“Çfarë mori Serbia për ta rikthyer atë në tryezë”, Serwer hedh dyshime të forta për vendimin e Borrellit dhe takimin Kurti-Vuçiq

Politika

“Çfarë mori Serbia për ta rikthyer atë në tryezë”, Serwer hedh dyshime të forta për vendimin e Borrellit dhe takimin Kurti-Vuçiq

Nga: A.Zh Më: 23 qershor 2024 Në ora: 11:00
Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer, ka mirëpritur rekomandimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Për gazetën “Bota sot”, Serwer ka supozuar se vendimi i Borrellit lidhet me dialogun, teksa ka hedhur dyshime se Serbia ka marrë “diçka” për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve në Bruksel.

“Kjo është e mirëseardhur edhe nëse është e vonuar. Unë supozoj se ky vendim lidhet me rifillimin e dialogut. Çështja është se çfarë mori Serbia për ta rikthyer atë në tryezë”, ka deklaruar eksperti.

Pak para largimit nga posti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Sipas raportimit nga burime të Radio Evropa e Lirë, Borrell ka thënë se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara".

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.

Në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, të mërkurën e ardhshme do të mbahet takimi i radhës mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Kjo do të jetë hera e parë e takimit mes tyre, që prej 14 shtatorit të vitit të kaluar. Të dy udhëheqësit nuk janë takuar që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar.

E analisti i Ballkanit, ka thënë se pret që të dy udhëheqësit të diskutojnë për çështje praktike.

“Unë nuk e di. Duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të sjellë takimi. Shpresoj se ata do të fokusohen në zgjidhjen e çështjeve praktike”, ka thënë Daniel Serwer për “Bota sot”.

Takimi i ri Kurti-Vuçiq, është konfirmuar edhe nga Qeveria e Kosovës. Zëdhnësi Përparim Kryeziu, ka thënë se “fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj”./Botasot

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat