“Vuçiq, si “djali politik” i Sheshelit nuk hoqi dorë”/ Martinov jep paralajmërim për vitin 2025: Do shfaqen forcat...

Politika

“Vuçiq, si “djali politik” i Sheshelit nuk hoqi dorë”/ Martinov jep paralajmërim për vitin 2025: Do shfaqen forcat...

Nga: Naile Ejupi Më: 22 qershor 2024 Në ora: 10:05
Aleksander Vuciq

Serbia nuk është duke i ndalë provokimet e saj, por edhe deklaratat kërcënuese.

Ajo tashmë po bën hapa drejt “botë serbe” dhe javë më parë ka mbajtur edhe një tubim me moton “kuvendi gjithë-serb”.

Në këtë Kuvend pjesëmarrës përveç akterëve polotikë serbë, ishte edhe presidenti i Bonjës, Millorad Dodik, e po ashtu edhe pjesëtarët e Listës Serbe.

Ky Kuvend kishte për qëllim vërtetimin e unitetit serb.

Madje, në atë Kuvend është miratuar edhe një deklaratë. Aleksandar Vuçiq, për këtë deklaratë ka thënë se i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje - Hercegovinë, dhe nuk përmendet përçarja në atë shtet.

Megjithatë, deklarata duhet të miratohet nga Parlamenti i Serbisë dhe ai i Republikës Serpska brenda 90 ditëve.

Po ashtu, presidenti serb ka thënë se ky dokument përmend edhe Kosovën edhe Rezolutën 1244.

“E kemi përmendur qartë edhe dialogun si rrugë thelbësore për zgjidhje të problemeve mes nesh dhe shqiptarëve. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç dialogut”, ka thënë ai.

Përgjatë takimit është insistuar në, siç është thënë, “përdorimin e emrit të plotë të provincës jugore serbe - Kosova dhe Metohija” - si referencë për shtetin e Kosovës.

Këto veprimet e Serbisë i ka komentuar për “Bota sot”, edhe publicisti serb Zlatoje Martinov, i cili thotë se Vuçiqi nuk hoqi dorë nga politika e Millosheviçit dhe Sheshelit.

Sipas tij, ai po përpiqet ta normalizojë politikisht idenë e “botës serbe”.

“"Bota serbe" e Vuçiqit është një eufemizëm për "Serbinë e Madhe" të Milošebić-it dhe Sheshelj-it. Vuçiq, si “djali politik” i Vojisllav Sheshelj, nuk hoqi dorë nga ajo politikë, përkundrazi. Ai po përpiqet ta normalizojë politikisht këtë ide me aktivitete agresive diplomatike. Veprimet e tij të fundit në këtë kuptim kundër miratimit të Rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë e kanë treguar qartë këtë”, shprehet Martinov.

Sipas publicistit serb, Vuçiq është duke mbështetur fitoren e Trumpit dhe ky i fundit nuk është shumë i interesuar për Ballkanin e as për Evropën.

“Vuçiq po mbështet në forcimin e ekstremit të djathtë në Evropë dhe uron fitoren e Trumpit në Amerikë. Fitorja e Trump mund të ketë pasoja shumë të këqija për Kosovën, sepse Trump nuk është shumë i interesuar për Ballkanin e as për Evropën, ai është politikisht i prirur për të përmbysur rendin demokratik euroatlantik botëror të vendosur në vitin 1945 pas fitores ushtarake mbi fashizmin. Format e reja të fashizmit, të mishëruara në nacionalizmin e fortë, populizmin, sovranitetin, kundërshtimin e fortë ndaj globalizmit dhe çdo forme të institucioneve mbi kombëtare, po forcohen në vetë Amerikën. Trump është mishërimi i tendencave të tilla. Fitorja e Trump do të ishte një ndihmë e vërtetë për Putinin dhe populistët evropianë (lexo: fashistët). Kosova atëherë mund të humbasë favorin e SHBA-së, aleatit të saj kryesor. Vuçiq po mbështet në këtë”, shton publicisti.

Gjersa, Kosova tashmë ka deklaruar se do ta dërgojnë një draft të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatë Kushtetuese, publicisti serb, thotë se Kurti duhet ta mos vonojë atë sepse asociacioni do të tregonte bashkëpunimin e BE-së dhe SHBA-së me të.

“Prandaj Kurti po bën një gabim politik dhe diplomatik duke vonuar formimin e komunave me shumicë serbe (ose së paku duke e referuar atë version evropian në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim, gjë që do t'i tregonte BE-së dhe SHBA-së bashkëpunimin e tij). Një plejadë e re potenciale politike, antidemokratike e forcave në botë që mund të shfaqet që në vitin 2025 nuk do të favorizonte Kurtin, por Vuçiqin, Putinin dhe të gjithë autokratët në Evropë dhe në botë”, shton Martinov.

Ndryshe, më 26 qershor në Bruksel do të mbahet takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat