Sërish presion për Asociacionin, analisti politik: Faji tek Thaҫi e Mustafa, ia bënë obligim Kosovës

Politika

Sërish presion për Asociacionin, analisti politik: Faji tek Thaҫi e Mustafa, ia bënë obligim Kosovës

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 23 qershor 2024 Në ora: 13:22
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

I dërguari i posaçëm dhe koordinatori i Qendrës për Angazhimin Global të Departamentit të Shtetit James Rubin pak ditë më parë tha se është vështirë të imagjinohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa njohje.

Ai tha se aktualisht ka shqetësime për mënyrën se si qeveria e Kosovës po luan rolin e saj në aspektin diplomatik, duke mos përmbushur kërkesën për krijimin e asociacionit.

“Qartazi ka shqetësime për mënyrën se si qeveria aktuale ka vepruar në aspektin diplomatik duke mos përmbushur (kërkesën) për krijimin e asociacionit. Por, thënë troç, jemi miq, jemi miq të mirë. Kjo është dëshmuar kur kam qënë në Kosovë, kur sekretarët e shtetit kanë vizituar Kosovën, kur Presidenti Clinton shkoi atje... populli i Kosovës dhe populli i Shteteve të Bashkuara nuk ka si të jenë më të afërt dhe nuk mendoj se ka dilemë rreth kësaj çështjeje. Por, po, në aspektin diplomatik, marrëdhëniet nuk janë aq të mira aktualisht, por kjo ndodh për shkak se çështja Kosovë-Serbi vazhdon të jetë barrë për banorët e rajonit”, ka thënë ai.

Duke marrë parasysh këtë deklaratë, a po ushtrohet trysni ndaj Kosovës për Asociacionin? A është fajtore Kosova për mos-normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, ashtu siҫ po ka deklarime të ndryshme nga zyrtarë ndërkombëtarë karshi Kosovës?

Lidhur me këtë presion dhe deklarimet e ndryshme ndërkombëtare, për ‘Bota sot’ kanë folur njohësit e ҫështjeve politike.

Duhanaj: Kosova çdo të arritur në afër katër dekada, e ka falë mençurisë diplomatike

Kështu, analisti politik, Leon Duhanaj duke komentuar deklaratën e zyrtarit amerikan, James Rubin, thotë se, deklarata e tij është pasqyrim i saktë i situatës.

Image
Leon Duhanaj

“Marrëdhëniet Kosovë -Serbi do të stabilizohen vetëm atëherë kur do të ketë marrëveshje e cila i mbyllë të gjitha çështjet e hapura, përfshi edhe njohjen reciproke. Megjithatë, mënyra se si kjo punë mund të ndodhë dhe mënyra se si qeveria Kurti e ka trajtuar këtë temë, janë diametralisht të kundërta. Kosova çdo të arritur në afër katër dekada, e ka falë mençurisë diplomatike, edhe vetë luftën e ka zhvilluar me mençuri, duke larguar çdo dilemë të dyshimit nga ne dhe duke bashkëpunuar afër me shtetet e QUINT. Këtë traditë e kanë ndjekur edhe në proceset negociuese politike, nga Rambuje në Vjenë e deri në pavarësi”, vlerëson ai.

Analisti Duhanaj thotë po ashtu se, kjo traditë ka qenë e fokusuar në atë linjë ku Kosova çdo marrëveshje e ka negociuar dhe arritur me faktorin ndërkombëtar, pa u brengosur se çfarë mendon Serbia për këtë punë.

“E vetmja është qeveria Kurti e cila ka kërkuar rivalitet të hapur me qeverinë e Serbisë, duke kalkuluar çdoherë në populizëm politik për konsum të brendshëm, ku në këtë pikë kanë gjetur gjuhë të përbashkët edhe me Serbinë. Kosova duhet të rikthej fokusin në përmirësimin e raporteve me shtetet e QUINT-it, të kërkoj dakordim me ta për tema me rëndësi, e tek pastaj të prezantojë idetë e përbashkëta në tavolinat negociuese. Nuk kemi çfarë orientohemi me qëndrimet serbe, sepse nëse këtë do ta bënim në vitet e 90-ta, me siguri që akoma do të jetonim në robëri. Në ketë kontekst, Kosovës i duhet një qeveri e aftë, e cila i shtynë proceset integruese përpara, pa u hamendur se çfarë mund të thotë Serbia apo a i pëlqen asaj apo jo”, vlerëson analisti.

Mehmeti: Tandemi Hashim Thaҫi-Isa Mustafa, përveҫ shumë të këqijave, i ka lënë Kosovës peng edhe Asociacionin

Image
Faton Mehmeti

Ndërkaq për analistin politik, Faton Mehmeti, Asociacioni ka mbetur një obligim i Kosovës që nga qeverisja Hashim Thaҫi-Isa Mustafa.

“Presioni është i natyrshëm për Asociacionin, është obligim që Kosova e ka marrë në vitin 2013. Tandemi Hashim Thaҫi-Isa Mustafa, përveҫ shumë të këqijave, i ka lënë Kosovës peng edhe Asociacionin”, vlerëson ai.

Sipas tij, është normale që kërkohet Asociacioni, por Kosova duhet të gjej mënyrën që të ‘gjuaj topin tek Serbia’.

“Kështu që është krejtësisht normale që të kërkohet Asociacioni, Kosova duhet të paraqes formulë të Asociacionit në mënyrë që të gjuaj topin te Serbia. Derisa rri në vend, Kosova nuk duhet të mbështetet për muri, por të paraqes altermativë për të larguar presionin, kryesisht atë amerikan. Serbia me Asociacion po i mbulon të gjitha të bëmat e saja”, thekson Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat