Eksperti nga Uashingtoni zbulon pse do të mbahet takimi Kurti-Vuçiq: Hera e fundit, shumë e tensionuar

Politika

Eksperti nga Uashingtoni zbulon pse do të mbahet takimi Kurti-Vuçiq: Hera e fundit, shumë e tensionuar

Nga: A.ZH. Më: 24 qershor 2024 Në ora: 08:04
Adrian Shtuni

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se hapja e pakoordinuar e Urës së Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë dhe se e njëjta mund të komplikojë edhe më tej procesin e normalizimit.

Lajçak ka theksuar se çdo vendim në lidhje me urën e Ibrit duhet së pari të konsiderohet në dialog.

Vazhdimisht u kemi bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i adresojnë çështjet në dialog dhe të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara. Në këtë rast, hapja e pakoordinuar e urës kryesore të Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit. Hapja e urës në Mitrovicë është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – nga viti 2015 dhe 2016. Edhe pse jam dakord që ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të dakorduar”, ka thënë ai.

Se duhet të shmangen situatat që mund të sjellin dhunë e pasiguri në Kosovë, e pohon edhe Adrian Shtuni, ekspert i politikës së jashtme dhe sigurisë me bazë në Uashington.

Ai ka thënë për gazetën “Bota sot”, se vendimet për çështje të sigurisë, duhet të merren në koordinim me faktorin ndërkombëtar.

Në momentin kur po merren vendime për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, duhet të evitohen situatat, që mund të sjellin përplasje në terren, që mund të krijojnë dhunë e pasiguri, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshmërisë së lartë, si qarkullimi mbi urën e Ibrit.

Të gjitha veprimet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendit, duhet të merren në koordinim me partnerët strategjikë dhe KFOR-in”, ka deklaruar eksperti Shtuni.

Ai ka analizuar edhe pritjet për takimin e ardhshëm mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet të mërkurën (26 qershor).

Shtuni ka rikujtuar se udhëheqësit do të takohen pas 9 muajsh, që nga takimi i herës së fundit në shtator të vitit të kaluar, të cilin e ka vlerësuar si shumë të tensionuar.

Duke parë se si përfundoi takimi i fundit, i cili ishte i tensionuar, ku palët kishin çasje diametralisht të kundërta, pra ishin shumë larg njëra-tjetrës, unë pritshmëritë i kam mjaft modeste, pra janë minimale nga ky lloj takimi. Ky është më shumë një takim për riaktivizim të dialogut, jo për të arritur zgjidhje përfundimtare të ngërçit midis Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Shtuni.

Ai ka folur edhe për rrethanat, në të cilat do të mbahet takimi.

Nuk duhet të harrojmë se në çfarë kohe është duke ndodhur, pra si Borrell, ashtu edhe Lajçak, janë duke ndërruar shtëpi. Borrell është me një mandat teknik, pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian dhe përflitet se do të zëvendësohet nga Kaja Kallas, kryeministe e Estonisë, një kandidate mjaft pozitive për mendim tim, duke pasur parasysh qasjen mjaft të ashpër, që ka ndaj Rusisë dhe qasjen mjaft miqësore ndaj Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE.

Edhe Lajçak poashtu është në një zgjatje të përkohshme të mandatit. Kështu që në këtë moment, pritshmëritë e mia janë modeste, për një sërë arsyesh”, është shprehur eksperti i sigurisë.

Ndërsa, i pyetur për temat e mundshme të takimit të ri Kurti-Vuçiq, ai ka thënë se padyshim që do të përmendet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe. Sipas Adrian Shtunit, takimi i ri do të jetë vazhdim i diskutimit për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e Aneksit, që është dakorduar nga palët në Ohër, i cili ka ngelur dhe është pluhrosur në kohë.

Derisa nuk ka pasur ecje përpara, besoj se diskutimi do të rifillojë po aty ku ka mbetur, pra do të vazhdojë me diskutim për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e Aneksit, që është dakorduar nga palët në Ohër, i cili ka ngelur dhe është pluhrosur në kohë.

Kam përshtypjen padyshim që Asociacioni do të përmendet, sepse dihet që ai është problem esencial ku kanë ngelur gjërat. Çështja është se a do të kemi një qasje ndryshe për të ndërmarrë hapa konkretë praktikë, për të zbatuar marrëveshjet që janë arritur dhe jo të ketë një vazhdim të diskutimit në planin parimor, ideor, që nuk ndihmojnë në ecje përpara”, ka theksuar Shtuni për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat