“Më në fund Borrell e ka parë dritën”, ish-ambasadori holandez tregon a do të dorëzohet Vuçiq para Kurtit të mërkurën

Politika

“Më në fund Borrell e ka parë dritën”, ish-ambasadori holandez tregon a do të dorëzohet Vuçiq para Kurtit të mërkurën

Nga: A.Zh Më: 22 qershor 2024 Në ora: 10:06
Robert Bosch

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të mërkurën e ardhshme (26 qershor), do të takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Kjo do të jetë hera e parë e takimit mes tyre, që prej 14 shtatorit të vitit të kaluar, të dy udhëheqësit nuk janë takuar që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar dhe nuk dihet nëse do të preket edhe kjo temë në takimin e ri.

Pritje të mëdha nga ky takim nuk ka ish-ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Kosovë Robert Bosch. Për gazetën “Bota sot”, ai ka deklaruar se Vuçiq nuk do të dorëzohet, derisa e ka mbështetjen e ambasadorit amerikan Chritopher Hill në Beograd.

“Unë nuk jam optimist për takimin e 26 qershorit, pasi Vuçiq nuk do të dorëzohet kurrë pasi ai kishte ende mbështetjen si të ambasadorit Hill për shembull”, ka thënë Bosch.

Deri më tani, Bashkimi Evropian dhe as liderët nuk kanë bërë të ditur temat që pritet të diskutohen në takim. Por, mbi temat që do të diskutohen nga Kurti dhe Vuçiq të mërkurën, emisari special i BE-së Miroslav Lajçak i tregoi pak në një intervistë të para disa ditëve.

“Janë disa çështje që mund të zgjidhen vetëm në nivel liderësh, ndër to është zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe rruga përpara. I takon liderëve të ofrojnë qeverisje politike, e cila më pas do të monitorohet në nivele të ndryshme. Ekziston gjithashtu nevoja për të theksuar atë që është arritur në periudhën e kaluar. Pra, ne e shohim absolutisht nevojën për të vazhduar punën tonë në një nivel të lartë”, kishte thënë Lajçak.

Ai ritheksoi se propozimi i fundit i BE-së është që Kosova të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të fillojë zbatimin e obligimit për njohjen e Kosovës dokumente, institucione dhe simbole.

Pak para largimit nga posti i përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Sipas raportimit nga burime të Radio Evropa e Lirë, Borrell ka thënë se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara".

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.

Këtë vendim të tij, ish-ambasadori holandez e sheh si të vonuar.

“Dhe Borell tani që ai po largohet, më në fund e ka parë dritën, por shumë vonë siç duket. Shpresojmë se lidershipi i ri i BE-së do të jetë më i ekuilibruar në këtë konflikt”, ka thënë Bosch.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat