Vuçiq në “vështirësi” para takimit me Kurtin, frikë apo strategji – çfarë fshihet pas bisedës telefonike me Macronin!

Politika

Vuçiq në “vështirësi” para takimit me Kurtin, frikë apo strategji – çfarë fshihet pas bisedës telefonike me Macronin!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 24 qershor 2024 Në ora: 19:59
Fotografi e realizuar gjatë një rundi bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel në maj të vitit 2023.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së, prej vitit 2011.

Ky dialog, tash e një kohë ka stagnuar, sa që nuk ka pasur as takime mes liderëve të Kosovës e Serbisë.

Mirëpo së fundi, u bë e ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksadar Vuçiq, do të takohen më 26 qershor në Bruksel për herë të parë këtë vit.

Menjëherë pas konfirmimit të këtij takimi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, telefonoi homologun e vet francez, Emmanuel Macron, ku i kërkoi që çështjet e rëndësishme për Serbinë, që ndërlidhen me Kosovën, të vazhdojnë të zënë vend të rëndësishëm në agjendën e Bashkimit Evropian (BE).

Vuciq shkroi në Instagram se ato duhet të jenë pjesë e agjendës “me një angazhim të fortë diplomatik, i cili synon realizimin përfundimtar të Marrëveshjes së Brukselit dhe me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si bazë për ndërtimin e paqes së qëndrueshme dhe garantimin e sigurisë për popullin serb”.

Pas kësaj telefonate, u hodhën dyshime mbi atë se çfarë kishin biseduar këta të fundit, marrë parasysh se Franca e Macron-it, nuk cilësohet shumë miqësore ndaj Kosovës.

Mirëpo, a do ketë Macroni mundësi për të ndryshuar rrjedhën e bisedimeve Kosovë-Serbi, mbetet të shihet pas takimit Kurti-Vuçiq.

Azemi: Nëse në krye të politikës së jashtme të BE-së vjen Kaja Kalas, atëherë ka shpresa që gjërat të ecin jo ashtu siç pret Serbia

Image
Emin Azemi

 

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti Emin Azmi.

Si fillim, ai tha se këtë bisedë mes Macronit e Vuçiqit duhet vlerësuar në dy aspekte, ku një prej tyre është ‘kërkimi i rrugëve më të përshtatshme diplomatike”.

“Kjo bisedë telefonike e presidentit serb, Vuçiq, duhet shikuar në dy aspekte:

E para, Serbia dhe politka e saj e jashtme tani ndodhet në kërkim të rrugëve më të përshtatshme diplomatike, që do të jenë në favor të saj, pas zgjedhjeve evropiane që u mbajtën ditë më parë dhe kur pritet të formohen institucione të reja në Bruksel dhe në Strazburg.

E dyta, Vuçiqi zgjodhi pikërisht presidentin francez Macron, sepse shpreson që ai do të jetë një garantues i procesit të dialogut, ku Beogradi synon të ketë më tepër përfitime. Mirëpo nuk besoj se kjo do të ndodhë për arsye se Makroni nuk i ka mirë punët në shtëpinë e vet, pas dominimit të konservatorëve që vijnë edhe nga Franca në BE-së”, deklaroi publicisti.

Sipas Azemit, pavarësisht këtyre përpjekje të presidentit serb, nuk do ketë ndryshime në BE që do shkojnë në favor të Serbisë.

Madje, tha se nëse në krye politikës së jashtme të BE-së vije Kaja Kalas, atëherë gjërat do shkojnë në favor të Kosovës.

“Por, pavarësisht angazhimeve diplomatike të Beogradit, në krye të institucioneve të BE-së do të ketë ndryshime dhe nuk mendoj se ato do të jenë shumë në favor të Serbisë. Kjo gjithsesi do të varet edhe nga ajo se kush do ta pasojë Borrelin, sepse nga kjo do të varet edhe dinamika e re e politikës së jashteme e BE-së ndaj Ballkanit. Nëse në krye të politikës së jashtme të BE-së vije Kaja Kalas, kryeminstre aktuale e Estonisë, atëherë ka shpresa që gjërat të ecin jo ashtu siç pret Serbia. Kjo edhe për faktin se zonja Kalas do të përfaqësojë një linjë të forte antiruse në BE, por edhe vet sentimenti i saj i trashëguar nga koha e hegjemonisë sovjetike, ku Estonia ishte një nga viktimat e kësaj hegjemonie, mjafton të shërbejë si kundërvënie ndaj politikave autoritare të ndikuara nga Moska, siç është vet regjimi i Vuçiqit”, theksoi ai.

Ndër të tjera, publicisti kishte edhe kritika për politikën e jashtme të BE-së dhe Borellin, sa i përket çështjes së Kosovës dhe dialogut të saj me Serbinë.

“Në politikën e jashtme të BE-së, ka kohë që në vend të parimeve përdoren standard të dyfishta dhe kjo erdhi si pasojë e përvojave të këqija të diplomatëve që kishin çështje të pazgjidhura etnike në shtetet e tyre, siç është rasti me Joseph Borrelin i cili gjatë gjithë kohës sa ishte në krye të BE-së vuante nga “kompleksi i Katalonisë”, dhe për pasojë edhe qasja e tij ndaj Kosovës ishte në kontekstin e këtij kompleksi.

Shpresojmë që në të ardhmen politika e jashtme BE-së të mos jetë e ndikuar nga komplekset e tilla dhe më së paku kjo politikë të ketë qasje joparimore ndaj Kosovës, dhe toleruse ndaj shantazheve të Serbisë, përfshi edhe mosdistancimin e saj nga politikat agresive të Putinit”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.

Mehazi: Macroni është më proserb sesa Vuçiqi

Image
Sulejman Mehazi

Ndërsa, profesori Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot” potenoci se Macron është një politikan që më shumë i shkakton probleme Kosovës, se sa që ia zgjidh ato.

Ai tha se Macroni, është më proserb sesa Vuçiq, ku telefonata e fundit tregoi miqësinë e tyre kundër Kosovës.

“Presidenti i Francës, Emmanuel Macroni, është njëri që më shumë bën probleme sesa qē zgjidh problemet në lidhje me Kosovën, dhe se nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, presidenti i Francës, Macroni, është më proserb sesa presidenti i Serbisë, Vuçiqi. Kjo përkrahje e Francës ndaj Serbisë nuk vërehet vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë, RMV dhe Mal të Zi. Kështu që telefonata e presidentit të Serbisē, Vuçiqit me presidentin e Francës tregon miqësi diplomatike në favor të Serbisë e kundër Kosovës”, u shpreh profesori.

Sa i përket qëllimit të kësaj bisede, Mehazi tha së është i dyanshëm, ku përfshihen sanksionet ndaj Kosovës dhe formimi i Asocacionit.

“Qëllimi i bisedës së Vuçiqit me Macronin është i dyanëshëm: një, Macroni të reagonte në shtetet e BE-së që Kosovës mos t'i hiqen sanksionet nga BE-ja, e dyta, të pengonte hovin e mbrojtjes së sovranitetit të kryeministrit të Kosovës Kurtit ndaj Vuçiqit që do dialogojne së shpejti në Bruksel, që Kurti të dorëzohej për asociacionet e pakicave serbe në Kosovë, po sipas dëshirës së Vuçiqit. Nuk ka dilema se veprimet e hekurta politike e diplomatike të kryeministrit Kurtit në çështjen e mbrojtjes së sovranitetit të Kosovës kanē zbuluar ndarjen e BE-së në atë properëndimore dhe në atë proruse”, vlerësoi ai.

Në fund, profesori kritikoi ashpër BE-në dhe qasjen ndaj Kosovës, ku konsideroi se në kuadër të dialogut është në anën e Serbisë.

“BE-ja ka humbur kompaktësinë unike politike, juridike e diplomatike, s'e është e përçarë sipas interesave politike dhe ekonomoke të shteteve brenda BE-së. Franca, Sllovakia, Spanja, Romania, Greqia, Qipro dhe Hungaria hapur përkrahin serbinë proruse, qartë shihet se përfaqësuesit evropianë të dialogut Kosovë-Serbi, Lajçak - Sllovaki, Borrell- Spanjë, Macron-Francë, po dhe Sholci – Gjermani padrejtësisht e turpërisht janë në anën e Serbisë gjenocidiale dhe kundër Kosovës së përvuajtur”, përmbylli Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat