të shqiptarëve në tri dekada. Ibrahim Rugova dhe personalitete të tjera shqiptare, si Pjetër Arbnori, Sali Berisha, Leka Zogu I, Profesor Mark Krasniqi u bënë vizitorët e redaksisë së gazetës në Zyrih të Zvicrës dhe frymëzuan edhe më tej stafin dhe botuesin, që t’i japin gazetës Bota sot frymën kombëtare”, vlerëson profesori.

Ai duke vlerësuar punën e gazetës, thotë se është ndër më të suksesshmet në gjithë mediat shqiptare, në kohën e luftës, pas luftës dhe në shpalljen e pavarësisë.

Prandaj dhe “Bota sot” ishte jo vetëm e përditshme, por edhe më e suksesshmja ndër të gjitha mediet shqiptare, sidomos në periudhën e ndërtimit të shtetit parallel të Kosovës, në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por edhe pas çlirimit dhe shpalljes së pavarësisë së saj. Uroj me gjithë zemër që gazeta “Bota sot” të vazhdojë pambarimisht misionin e saj ndër shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, dhe në gjithë diasporën shqiptare”, nënvizoi Prof.Dr. Enver Bytyqi.

Poashtu edhe njeriu i afërt i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, Skender Zogaj duke vlerësuar kontributin e ‘Bota sot’, thekson se, kjo gazetë është shfaqur në kohën më të egër të okupimit të Kosovës dhe kulmin e territ informativ.

Zogaj: Kjo gazetë e ka dëshmuar epitetin si kombëtare

Image
Skender Zogaj

Gazeta "Bota sot" është shfaqur në kohën dhe rrethanat më të egra të okupimit të Kosovës dhe, në kulmin e territ informativ në Kosovë e për Kosovën, që pushtuesi e ka përdorur për ta kamufluar realitetin e zhvillimeve gjenocidiale që i ka aplikuar përmes forcave ushtarake e policore kundër shqiptarëve! Pra, kur Serbia e kishte shkatërruar sistemin institucional të informimimit shqiptar, shfaqet gazeta "Bota sot" e cila bëhet zëri i fuqishëm i pasqyrimit të tragjikës dramatike të Kosovën jo vetëm në planin e thjeshtë informativ, por edhe mjet i fuqishëm i demaskimit të suksesshëm të propagandës dhe i krimeve të regjimit serb”, thekson ai.

Zogaj thotë po ashtu se, kjo gazetë e ka dëshmuar epitetin si kombëtare, si një nga gazetat më të lavdishme në historinë e gazetarisë shqiptare.

Bota sot” me kontributin e saj para dhe në vitet e para të pasluftës, e dëshmoi meritueshëm epitetin "gazetë kombëtare" duke u bërë tribunë e vërtetë demokratike e fjalës dhe mendimit të lirë, një gazetë e madhe, nga më të lavdishmet në historikun e gazetarisë shqipe! Këtë renome "Bota sot" e ka arritur me sakrifica të mëdha, deri edhe me flijime jetësh të gazetarëve të saj në detyrë. Kjo është dëshmi e përkushtimit madhor dhe efekteve të jashtëzakonshme të "Botës sot" që gjatë 29 viteve ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në çlirimin, lirinë, pavarësinë dhe në shtetndërtimin e Kosovës”, vlerëson Zogaj.

Tutje ai thotë se, meqenëse jemi në 29-vjetorin e themelimit, e duke shpresuar se kjo gazetë dëshiron të qëndrojë aktive, si ish anëtar i redaksisë, tha se, "Bota sot" e ka profilizuar faqen e saj si gazetë e djathtë, më e mira e këtij lloji në gjithë hapësirën mbarë kombëtare.

“Prandaj, "Bota sot" duhet ta kuptojë se anashkalimi i profilit të saj, është tepër i dëmshëm. Po e themi këtë sepse, viteve të fundit, gazeta është duke manifestuar luhatje dhe, kjo është tepër shqetësuese për lexuesit e saj, sepse identiteti i "Bota sot" është liria dhe demokracia, e vërteta dhe e drejta, qëndrimi konsistent i guximit profesional dhe assesi të qenit në shërbim të individëve dhe grupeve të interesit, kushdo qofshin ata! "Bota sot" në vitin e 30 vjetorit, duhet të analizojë mirë platformën e saj dhe të t'i eliminojë oscilimet, të qëndrojë ajo që është dhe jo - e gjithkujt dhe e askujt! Uroj që "Bota sot" të jetë ajo e vetvetes sot e gjithmonë”, thekson Zogaj.

Mehazi: Qoftë e përjetshme gazeta "Bota sot"!

Image
Sulejman Mehazi

Rolin dhe punën e gazetës ‘Bota sot’ e ka vlerësuar edhe profesori nga Maqedonia e Veriut, Sulejman Mehazi. Ai e ka quajtur si të vetmen mburojë që ka mbuluar shqiptarët kudo nga të gjitha anët.””

Bota sot" ka qenë dhe është e vetmja mburojë apo ombrellë informative mbarëkombëtare që mbulon popullatën shqiptarë nga rrebeshet politike të të gjitha anëve: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e diasporë, ku dallon e veçohet "Bota sot" nga gazetat tjera?, dallon sipas sekretit gazetaresk, kjo fshehtësi e saj është sa më larg partive qeveritare e sa më afër qytetarëve të saj”, vlerëson profesor Mehazi.

Ai thotë se simbolika e kësaj gazete është, se, botën politike, sociale, ekonomike jetësore të shqiptarëve e bashkon në një, të kaluarën në të sotmen dhe të ardhmen shqiptare në të sotmen.

Pra, kur bota e kaluar historike dhe bota e ardhme shoqërore lidhet me "Bota sot" atëherë krijohet përjetësia e gazetës "Bota sot". "Bota sot" është gazetë që përkrahë dhe mbron vlerat e përjetshme kombëtare, shoqërore, politike, kulturore e artistike, e në anën tjetër lufton e shkatërron të përkohshmit: interesëxhijtë, të këqijtë, të shëmtuarën jetësore. Qoftë e përjetshme gazeta "Bota sot"!, urime 29 vjetorin dhe shumë e shumë përvjetore të suksesshme e të begatshme për Kosovën, diasporën dhe shqiptarët në përgjithësi”, ka përfunduar Mehazi.

Historiku i “Bota sot”

Gazeta “Bota sot”, sot e 29 vjet më parë nisi rrugëtimin e saj të informimit në botën shqiptare, e themeluar në Cyrih të Zvicrës me editor Xhevdet Mazrekajn. “Bota sot” është e para e përditshme dhe e vetmja në diasporën shqiptare, me jetëgjatësinë më të madhe deri më sot.

29 vjet më parë nisi gjithçka si një ëndërr. Mes shumë ideve, diskutimeve, këmbënguljeve dhe tekeve, më në fund u vendos për një emër, “Bota sot”, ndërsa dilemat se çfarë koncepti do të ndiqte, thuaja nuk kishin shumë vend për diskutim pasi shumica ishin për një dhe të vetëm, mbrojtjen e interesit nacional, në kohë të vështira dhe në ditë të mira.

Betejat pas krijimit të gazetës “Bota sot”, do të vinin të shpejta, si stuhi, dhe do të ishin momentet kyçe të atdheut. E sot pas krijimit të shtetit të Kosovës vazhdojmë me idenë e realizimit të bashkimit ndërshqiptarë, bashkimit në një shtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat