19 vite nga vrasja makabre e Bardhyl Ajetit, drejtësia në Kosovë ka dështuar në zbardhjen e rastit – shpresat mbeten te Gjykata Speciale

Politika

19 vite nga vrasja makabre e Bardhyl Ajetit, drejtësia në Kosovë ka dështuar në zbardhjen e rastit – shpresat mbeten te Gjykata Speciale

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 25 qershor 2024 Në ora: 08:01
Bardhyl Ajeti

Vrasjet e pasluftës, shumica kanë mbetur ende pa u zbardhur.

Siç duket, në këto vrasje që janë të shumta ka “ngecur” edhe drejtësia në vend. Ajo akoma nuk ka zbardhur asnjë vrasje të pasluftës.

Pikërisht, sot bëhen 19 vite që nga vrasja e gazetarit dhe kolumnistit më të devotshëm Bardhyl Ajeti, gazetar në gazetën kombëtaren “Bota sot”.

Ai u vra, në pikë të ditës, në Bresalc të Gjilanit, nën një breshëri plumbash të ftohtë, disa në trup e disa në kokë.

Institucionet e drejtësisë në vend, vazhdojnë edhe më tutje të heshtin për rastin, kur duar shtypëse të fjalës së lirë, i morën jetën, një njeriu të pashembullt por edhe një pene briliante në fushën e gazetarisë.

Bardhyl Ajeti ndërroi jetë në Milano të Italisë, si pasojë e lëndimëve të rënda që i kishte marr në atentatin e 3 qershorit 2005.

Kush duhet të jap përgjegjësi për këto vrasje, apo kujt t’i drejtohemi?

Tahiraj: E vetmja shpresë që ky rast të ndriçohet, si shumë raste tjera të vrasjeve politike, është Gjykata Speciale

Lidhur me këtë temë, veprimtari Saim Tahiraj, në një përgjigje për “Bota sot”, tha se rasti i Ajetit sjellë me vete dhimbjen e madhe sepse kriminelët shqipfolës kryen aktin qyqarë.

Image
Saim Tahiraj

Këtë vrasje po edhe të tjerat i rëndon edhe më shumë fakti se kriminelët nuk po zbulohen, duke shtuar se në Kosovë drejtësia është e kapur dhe derisa të lirohet nuk ka zbulime të vrasjeve politike të pasluftës.

“Sa herë vijnë përvjetoret e të rënëve rikthehen kujtimet së bashku me dhembje dhe krenari. Por përvjetori i vrasjes makabre të gazetarit të mirënjohur Bardhyl Ajeti është paksa më i veçantë, sepse me vete sjellë dhimbjen e madhe, së bashku me urrejtjen e pa kufi për kriminelët shqipfolës që e kryen këtë akt qyqarë. Së bashku me Bardhylin, kriminelët vranë fjalën e lirë, gazetarinë e pavarur dhe plagosën rëndë demokracinë e brishtë kosovare.

Këtë vrasje e rëndon edhe më shumë mos zbulimi i kriminelëve dhe vënia e tyre para drejtësisë për të marrë dënimin e merituar. Kjo ndodh për arsye se drejtësia në Kosovë dyshohet se ishte kapur po nga ato banda kriminale. Derisa drejtësia në Kosovë të lirohet nga këto kapje të dyshuara, nuk ka shpresë që rasti të ndriçohet”, thotë ai.

Sipas Tahirajt, e vetmja shpresë që këto raste të ndriçohen është Gjykata Speciale, duke shtuar se po të zbulohet një rast, do të zbulohen të gjithë, sepse sipas veprimtarit të gjitha të tjerat janë zingjirë me njëra-tjetrën.

“E vetmja shpresë që ky rast të ndriçohet, si shumë raste tjera të vrasjeve politike, është Gjykata Speciale. Të gjitha familjet e të vrarëve shpresat i kanë drejtuar te kjo gjykatë, për arsye se kanë humbur besimin te drejtësia në Kosovë. Mendoj dhe shpresoj shumë se vetëm një rast i këtyre vrasjeve politike, zbulohet nga Gjykata Speciale, atëherë do të zbulohen të gjitha. E them këtë për arsye se të gjitha janë të lidhura zingjirë njëra me tjetrën. Duke u nisur nga ky fakt, shpresojmë se edhe vrasja kriminale e Bardhylit, si një hallkë e këtij zingjiri të gjatë do zbulohet. Bardhyl Ajeti u vra sepse me guxim të madh, shkruajti dhe i demaskoi këto banda kriminale që kryen këto vrasje të figurave eminente të LDK-së. Ai u pa si pengesë e madhe për ta, si rrezik për demaskimin e tyre, andaj e vranë për të eliminuar pengesën dhe evituar rrezikun në rrugëtimin e tyre kriminal. Bardhyl Ajeti duhet të jetë model për gazetarinë kosovare, i trimërisë dhe guximit për ta luftuar të keqen brenda shoqërisë kosovare.

E kujtojmë me respektin më të madh për guximin dhe profesionalizmin e treguar.

E kujtojmë me dhimbje dhe me shpresën se kriminelët do të dalin para drejtësisë dhe marrin dënimin e merituar”, deklaron Tahiraj.

Zogaj: Kiropterët që ishin më të zi se nata e vranë Bardhylin për ta mbrojtur terrin

Image
Skënder Zogaj

Analisti Skënder Zogaj thotë se ai ishte pengesë e strukturave të ndryshme kriminale të cilat, atë kohë po bënin kërdi në grabitjen e të gjithë pasurisë shoqërore e të pushtetit që e pretendonin bosët e nëntokës së krimit dhe të korrupsionit!

Ai u shpreh se Ajeti ishte ai i cili i hulumtonte dhe denonconte veprimtaritë banditeske, andaj edhe e vranë për të mbrojtur terrin.

“Vrasja e Bardhyl Ajetit ka qenë atentat kundër guximit të gazetarisë demokratike dhe të shprehjes së fjalës dhe mendimit të lirë, që në vitet e para të pasluftës dhe të filleve të lirisë e të shtetëndërtimit të Kosovës, ishin pengesë e strukturave të ndryshme kriminale të cilat, po bënin kërdi në grabitjen e të gjithë pasurisë shoqërore e të pushtetit që e pretendonin bosët e nëntokës së krimit dhe të korrupsionit!

Këto koluare të zeza mafioze pa mëshirë kallnin e digjnin dhe vrisnin të gjithë ata që vepronin ndryshe, dhe që denonconin krimet dhe kriminelët!

Bardhyl Ajeti ishte njëri nga gazetarët më të guximshëm i cili në mënyrë të pa kompromis po hulumtonte dhe denonconte veprimtaritë banditeske me emër e mbiemër pa seleksionim, të gjithë keqbërësit. Dhe kiropterët që ishin më të zi se nata e vranë Bardhylin për ta mbrojtur terrin”, shprehet ai.

Derisa Zogaj, thotë se nuk do koment e vërteta se, vrasjet janë bërë ndaj demokratëve të kampit të LDK-së, duke shkruar se po të zbardhet një rast, zbardha do të ndodhte zingjirore!

“Për vrasjen e Bardhylit është folur e shkruar shumë, por zbardhja nuk ka ndodhur dhe as që ka pasur mundësi të ndodhte, sepse, vrasësit e kishin të kapur drejtësinë dhe, drejtësia ishte pjesë e krimit dhe korrupsionit! Se është kështu, fare lehtë mund të sqarohet, nëse shohim me çka është marrë drejtësia dhe se, ka qenë shumë efikase në zbardhjen dhe dënimin e qytetarëve të rëndomtë ose të atyre që nuk kanë qenë në anën e krimit. Nuk do koment e vërteta se, vrasjet janë bërë ndaj demokratëve të kampit të LDK-së. Pa kursim, bile me tentime për atentat edhe kundër Presidentit historik Ibrahim Rugova!

Nuk është zbardhur vrasja e Bardhyl Ajetit, por as e qindra të tjerëve, dhe kjo tregon se ka qenë e njëjta qendër urdhëruese e vrasjeve. Prandaj, nuk është zbardhur asnjë rast, sepse po të zbardhej një, zbardha do të ndodhte zingjirore!

Specialja nuk ka nevojë me u marr me zbardhjen e vrasjes së Bardhyli, që ka ndodhur më vonë, jashtë targetit të përcaktuar të hetimeve, por mjafton të zbardhet vrasja e Ministrit kol. Ahmet Krasniqi, e Xhemail Mustafës, Ismet Racit, Shaban Manajt, Enver Malokut, Sebahate Tolajt, etj. etj. dhe, aty me ta zbardhet edhe vrasja e gazetarit Bardhyl Ajeti”, përfundon Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat