‘Alarmon’ deputeti shqiptar në Mal të Zi: Evropa të bëjë këtë gjë ose do t’i lihet hapësira ‘botës serbe’

Politika

‘Alarmon’ deputeti shqiptar në Mal të Zi: Evropa të bëjë këtë gjë ose do t’i lihet hapësira ‘botës serbe’

Nga: Naile Ejupi Më: 24 qershor 2024 Në ora: 21:54
Nikollë Camaj

Mali i Zi ka qenë kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2010 dhe më 2012 i hapi bisedimet për anëtarësim me Brukselin.

Ai cilësohet si lider në Ballkanin Perëndimor për këtë çështje, mirëpo gjersa hapi të gjithë kapitujt e procesit të anëtarësimit, i mbylli përkohësisht vetëm tre kapituj.

Pavarësisht faktit se vlerësohet si vendi më i avancuar në bisedimet për anëtarësim, që nga viti 2012, Mali i Zi nuk e ka pasur asnjë konferencë ndërqeveritare (që është brenda kornizës së bisedimeve për anëtarësim), për shkak të përparimit të pamjaftueshëm në procesin e reformave, që është hap shumë i nevojshëm për të shënuar përparim në bisedimet për anëtarësim.

Analistët deklarojnë vazhdimisht se ka mbështetje të Komisionit Evropian në përmbushjen e standardeve të përkohshme, por shprehin edhe shqetësimin se thellimi i fërkimeve politike mes forcave pro-perëndimore dhe atyre pro-ruse dhe pro-serbe mund ta ngadalësojnë këtë proces.

Në këtë kuadër ata e shohin si tejet të rëndësishme integrimin e Malit të Zi në BE për qëndrueshmërinë në vend dhe rajon.

Njëjtë mendon edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Malit të Zi, Nikollë Camaj, i cili thotë se Evropa nuk guxon të humb shumë kohë duke shtuar kërkesat.

Në një përgjigje për gazetën “Bota sot”, Camaj, thotë se integrimi i Malit të Zi në këtë moment, nuk është interes vetëm i tij apo i rajonit, por interes gjeopolitik.

“Mali i Zi zyrtarisht qëndron me perëndimin, edhe pse, siç e thash kemi forca politike që rreshtohen me Rusinë. Meqenëse përkrahja integrimeve evropiane te qytetarët e Malit të Zi është afër 80%, kjo dëshmon se rruga properëndimore nuk mund të devijohet, edhe pse ngjarjet e fundit, ka mundësi që të ulin këtë përqindje. Prandaj as Evropa nuk guxon të humb shumë kohë duke shtuar kërkesat, sepse integrimi i Malit të Zi në këtë moment, nuk është vetëm interes i këtij shteti, apo rajonit, por për me tepër është edhe interes gjeopolitik, prandaj duhet shfrytëzuar ky disponim. Përndryshe i lihet hapësira “botës serbe””, deklaron Camaj.

Ndryshe, Mali i Zi ka mbajtur të parakohshme parlamentare më 11 qershor dhe Lëvizja Evropa Tani formoi qeverinë.

Rreth rezultateve konkrete në politikën e brendshme dhe të jashtme gjatë këtij mandati të Qeverisë, deputeti Camaj, thotë se pret respektimin e marrëveshjes së nënshkruar për bashkëqeverisje.

Sipas tij, Mali i Zi, gjatë këtij mandati do duhej të harmonizojë plotësisht qëndrimet me BE-në, sidomos kur është në pyetje politika e jashtme dhe ajo sigurisë, bashkëpunimi i besueshëm me NATO-n, si edhe ruajtja e raporteve të mirë me fqinjët.

“Krejt çka pres nga kjo Qeveri, në këtë mandat, është që të respektohet marrëveshja e nënshkruar për bashkëqeverisje. Nëse ajo respektohet, standardi i qytetarëve do të rritet, infrastruktura do të përmirësohet, kurse me adaptimin e ligjeve, do të sigurohet e drejta e ligjit, ndalimi i korrupsionit, aneksimi i pasurisë së fituar me veprimtari kriminale dhe natyrisht, të avancohen të drejtat e veçanta të pakicave. Po ashtu, kur është në pyetje politika e brendshme pres se do të krijohet një kornizë më e përshtatshme zgjedhore, në mënyrë që të evitohen anomalijet e shumta që kanë përcjellë proceset zgjedhore në të kaluarën.

Sa i përket politikës së jashtme, Mali i Zi, gjatë këtij mandati do duhej të harmonizojë plotësisht qëndrimet me BE-në, sidomos kur është në pyetje politika e jashtme dhe ajo sigurisë, bashkëpunimi i besueshëm me NATO-n, si edhe ruajtja e raporteve të mirë me fqinjët”, shton deputeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat