Analistët me paralajmërim të fuqishëm për bisedimet, zbulojnë planin e Lajçakut – kështu po synon ta përmbyllë dialogun!

Politika

Analistët me paralajmërim të fuqishëm për bisedimet, zbulojnë planin e Lajçakut – kështu po synon ta përmbyllë dialogun!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 qershor 2024 Në ora: 08:03
Lajcak- Kurti- Vuciq

Dialogu Kosovë – Serbi, po vazhdon të mbetet temë e disktuuar çdo ditë e më shumë.

Vizitat, deklaratat dhe paralajmërime të shumta po kemi nga ndërkombëtarët duke kërkuar edhe një marrëveshje finale.

E së fundmi, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ishte të martën në Kosovë, nga ku njoftoi se do të mbetet në këtë pozitë deri në fillim të vitit të ardhshëm.

Megjithëse mandati i tij i rregullt përfundon në fund të gushtit dhe nga 1 shtatori do të duhej ta niste punën si ambasador në Zvicër, ai tha se i është kërkuar që të mbajë edhe pak pozitën që ka dhe se ka shumë punë për të bërë deri sa të largohet përfundimisht.

Vizita në Prishtinë, e më pas edhe në Beograd, ai tha se “ka të bëjë me mënyrën e ripërqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrim”.

“Ne e kemi një marrëveshje, duhet ta përshpejtojmë zbatimin e saj”, tha Lajçak pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Për të fituar qasje në këto fonde, Lajçak tha se Kosova dhe Serbia e kushtëzohen me angazhim konstruktiv në dialog.

Lajçak u shpreh se as Kosova dhe as Serbia s’mund të bëhen anëtare të BE-së përpara se të finalizohet marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Ai tha se është i bindur se “përfundimisht Asociacioni do të themelohet”, duke shtuar se “Kosova është e obliguar ta bëjë këtë sipas ligjit ndërkombëtar”.

Mirëpo, bazuar me deklaratën e Lajçak dhe paralajmërimëve të tij a do të kemi hapa konkret për dialogun?

Elezaj: Pala serbe nuk do ta ndryshon qasjen në dialog me Kosovën dhe shqiptarët, do të kemi dialog dhe takime koti mes dy palëve

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Rexhep Elezaj.

Ai thotë se Lajçak me vizitën e tij në Prishtinë po mundohet të shtyj procesin e dialogut nga ana e BE-së.

Sipas tij, shtyrja e mandatit të Lajçakut lidhet me mundësinë për ta përmbyllë me sukses mandatin e tij, që nuk mundi tash e sa kohë është ndërmjetës.

“Vizita e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. M. Lajçak, në Prishtinë, vjen në vazhdën e përpjekjeve të BE-së për shtyrjen e këtij dialogu më tutje, meqë i njëjti ka 9 muaj që gjendet në një “Status-quo”, dhe atë për shumë shkaqe, mbase shkaktari kryesor i ngecjes së këtij dialogu, është pa dyshim, personalisht presidenti serb, A. Vuçiq, i cili që kur e udhëheq palën serbe në këtë dialog, ka përdorur taktikën perfide të stilit, “zhagit e mos këput”, me prapavijë djallëzore, që në asnjë mënyrë mos ta sjellë Serbinë në pozitën që i duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Prandaj, duke qenë se strukturat e BE-së janë ende në fazën e konstituimit të organeve të reja, të dala nga zgjedhjet e fundit, garnitura në ikje është duke e bërë përpjekjen e fundit, që raportin për punën e saj pesëvjeçare ta përmbyllë me sa më shumë suksese, përfshirë këtu dialogun Kosovë-Serbi, i cili gjatë udhëheqjes së tyre (Borrell-Lajçak), përveç Marrëveshjes së re, Planit franko-gjerman, i arritur në Bruksel me 27 shkurt dhe Aneksit në Ohër, në mars 2023, në realitet BE-ja në mandatin e saj si dhe me ndërmjetësuesin, z. Lajçak, për fat të keq, nuk arriti që këtë dialog ta përmbyllë me marrëveshjen finale për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, gjë që është ky një dështim i madh politik i BE-së”, u shpreh ai.

Image
Rexhep Elezaj

Më tej, analisti theksoi që nuk mendon se do të ketë zhvillim konkret në takimin e radhës Kurti-Vuçiq.

Ndër të tjera, Elezaj shton që pala serbe nuk do ta ndryshon qasjen në dialog me Kosovën dhe shqiptarët, do të kemi dialog dhe takime koti mes dy palëve.

“Kështu që, vizitën e z. Lajçak në Prishtinë, duhet shikuar nga ky prizëm, dhe jo se kjo vizitë mund të sjellë ndonjë sukses para ikjes së tij nga roli i ndërmjetësuesit, e që thënë sinqerisht, ka qenë një misionar mjaft aktiv, kontributin e të cilit qeveria e Kosovës nuk duhet ta mohojë.

Se, a do të ketë ndonjë zhvillim të ri në çuarjen përpara të dialogut Kosovë-Serbi, përfshirë edhe takimin e ardhshëm Kurti-Vuçiq në Bruksel, me 26 të këtij muaji, mendoj se nuk do ketë asnjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes Brukselit dhe Ohrit, ngase siç e thash më lartë, është A. Vuçiq, ai i cili do vazhdojë me stilin e tij të deritanishëm, premto në Bruksel dhe moho në Beograd atë që e gënjen para faktorëve ndërkombëtarë, siç ishte rasti me marrëveshjen e arritur në Ohër, ku verbalisht e pranoi atë, ndërsa kur arriti në Beograd e mohoi atë para opinionit serb, se e kishte pranuar marrëveshjen prej 11 pikave.

derisa pala serbe nuk do ta ndryshon qasjen në dialog me Kosovën dhe shqiptarët, do të kemi dialog dhe takime koti mes dy palëve, dhe, këtë fakt uroj që ta kuptojë më mirë garnitura e re udhëheqëse e BE-së, ngase kjo në ikje gjatë tërë kohës ishte hapur në anën e Serbisë”, nënvizon ndër të tjera Elezaj për “Bota sot”.

Duhanaj: Nuk do të kemi vonesa në proces dhe shumë shpejt do të rifilloj dialogu me emisar të ri

Ndërsa, analisti tjetër politik Leon Duhanaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që vizita e Lajçak më shumë ishte një rifreskim të bisedimeve që shumë shpejt do ta përmbyllë.

“Për fat të keq, në tre vitet e fundit ka pasë vetëm regres”, potencon tutje analisti.

“Siç e dimë, emisari special për dialogun Kosovë - Serbi, do të përfundojë mandatin e tij. Në ketë kontekst, mendoj që kjo vizitë është njëfarë update para se ta përmbyllë edhe zyrtarisht këtë mandat. Atij i duhet ta dorëzojë një raport të strukturuar mbi aktivitetin e tij dhe mbi gjendjen momentale në dialog. Për fat të keq, në tre vitet e fundit ka pasë vetëm regres. Për shumë gjëra është fajtor ai vetë, mirëpo edhe palët në dialog”, foli ai.

Image
Leon Duhanaj

Në fund, analisti përmbylli deklaratën që sipas paralajmërimeve, dhe rezultateve në zgjedhjet e BE-së, nuk do të kemi vonesa në proces dhe shumë shpejt do të rifilloj dialogu me emisar të ri.

“Megjithatë, ai nuk besoj që në raport do t'i precizoi dështimet e veta, sa do të pasqyroi destruktivitetin e palëve. Sipas paralajmërimeve, dhe rezultateve në zgjedhjet e BE-së, nuk do të kemi vonesa në proces dhe shumë shpejt do të rifilloj dialogu me emisar të ri. Për e si Kosovë, tashmë mbetet të fillojmë të sillemi si shtet serioz, e mos ta luajmë kamikazin diplomatik, duke krijuar armiq gjithandej. Kosova nuk e ka luksin të qeveriset nga praktikantë të cilëve përpos dijes u mungon edhe përgjegjshmëria dhe ndërgjegjja”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat