Përballja Kurti-Vuçiq, një takim me shumë të panjohura - çfarë pritet të ndodhë në Bruksel?

Politika

Përballja Kurti-Vuçiq, një takim me shumë të panjohura - çfarë pritet të ndodhë në Bruksel?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 23 qershor 2024 Në ora: 09:00
Foto gjatë takimit mes Kosovës dhe Serbisë

Pas një kohe të gjatë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve.

Ky takim u konfirmua edhe nga Qeveria e Kosovës, ku zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu tha se fokusi kryesor i takimit do të jetë zbatimi i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj.”.

“Në fokus kryesor ky takim do të ketë zbatimin e marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj, dhe rrugën përpara”, ka thënë Kryeziu.

Ndërsa, nga Bashkimi Evropian ende nuk kanë dhënë detaje lidhur me agjendën e takimit Kurti-Vuçiq.

Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Batusha: Pritet të diskutohet se si të ecet tutje në dialog, të rishikohen qëndrimet e palëve

Image
Agon Batusha

E këtë takim në një prononcim për “Bota sot”, e komentoi deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha.

Sipas tij, temë kryesore do jetë vazhdimësia e dialogut, si dhe do rishikohen qëndrimet e të dy palëve.

“Takimi bëhet pas një kohe të gjatë dhe natyrisht pritet të diskutohet se si të ecet tutje në dialog, të rishikohen qëndrimet e palëve dhe të sqarohet situata me marrëveshjen bazike të Brukselit dhe aneksin e Ohrit”, deklaroi Agon Batusha.

Kujtojmë se, për herë të fundit, Kurti dhe Vuçiq u takuan në Bruksel më 14 shtator të vitit 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim.

Ukshini: Mendoj se ky takim bëhet sa për ta bërë zakonin e radhës

Image
Sylë Ukshini

Ndërsa, profesori, njëherësh ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini tha se nuk mund të priten rezultate nga takimi Kurti-Vuçiq.

Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” radhti disa nga arsyjet pse parashikon një gjë të tillë.

“Në kontekstin aktual, kur Beogradi po e bënë gjithnjë e më të qartë idenë se doktrina e Serbisë së Madhe është akoma gjallë, që u dëshmua edhe në takimin e fundit panserb, dhe kur në Beograd edhe pas 25 vitesh ka një mohim të krimeve të bërë mbi shqiptarët e Kosovës, dhe kur lajtmotiv i Beogradit është pengimi i integrimit të Kosovës në sistemin ndërkombëtar, dhe kur në Kosovë për çdo ditë zbulohet armatim i ardhur ilegalisht nga Beogradi, dhe kur edhe më tej glorifikohet agresioni ushtarak i Bansjkës, nuk mund të pritet asnjë rezultat. Mendoj se ky takim bëhet sa për ta bërë zakonin e radhës”, deklaroi ish-ambasadori.

Gjithashtu, Ukshini potencoi se BE ka hequr dorë nga objektivat fillestare arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“Nuk është ndonjë fshehtësi, nëse themi se BE më shumë se për progres, është i interesuar për mirëmbajtjen e status quo-së në raportet Kosovë-Serbi. Nëse OKB në vitet 1999-2007 arriti të etablonte me sukses administratën dhe institucionet dhe në harkun kohor 2006-2007 ta adresonte statusin final të Kosovës, madje edhe SP Ban Kimonn ta mbështeste Planin e Ahtisarit, BE-ja në harkun kohor 2011-2024, herë diskuton për një urë lumi Ibër, e herë për atë se a duhet të rikthehet dinari serb si monedhë legale brenda Kosovës, dhe ndërkohë ka hequr dorë nga objektivat fillestare arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, ish-ambasadori kishte disa kritika për ndërmjetësit evropianë dhe qasjes së tyre ndaj Kosovës.

“Për mua gjëja më absurde dhe më e pakuptim mbetet kur zyrtarët evropianë dhe ndërkombëtar përvetësojnë naracionin serb se përdorimi i valutës euro në veri të vendit është “presion për spastrim etnik”, ndërsa kërkesat për hapjen e një ure mbi lumin Ibër është “veprim i njëanshëm që çon kah destabilizimi i situatës”. Si mund të thuhet kjo 35 vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe mbi dy dekada pas vendosjes në përdorim të Euros si valutë zyrtare dhe 25 vite pas vendimit të Bernarrd Kouchnerit për suspendimit të dinarit serb. Në shumë drejtimi, mënyra e sjelljes së ndërmjetësve evropianë është larg nivelit të zyrtarëve të OKB-së (1999-2007), domethënë në kohën kur Kosova akoma nuk ishte shtet”, u shpreh Sylë Ukshini.

Halimi: Shpresoj shumë që ky takim, do t’i shtyjë proceset përpara nga dy palët

Image
Jeton Halimi

Kurse, Jeton Halimi, drejtor ekzekutiv i Institutit për Studime Evropiane dhe Globale shpreson që të ketë rezultate pozitive nga takimi Kurti-Vuçiq.

Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot” përmendi edhe dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese.

“Kryeministri ynë, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të bisedimeve

Shpresoj shumë që ky takim, do t’i shtyjë proceset përpara nga dy palët, si nga Kosova po ashtu edhe nga Serbia, z. Kurti duhet ta dërgoj draft statutin e Asociacionit të dhënë nga BE-ja në Gjykatën Kushtetues, si filteri i fundit para themelimit të “Zajednicës”.

Krahas kësaj, Halimi përmendi edhe sanksionet e BE-së, derisa kishte edhe disa kritika për qeverinë Kurti.

“Kosova është nën saksione nga BE-ja dhe ka regres të madh në shtyllat kryesore në ekonomi, drejtësi nuk ka rritje të punësimit në vendin tonë.

Qeveria Kurti 2 kishte premtuar shumë për popullin e Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti vazhdon sagën e propagandës së tij të, ku përmes manipulimit të shifrave e krahasimeve jo reale “tregon” se sa është rritur bruto produkti i vendit në terma nominal (përfshi inflacionin dy-shifrorë gjatë mandatit të tij), në krahasim me shekullin e kaluar, segmenet e tij vazhdojnë me nënshkrimin e kontratave sekrete një burimore, që është kundërshtim me ligjet e aplikushëm në vendin tonë”.

Në fund, ai tregoi arsyen që po kërkohen zgjedhjet e parakohshme, derisa potencoi se nisma e LVV-së ka dështuar.

“Kryeministri Albin Kurti është dorëzuar totalisht. Asnjë banesë për çiftet e reja. Asnjë rrugë e përfunduar. Me dy-tri çerdhe të nisura e 160 të premtuara. Me shtrenjtim të rrymës. Me dështime të njëpasnjëshme në arsim e shëndetësi.

Tash partia në pushtet është në panik, sepse i dështoi nisma për ta instrumentalizuar dhe nënshtruar opozitën me zgjedhje e duke u shitur viktimë”, përmbylli Jeton Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat