Rikthehet “përballja” Kurti-Vuçiq, Bytyçi zbulon kërkesat e Borrellit dhe Lajçakut – ja pse Macron nuk do i ndihmojë Serbisë!

Politika

Rikthehet “përballja” Kurti-Vuçiq, Bytyçi zbulon kërkesat e Borrellit dhe Lajçakut – ja pse Macron nuk do i ndihmojë Serbisë!

Nga: A.M. Më: 21 qershor 2024 Në ora: 20:03
Albin Kurti, Joesp Borrell, Aleksander Vuçiq, foto ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel më 26 qershor, për të zhvilluar rundin e ri të dialogut për normalizim të raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Takimi u konfirmua nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano si dhe nga Qeveria e Kosovës.

Ky takim i nivelit të lartë në kuadër të dialogut do të ndërmjetësohet nga përfaqësuesi i lartë i bllokut për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Në lidhje me këtë takim, në një bashkëbisedim me “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.

Fillimisht, ai tregoi se pse u vonua dhe kaloi kaq kohë për një takim mes Kurtit e Vuçiqit, derisa potencoi se disa shtete evropiane, po promovjnë interesat serbe në Kosovë.

“Më 26 qershor, pra të mërkurën e ardhshme, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq do të takohen sërishmi në Bruksel. Eshtë takimi parë i këtij viti. Madje ata nuk u takuan më që prej tetorit të vitit të kaluar. Borrell dhe Lajçak nuk mundën të organizojnë ndënjë takim të dytë pas ngjarjeve të Banjskës, edhe pse ata patën ndihmën e pakursyer të Gabriel Escobar. Për mendimin tim, refuzuesi i madh ishte presidenti i Serbisë. Ai në dhjetorin e vitit të kaluar zhvilloi zgjedhjet parlamentare dhe lokale e në këto kushte nuk kishte asnjë interes të takohej me kryeministrin e Kosovës. Më pas i duhej të përsëriste zgjedhjet lokale në disa bashki të Serbisë dhe për këtë shkak nuk tentoi asnjëherë të zhvillonte ndonjë raund bisedimesh.

Në vend të Kurtit dhe Vuçiq biseduan vazhdimisht dy pëerfaqësuesit e të dy vendeve, Bislimi dhe Petkoviç. Këta po. Shkuan në Bruksel dhe biseduan disa herë për të rënë në një marrëveshje për përdorimin e dinarit në Kosovë, derisa vendimi i BQK për mospërdorimin e monedhës serbe u harrua. Tani kaloi edhe ajo virozë. Siç kaluan virozat e mëparshme, promovimi i kryetarëve të komunave në veri, votimi për (mos) shkarkimin e tyre, çeshtja e targave, dokumenteve, sekuestrimeve të tokave për interes publik, etj. Por po harrohet bashkë me këto edhe ngjarja e Banjskës, akti terrorist serb në territorin e Kosovës. Dhe nëse ndodh kjo, atëherë ai akt terrorist do të përsëritet. Sigurisht me përkujdesjen e disa vendeve europiane, të cilat promovojnë interesat serbe në Kosovë”, deklaroi profesori.

Image
Enver Bytyçi.

“Deri me 20 nëntor askush nuk do t’ia dijë se çfarë ndodh me Kosovën e Serbinë”

Sipas Bytyçit, përmes takimit Kurti-Vuçiq, po tentohet të ‘ringjallet’ dialogu, ku këtë e ndërlidhi me zgjedhjet e fundit në BE dhe SHBA.

“Tani Kurti dhe Vuçiq do të takohen së bashku për të rigjallëruar procesin e dialogut. Por është kohë me temperatura shumë të larta jo vetëm natyrore, por edhe politike. Në Bruksel janë të zënë me përzgjedhjen e emrave që do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme Bashkimin Europian. Në SHBA janë të zënë tashmë me fushatën presidenciale. Ajo hyn në fazën vendimtare të saj. Deri me 20 nëntor askush nuk do t’ia dijë se çfarë ndodh me Kosovën e Serbinë. Edhe Brukseli gjithashtu deri në fund të shtatorit nuk e ka menden se çfarë bën Borreli dhe Lajçaku, të dy në largim e sipër. Kosova përgatitet në vjeshtë të hyjë në zgjedhjet e reja parlamentare”.

Në vazhdim, profesori potencoi se nuk do ndërmirret ndonjë hap i rëndësishëm pas këtij takimi.

Derisa, ai komentoi edhe telefonatën e fundit të Macron me Vuçiqin, ku tha se kërkesa kryesore ishte Asociacioni.

“Kurti do të këmbëngulë për nënshkrim, Vuçiq do të thotë se e ka dorën të sëmurë”

“Ndaj, sipas të gjitha gjasave as Kurtit dhe as Vuçiq nuk janë të interesuar për ndonjë hap të rëndësishëm në dialogun Kosovë-Serbi. Vuçiq ka folur në telefon me presidentin Macron dhe i ka kërkuar ndihmë që të bëhet presion ndaj Kosovës për të kkrijuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Por, presidenti francez është në ankth. Marie Le Pen e ka vënë në vështirësi, duke e detyruar Macron që të shpallë zgjedhjet paralamentare të parakohshme, zgjedhje që, me gjasë do t’i fitojë Fronti i Le Pen. Macron nuk ka asnjë shans në këto kushte të ketë ndonjë impenjim serioz. Edhe Vuçiq do të ishte i gatshëm të priste konstituimin e një qeverie të ekstremit të djathë në Francë, si garanci për ta përdorur atë në dobi të interesave serbe në Kosovë”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, Bytyçi shtoi se tema kryesore që do diskutohet është risekuencimi i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Pavarësisht kësaj, profesori u shpreh skeptik se mund të arrihet ndonjë rezultat konkret pas takimit Kurti-Vuçiqi, e që për këtë i shpalosi disa argumente.

“Megjithatë, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq do të shkojnë të mërkurën në Bruksel. Do të takohen fillimisht në formatin Kurti-Borrell-Lajçak, Vuçiq-Borrell – Lajçak dhe pas kësaj ndoshta edhe të katër së bashku! Objekt diskutimi është risekuencimi i zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Por, sërishmi kemi një nonsens. Marrëveshja dhe aneksi nuk janë nënshkruar. Sa kohë që këto dy dokumente nuk nënshkruhen, aq kohë asnjëra palë nuk do të jetë e gatshme të zbatojë diçka prej saj. Kështu që në atë takim thjesht do të diskutohet. Kurti do të këmbëngulë për nënshkrim, Vuçiq do të thotë se e ka dorën të sëmurë. Pra, kësaj i thonë me vra miza, se punë nuk ka. Vuçiq do të këmbëngulë që Kosova të krijojë asociacionin. Këtë do ta kërkojë edhe Borrell e Lajçak. Kurti nuk do ta pranojë kërkesën, nëse Beogradi nuk e njeh Kosovën, së paku de facto. Pra, nëse nuk zbatohet kërkesa e marrëveshjes që Vuçiq të firmosë njohjen e integritetit territorial dhe sovranitetin shtetëror të Kosovës. Presidenti serb nuk do ta pranojë këtë.

Përfundimisht të dy palët do të kthehen pa asnjë rezultat. Nuk ka gjasa që Lajçak të arrijë ndonjë rezultat në bisedime, edhe nëse qëndron në këtë detyrë deri në fund të janarit të vitit të atdhshëm, siç edhe tha para pak ditësh në Kosovë. Nuk ka asnjë shans që Kosova të pranojë asociacionin pa pranimin e marrëveshjes në tërërsinë e saj. Pranimi i kësaj marrëveshjeje mund të ndodhi vetëm nëse ajo nënshkruhet nga të dy palët, më pas ratifikohet në parlamentin e Serbisë e atë të Kosovës dhe depozitohet në OKB, KiE, BE dhe OSBE, si prganizata këto që mbrojnë të drejtat e palëve, të drejta që burojnë pikërisht nga ajo marrëveshje deri më sot e panënshkruar për shkak të refuzimit të Aleksandër Vuçiq!” – përfundoi Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat