Vendimi i Borrellit - deklarohet eksperti nga Brukseli dhe ja çka paralajmëron për takimin Kurti-Vuçiq

Politika

Vendimi i Borrellit - deklarohet eksperti nga Brukseli dhe ja çka paralajmëron për takimin Kurti-Vuçiq

Nga: A.ZH. Më: 21 qershor 2024 Në ora: 22:01
Toby Vogel

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.

Sipas raportimit nga burime të Radion Evropa e Lirë, Borrell ka thënë se “vendimi nga ana e Këshillit do të ishte sinjal politik dhe do të kontribuonte në kontekstin e balancuar në të cilin dialogu Prishtinë-Beograd, që lehtësohet nga BE-ja, mund të ecë përpara".

“Duke marrë parasysh hapat që ka ndërmarrë Kosova drejt përmbushjes së kërkesave të BE-së të shprehura në deklaratën e 3 qershorit të vitit 2023, përfaqësuesi i lartë i rekomandon Këshillit që të marrë qëndrimin e heqjes së masave ndaj Kosovës, në të njëjtën kohë duke respektuar prerogativat institucionalë”.

Vendimin e Borrellit e sheh si të vonuar Toby Vogel, bashkëpunëtor i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Bruksel. Duke folur për gazetën “Bota sot”, Vogel ka paralajmëruar se heqja e plotë e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, do të bëhet pjesë-pjesë, pasi nuk ka unanimitet në Këshill.

Vendimi i Borrellit ishte shumë i vonuar; në fakt, masat e përkohshme dhe të kthyeshme nuk duhet të ishin futur kurrë, duke qenë se Beogradi nuk është përballur me ndonjë pasojë për Banjskën, refuzimin e tij për të nënshkruar marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, apo refuzimin zyrtar të të gjithë premisës së dialogut – një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme normalizimi. Në çdo rast, duket se heqja e plotë e masave nuk do të sjellë unanimitet në Këshill, ndaj do të duhet të bëhet pjesë-pjesë”, ka deklaruar eksperti në Bruksel.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të mërkurën e ardhshme do të takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Kjo do të jetë hera e parë e takimit mes tyre, që prej 14 shtatorit të vitit të kaluar, Të dy udhëheqësit nuk janë takuar që nga sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator të vitit të kaluar dhe nuk dihet nëse do të preket edhe kjo temë në takimin e ri.

Këtë proces të dialogut, Vogel e vlerëson si të “vdekur”. Ai ka rikujtuar se derisa Kurti refuzon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Vuçiq e ka luajtur shumë mirë “komunitetin ndërkombëtar”.

“Bazat pas vdekjes së ngadaltë të dialogut vazhdojnë të jenë në vend. Kurti refuzon zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe përderisa nuk ka lëvizje për qëllimin e përgjithshëm të dialogut (normalizimi), ndërsa Vuçiq po ballafaqohet nga BE-ja dhe SHBA-ja, pavarësisht mashtrimit të tij flagrant zgjedhor, refuzimit të parimit të dialogut, lidhjeve të tij të ngushta në Moskë dhe promovimin e politikanëve të lartë të lidhur me Kremlinin në qeverinë e tij të re. Vuçiq e ka luajtur shumë mirë “komunitetin ndërkombëtar”, ndërsa Kurti ka bërë gjëra në radhë të parë për elektoratin e tij vendas. Për sa kohë që këta faktorë bazë mbeten në vend, e kam të vështirë të shoh se si procesi mund të prodhojë një përparim”, ka theksuar Toby Vogel për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat