“Bëhet fjalë për një fond të majmë”, Ramabaja befason me detajet mbi takimin Kurti-Vuçiq – përmend ‘planin cinik’ të Borrellit!

Politika

“Bëhet fjalë për një fond të majmë”, Ramabaja befason me detajet mbi takimin Kurti-Vuçiq – përmend ‘planin cinik’ të Borrellit!

Nga: A.M. Më: 22 qershor 2024 Në ora: 14:16
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq/Foto ilustrim nga "Bota sot"

Së fundi, u konfirmua se, më 26 qershor në Bruksel, do të zhvillohet një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Menjëherë pasi u konfirmua ky takim, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se gjatë një bisede telefonike i ka kërkuar homologut të vet francez, Emmanuel Macron, që çështjet e rëndësishme për Serbinë, që ndërlidhen me Kosovën, të vazhdojnë të zënë vend të rëndësishëm në agjendën e Bashkimit Evropian (BE).

E këtë kërkesë të Vuçiq për Macronin dhe takimin e tij me Kurtin, e ka komentuar profesori Sadri Ramabaja.

Ai në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se ky takim u organizua nga Borrell, me të vetmin qëllim, që t’i ndihmojë Serbisë.

Madje, profesori përmendi edhe një fond prej 200 mijë euro.

Image
Sadri Ramabaja.

“Takimi i organizuar nga Josep Borrell, bëhet pikërisht për t'i ndihmuar Serbisë.

Bëhet fjalë për një fond të majmë, mbi 200.0000 që janë të kushtëzuara përmes dialogut.

Presidenti serb komunikon drejtpërdrejt me presidentin e Francës, Marcon, i bindur se edhe kësaj radhe, ai do të jetë i gatshëm ta fus nën çilim aktin e agresionit serb më 24 shtator 2023, ashtu si edhe pengesat reale, respektivisht sabotimin që Beogradi po vazhdon t'i bëjë Marrëveshjes bazë të Brukselit”, shpjegoi ai.

Krahas kësaj, profesor Ramabaja shtoi se Kurtit iu bë presion për të shkuar në takim me Vuçiqin.

“Ndërkaq pala kosovare është e shtrënguar të vete në takim, meqë kjo është e vetmja rrugë që parandalon sjelljen asimetrike të dyshes Borell-Lajqak.

Në këtë kuadër Komisioni Europian do ta ketë më lehtë, përkundër pengesave serioze të Hungarisë, të marrë vendim për heqjen e masave, qoftë edhe në plan përshkallëzuar”, përfundoi Sadri Ramabaja për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat