“Serbia e madhe e kuvendi gjithëserb” ”, eksperti amerikan ‘zbulon’ qëllimin e Vuçiqit: Pavarësia e Kosovës nuk është...

Politika

“Serbia e madhe e kuvendi gjithëserb” ”, eksperti amerikan ‘zbulon’ qëllimin e Vuçiqit: Pavarësia e Kosovës nuk është...

Nga: Naile Ejupi Më: 25 qershor 2024 Në ora: 20:56
Aleksander Vuciq

Serbia nuk po i ndal provokimet, por edhe kërcënimet ndaj Kosovës dhe pavarësisë së saj.

Të martën, në disa lokacione në Beograd janë shfaqur postera me imazhin e Kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, me shkrimin “Kosova është Serbi”.

Lëvizja “Nashi”, e njohur për shënjestrimin e shpeshtë të mediave dhe gazetarëve, është paraqitur si autore e këtyre posterave.

Siç raporton Nova, një nga lokacionet ku u shfaq imazhi i Millosheviqit është Brankov Most.

Sipas raportimit, janë disa postë të tillë.

Posterat nuk janë forma e vetme e provokimeve të shtetit serb. Muajin e kaluar në Beograd është mbajtur “kuvendi gjithëserb”, ku kishte marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe presidenti i entitetit të Bosnje e Hercegovinës, Republikës Sërpska, Millorad Dodik, si dhe zyrtarë të institucioneve më të larta të Serbisë dhe të Republikës Sërpska, sipas tyre, kjo ishte lutje për Serbinë dhe Republikën Sërpska, por shumë prej analistëve këtë e kanë konsideruar si hap drejt ‘botë serbe’.

Duke komentuar deklaratat kërcënuese për “Serbinë e madhe” dhe “kuvendin gjithëserb”, eksperti amerikan, Alon Ben Meir, thotë se disa nacionalistë serbë do të dëshironin shumë të rivendosnin Serbinë e Madhe, por ajo nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr.

Sipas tij, sado që ata ëndërrimtarë dëshirojnë ta kthejnë atë, është një ushtrim koti.

“Për mendimin tim, deklarata si këto, që bëjnë thirrje për “Serbinë e madhe”, nuk janë asgjë më shumë se deklarata për konsum publik. Megjithatë, është e vërtetë se disa nacionalistë serbë do të dëshironin shumë të rivendosnin Serbinë e madhe, e cila do të përfshinte Kosovën; thellë brenda, ata e dinë se nuk është gjë tjetër veçse një ëndërr. Pavarësia e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e negociueshme. Mbi 100 shtete e kanë njohur Kosovën, dhe sado që ata ëndërrimtarë dëshirojnë ta kthejnë atë, është një ushtrim kot”, deklaron Meir për “Bota sot”.

Image
Alon Ben Meir

Në anën tjetër, ish-sekretari i NATO-s në ditën e Çlirimit të Kosovës, kishte deklaruar se në rast se nuk do të arrijnë një marrëveshje Kurti dhe Vuçiq, atëherë ka mundësi për përsëritje të viteve të 90-ta.

Por, një skenar të tillë e përjashton eksperti Meir, që sipas tij, Vuçiq nuk kërkon rifillimin e konfliktit të dhunshëm, për shkak se e di mirë se NATO do të hyjë menjëherë në sherr dhe Serbia do të jetë ajo që do të vuajë më shumë.

Sipas tij, gjëja e fundit që do të donte Vuçiqi është përplasja direkte me NATO-n.

“Me gjithë respektin e duhur për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, nuk ka gjasa për një përsëritje të viteve 1990. Presidenti i Serbisë Vuçiq nuk po kërkon të rifillojë konfliktin e dhunshëm, e lëre më një luftë me Kosovën, duke e ditur mirë se NATO do të hyjë menjëherë në sherr dhe Serbia do të jetë ajo që do të vuajë më shumë. Për më tepër, pavarësisht se sa presidenti rus Putin do të dëshironte të destabilizonte shtetet e Ballkanit, Vuçiç nuk do ta akomodojë Putinin në atë masë sepse Serbia dëshiron të anëtarësohet në BE në një moment në të ardhmen, dhe gjëja e fundit që Vuçiq do të dëshironte të ndodhte është një përplasje direkte me NATO-n. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s e di këtë më mirë se kushdo tjetër”, shton eksperti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat