A u politizua hapja e Urës së Ibrit? Të diskutohet në dialog apo të hapet, ja çfarë mund të bëjnë serbët

Politika

A u politizua hapja e Urës së Ibrit? Të diskutohet në dialog apo të hapet, ja çfarë mund të bëjnë serbët

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 qershor 2024 Në ora: 16:01
Vendimi për hapjen e urës është marrë në Kuvendin e Komunës së Mitrovicës së Veriut në prill të vitit 2023, por nuk është zbatuar ende.

“Hapja e pakoordinuar e urës kryesore të Ibrit mund të çojë në incidente të sigurisë dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit”, kështu ka deklaruar emisari i BE-së, për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, pas pyetjeve rreth hapjes së Urës së Ibrit.

Sipas Lajçakut, çdo vendim në lidhje me urën duhet së pari të konsiderohet dhe të merret në dialog.

“Hapja e urës në Mitrovicë është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja – nga viti 2015 dhe 2016. Edhe pse jam dakord që ura duhet të hapet dhe ne e kemi kërkuar për një kohë të gjatë, duhet të bëhet në mënyrë të koordinuar dhe të dakorduar. Çdo vendim në lidhje me urën duhet së pari të konsiderohet dhe të merret në dialog. Nëse palët janë të interesuara, me kënaqësi do ta vendos këtë çështje në agjendën e takimit të radhës të kryenegociatorëve”, u shpreh emisari.

Ekspertët e sigurisë kanë folur për “Bota sot”, rreth mundësisë së hapjes së Urës pa koordinim dhe në rast se jo sa do të arrihet zgjidhja në dialog për këtë temë.

“Serbia po bën luftë hibride”

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se nuk pret reagim nga qytetarët serbë për hapjen e urës së Ibrit, kjo pasi sipas tij, atyre u duhet lëvizja e lirë.

“Ura Ibrit dhe hapja e saj tani është bërë shumë e më shumë politike se sa element sigurie. Prandaj institucionet tona kanë ndërmarr veprimet janë të shtrira në atë pjesë dhe që nuk pres ndonjë reagim fare nga qytetarët serbë për arsye që edhe atyre i duhet kjo lëvizje e lirë”, shprehet Shala.

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Mirëpo, sipas Shalës, Serbia po tenton ta paraqet këtë situatë jo sikurse është në realitet.

“Serbia po tenton në këtë fazë të veprojë duke paraqitur situatën jo siç është në realitet duke disinformuar dhe bërë një luftë hibride”, shprehet eksperti.

Për hapjen e Urës së Ibrit, ka folur edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ku sipas saj, kjo temë duhet të trajtohet me seriozitet

Sipas saj, forcimi i sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse e ekzekutivit.

“Edhe tema e urës edhe tema të tjera janë tema që duhet të trajtuar me seriozitet nga institucionet tona si nga ato lokale ashtu edhe ato qendrore. Strategjia e kësaj qeverie në forcimin e sovranitetit pa rritur rrezikun është strategjia më frytdhënëse që kemi parë gjatë 25 vjetëve të fundit. Ne duhet të vazhdojmë të bëjmë hapa pozitiv, ndërkohë jemi shumë të vetëdijshëm që nuk duhet të rrezikojmë territorin tonë, qytetarët dhe institucionet tona të sigurisë…Në momentin që do të ketë lëvizje ju do të jeni dëshmitarë të lëvizjeve dhe do t’i shihni”, ka thënë ajo.

“Hapja e Urës së Ibrit është mirë të ketë një analizë paraprake”

Gjersa, zëvendëskryeministrja thotë se kjo temë duhet të trajtohet me seriozitet, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, kërkon që ata të jenë të organizuar dhe të koordinuar me faktorin ndërkombëtar.

Kjo për shkak që sipas tij, mund të ekzistojë rreziku për eskalim.

Image
Bedri Elezi

“Parlajmërimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit, urë kjo që ndan Mitrovicën e jugut dhe Mitrovicën e veriut si dhe reagimet e faktorit ndërkombëtar dhe konkretisht të përfaqësuesit Lajçak i cili ka thënë se situata mund të rënohet dhe sidomos procesi i dialogut në rast se do të kemi përpjekje të institucioneve të Republikës së Kosovës për hapjen e Urës, ky rast mendoj që është mjaft kompleks edhe për shkak se duke e parë edhe nga aspekti ekonomik dhe në kuptimin e plotë të fjalës të organizimit të aktiviteteve në afrimin e njerëzve, urat shërbejnë për të bashkuar njerëzit, jo për t’u ndarë, ndërsa ura e lumit Ibër ka shërbyer për të ndarë njerëzit në dy zona, që në anën tjetër janë kryesisht komuniteti serb, por ka edhe komuniteti shqiptar që jetojnë atje dhe po ashtu kemi edhe qytetarë shqiptarë që kanë mbetur në pjesën jugore. Pra me një fjalë janë këto veprime që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit përkatësisht organizimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me shtrirjen e sovranitetit të Kosovës edhe atje që deri më tani duket që kanë problem me atë pjesë”.

“Duhet të jenë të organizuara, të koordinuara me faktorin ndërkombëtar dhe veçanarisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian të cilat janë mekanizma që Kosova ka nevojë që të jetë në mënyrë të vazhdueshme të koordinuara dhe të organizuara. Mendoj se ekziston rreziku që mos koordinimi me faktorin ndërkombëtar dhe vazhdimi i përpjekjeve për hapjen e Urës mund të tensionojë situatën e sigurisë dhe mund të kemi edhe veprime të serbëve lokalë të cilët mund të organizojnë protesta duke tentuar që të mbyllin rrugë dhe korridoret të cilat deri më tani janë duke u shfrytëzuar nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe më pas protestat mund të shfrytëzohen nga strukturat kriminale terroriste serbe të cilët mbështeten nga Beogradi zyrtar dhe Moska zyrtare për esklaimin e situatës së sigurisë. Prandaj, pavarësisht zhvillimeve politike dhe situatës se Kosova një vend zgjedhor dhe subjekti që udhëheq me Kosovën ka nevojë të zhvillojë programe apo projekte të cilat kanë të bëjnë me ngritjen e interesimit të qytetarëve që të votojë subjektin që qeverisë në këtë rast VV, por veprimet e sigurisë kanë të bëjnë me koordinim dhe organizim të mirëfilltë sepse mund të ketë eskalim”, deklaron Elezi.

Ai kërkon një analizë paraprake për hapjen e urës së Ibrit, gjersa shton se edhe nëse nuk ka eskalim mund të ketë pasoja serioze tjera.

“Çdo veprim, në këtë rast hapja e Urës së Ibrit është mirë të ketë një analizë paraprake, një komunikim të vazhdueshëm me partnerët e rëndësishëm sidomos të sigurisë dhe më pas edhe faktorët e tjerë politikë, sepse edhe nëse nuk do të kemi degradim në kuptim edhe pse ne presim që do të ketë eskalim kur kemi situate të tilla, por edhe nëse nuk do të kemi mund të kemi pasoja serioze nga institucionet që kanë pasur përparim, në integrim dhe përfshirë këtu edhe dialogun”, shton Elezi.

Theksojmë se hapja e urës së Ibrit është debat pothuajse çdo fillim verë, këtë vit filloi me deklaratën e zëvendësministrt të MAPL-së, Arbër Vokrri, i cili ka thënë se nuk ka ndonjë datë të saktë, por sipas tij nuk ka arsye që të pritet vjeshta.

“S’jam i sigurt për kohën e saktë, natyrisht se është diskutuar më shumë se njëherë mes institucioneve të shtetit tonë dhe ka arsye që nuk është shtyrë pra vendimi për zbatimin pasi e ka votuar Kuvendi Komunal i Komunës së Mitrovicës Veriore. Pra, arsyeja ka qenë e thjeshtë që të mos ngutemi të mos dukemi që po tentojmë ta provokojmë situatën, mirëpo me kalimin e kohës potenciali për trazira vërehet qartë se është zvogëluar. Mendoj se para vjeshtës që i bie gjatë verës. Por, datë të saktë nuk kemi. Mendoj se nuk ka nevojë të pritet vjeshta fare”, kishte deklaruar Vokrri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat