“Dronët e Turqisë dhe raketat amerikane Javelin...”, Bytyçi: Kosova të krijojë ushtri të fuqishme t’i bëjë ballë çdo rreziku

Politika

“Dronët e Turqisë dhe raketat amerikane Javelin...”, Bytyçi: Kosova të krijojë ushtri të fuqishme t’i bëjë ballë çdo rreziku

Nga: Nehat Shaqiri Më: 25 qershor 2024 Në ora: 22:34
Ilustrim

Ushtria e Kosovës duhet të forcohet, të kujdesët për territorin e saj dhe t’i bëjë ballë çdo rreziku të Serbisë.

Kështu po vlerëson profesori dhe analisti politik Enver Bytyçi.

Profesori për gazetën “Bota sot”, ka treguar se në vitin 2008 kishte kërkuar një gjë të tillë për Kosovën.

“Më 24 shkurt 2008 isha emigrant politik në Gjermani. Dega e Partisë Demokratike të Kosovës për Gjermani, kryetari i saj, Umer Lladrovci, më ftoi të flisja në tubimin e madh me mbi njëmijë shqiptarë në një sallë të madhe në Ennepetal, në Nordrein Wstfallen. Në tubim morën pjesë gjithashut shumë gjermanë dhe autoritete politike të këtij landi. Fola në atë tubim dhe thashë se “Kosovës i duhet prej sot të kujdeset për mbrojtjen e territorit të saj prej rrezikut serb. Duhet krijuar një ushtri e fuqishme që t’i bëjë ballë çdo rreziku. Tashmë nuk duhet të jetë detyrë e NATO-s ta mbrojë Kosovën. Ajo duhet të bëhet e zonja e vetëvetes“! Këto fjalë nuk u pritën mirë nga disa politikanë socialdemokratë të landit të Westfallisë. Por pati ndonjë tjetër autoritet konservator gjerman i pranishëm, i cili ngriti gishtin e madh në shenjë miratimi, madje duke shqiptuar fjalën “Ausgezeichen”! (Shkëlqyeshëm)! Përfaqësuesi socialdemoktrat në tubim, kur foli e kundërshtoi idenë e investimit për mbrojtjen e Kosovës”, thotë profesor Bytyçi.

Ai shton se, i kujtohet vazhdimisht ai rast, kur është fjala për zhvillimin e forcimin e ushtrisë dhe aftësisë mbrojtëse të Kosovës.

“Sikur të ndiqej politika e forcimit të mbrojtjes, e pajisjes me armatim modern, me shtimin e numrit të ushtarëve dhe oficerëve kosovarë, sot Kosova do të shihej ndryshe. Edhe Serbia nuk do të guxonte të provokonte në vazhdimësi kundër integritetit territorial të saj. Fatkeqësisht në Kosovë ishte ngulit ideja se “Na mbron NATO! Na mbron Amerika”! Liderët dritë-shkurtër nuk menduan se rritja e aftësive mbrojtëse të Kosovës e bën NATO-n dhe SHBA-në më të motivuar për ta mbrojtur atë”, potencon ai.

Image
Prof. dr. Enver Bytyqi

Sipas tij, Ramush Haradinaj u shqetësua fillimisht dhe intervenoi që me ligj të krijohej ushtria e Kosovës.

“Pati gjithashtu mbështetjen e departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve. Ishte një iniciativë dhe veprim me vend, ndonëse e vonuar nga paraardhësit e tij. Por ushtria e Kosovës u rrit, u forcua, u furnizua me armë moderne më së shumti në këto tri vite të qeverisjes së vendit nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. Buxheti për mbrojtjen është dy-tri fishuar. Shpenzimet për armtim janë trefishuar. Unë shoh se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës forcohen në proporcion me forcimin e ushtrisë dhe aftësisë së saj për mbrojtje. Kjo është arsyeja edhe e suksesit të Banjskës për asgjësimin e grupit terrorist serb më 24 shtator të vitit të kaluar”, thotë Bytyçi.

Ai shprehet se, mbrojtja dhe siguria janë funksioni kryesor i shteteve.

“Edhe për Kosovën kjo nuk ndryshon. Pas mbrojtjes dhe sigurisë vijnë ekonomia e mirëqenia materiale e sociale, arsimi, kultura e shkenca si dhe marrëdhëniet ndërkombëtare e politika e jashtme. Po t’u heqësh këtyre tri tjerave mbrojtjen e sigurinë, ato shumëzohen me zero. Pra pa mbrojtje e siguri nuk ka e nuk mund të ketë as ekonomi, as mirëqenie, as arsimim e shëndetësi, as shkencë e politikë të jashtme. Shkurt, nuk mund të ketë shtet. Për këtë arsye janë të lavdrueshme politikat mbrojtëse e të sigurisë së qeverisë aktuale. Janë kthesë në konceptim, në përkushtim dhe në investim”, shton tutje ai.

Megjithatë, sipas tij, Kosova ka shumë nevojë për një ushtri dhe mbrojtje të fuqishme.

Duhen armatime të reja, më shumë njerëz, ushtarë dhe oficerë, më shumë përgatitje profesionale. Kushtet bazike për arritjen e objektivave në mbrojtje ekzistojnë. Sipas sondazheve ndërkombëtare, Kosova ka një popullësi, e cila në përqindje më të madhe se çdo vend tjetër europian, është e gatshme të sakrifikohet për mbrojtjen e territorit e të shtetësisë. As serbët që me shekuj janë ushqyer me iluzione shoviniste kundër shqiptarëve, nuk janë të gatshëm të vetsakrifikohen, sa janë shqiptarët në Kosovë”, vlerëson ai.

Profesori thotë se, Serbia investon në ushtri shumë herë më tepër sesa Kosova.

“Por fryma e gatishmërisë për mbrojtje është garanci për mbrojtjen e Kosovës, e cila në fund të fundit shpenzon për mbrojtjen gati tri here më shumë sesa Shqipëria, megjithëse kjo e fundit është anëtare e NATO-s. Unë besoj se duhen shtuar fondet për blerjen e armatimit. Dronët e Turqisë dhe raketat amerikane Javelin janë pak për të garantuar një mbrojtje të sigurt kundër rrezikut të sulmeve serbe. Por është me rëndësi se armatimi i Kosovës, duke qenë i ri dhe i blerë rishtazi, është më modern sesa i vendeve të tjera të rajonit”, potencon profesori.

Bytyçi shprehet se, Kosova ka një shutri dhe polici më profesionalen në vendet e rajonit, madje të çertifikuar nga ekspertiza ushtarake amerikane, britanike dhe gjermane.

“Kjo e ka rritur autoritetin e saj dhe të vetë Kosovës. Ka mundësuar që shumë gjëra të shkojnë mirë në dobi të ndërtimit të plotë të shtetësisë. Megjithatë, objektiv madhor është që ushtria të forcohet aq shumë, sa të ndikojë për t’i trimëruar edhe dis frikacakë mediatikë, të cilët ngjallin panik, duke thënë se “Nëse Serbia e sulmon Kosovën, ajo dorëzohet për 24 orë”! Këta panikxhinj nuk propagandojnë kësisoj thjesht nga padija ose nga frika. Duhen parë arsyet, duhet hulumtuar se çfarë fshihet e çfarë ata përfaqësojnë në fakt”, përfundon profesori Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat